
Në 20 dhjetor 2013, në vigjilje të datëlindjes së Stalinit, që ishte edhe datëlindja e stalinistit të dikurshëm Remzi Hoxha (që na u konvertua në nacionalist pa e sharë Stalinin), Kryeministri i Shqipërisë takoi djalin e terroristit, të quajturin Ardian Hoxha, i cili e ka bërë zakon që herë pas here të vijë në Tiranë, për të bërë publikisht kërkesa nga më të cuditshmet. Kryeministri Rama nuk mund të mos e dijë se Remzi Hoxha ishte thjesht një terrorist, por jo një terrorist i thjeshtë. Remzi Hoxha ishte një agjent provokator i Serbisë. Remzi Hoxha donte që të provokonte fillimin e luftës në Kosovë, nëpërmjet territorit të Shqipërisë, pikërisht në kohën kur do të fillonte Konferenca e Dayton-it. Nga të gjitha pohimet e familjarëve të Remzi Hoxhës dhe të bashkëpunëtorëve të tij, rezulton se ai pretendonte se ishte duke punuar për luftën e ardhshme në Kosovë. Natyrisht se fillimi i luftës në Kosovë në prag të fillimit të Konferencës së Dayton-it, ishte ajo çka dëshironte Serbia, se kjo do ta fuqizonte shumë pozitën e Serbisë në bisedimet e Dayton-it. Kështu do të provohej teza serbe se Serbia gjendej nën një agresion nga të gjitha anët, dhe se nuk ishte ajo vendi agresor. Remzi Hoxha donte ta çonte Shqipërinë në situata shumë të rrezikshme, që nuk kishin të bënin fare me koston që shteti dhe shoqëria shqiptare qenë të përgatitur të paguanin për çlirimin e Kosovës. Rrëmbimi i Remzi Hoxhës ka ndodhur ne tetor 1995, 20 ditë pas atentatit ndaj Presidentit maqedonas Gligorov, me ç’ rast ky i fundit u plagos rëndë. Atentati ndaj Gligorovit ndodhi ne prag te fillimit te Konferences se Dayton-it (nentor 1995). Per kete shkak u rrit shumë nervozizmi dhe alarmi në kancelaritë perëndimore se mos kishte një skenar lufte te re ne Ballkan, ne Kosove ose Maqedoni, per te cilen lufte do te sherbente si baze Shqiperia. Atëherë më të interesuar për të frenuar një kryengritje shqiptare në Kosovë, apo Maqedoni që do të kishte si bazë Shqipërinë, qenë shërbimet inteligjente perëndimore, të cilat tre vjet më pas do të mbështesnin luftën e UÇK. Këto shërbime qenë të interesuara që Remzi Hoxha të dilte nga skena.
Për veprimtarinë terroriste të Remzi Hoxhës ironikisht japin prova vetë familjarët e tij, madje edhe avokati i tyre. Këto prova janë me zë dhe me figurë. Vetë ata kanë deklaruar publikisht se Remzi Hoxha ishte një ndër aktivistët e UCK-së. Nëse është kështu, Remzi Hoxha kishte hyrë si agjent provokator në rrethin e atyre që krijuan UCK-ne. Se UCK nuk kishte asnjë arsye për të vepruar në Shqipëri pikërisht në prag të nisjes së Konferencës së Dayton-it, ose gjatë saj. Kjo do të thoshte kompromentim i plotë i UCK-së. Ku e gjente të drejtën ky njeri të vinte në Shqipëri dhe ta implikonte vendin tonë në skenarë të tillë tejet të rrezikshëm? Natyrisht se edhe unë si cdo qytetar i këtij vendi me ndjenjë kombëtare mendoja dhe ende mendoj se shteti shqiptar duhet të mbështeste me cfarëdo mënyre veprimtarinë e UCK-së, por kjo nuk duhet të ndodhte në 1995, por më vonë atëherë kur kjo të ishte e kordinuar me aleatët e mëdhenj perëndimore, sic edhe ndodhën gjërat. Prandaj njerëzit si Remzi Hoxha duheshin neutralizuar. Kjo nuk mund të bëhej publikisht, se do të kishte efektin e kundërt, domethënë do të bëhej zhurmë se në Shqipëri vepron UCK. Nuk mund të dihet me siguri nëse SHIK ka bashkëpunuar me shërbimet inteligjente perëndimore për neutralizimin e Remzi Hoxhës apo jo. Një gjë është e sigurt, SHIK në 1995 kishte detyrimin që të pengonte aventurierët të cilët donin ta implikonin Shqipërinë në skenarë shumë të rrezikshëm. Dhe në tetor 1995, pas atentatit ndaj Gligorovit, shërbimet inteligjente perëndimore u bënë shumë dyshues ndaj veprimtarisë së njerëzve si Remzi Hoxha. Të mos harrojmë se Remzi Hoxha ishte shtetas i Maqedonisë, pra dyshimi i parë ishte se ai do të nxiste një lëvizje të armatosur shqiptare në Maqedoni. Edhe shërbimet inteligjente perëndimore e kishin survejuar Remzi Hoxhën dhe kishin regjistruar deklaratat e tij se clirimi i Kosovës duhet të paraprihet nga clirimi i pjesës shqiptare të Maqedonisë, se ky vend mund të shpërbëhej lehtë. Por dihet interesi amerikan për stabilitetin e Maqedonisë.
Remzi Hoxha kishte lidhje biznesi me kompaninë bullgare Multigroup, që u akuzua drejtpërdrejt nga qeveria maqedone për atentatin ndaj Gligorovit. Pse nuk sqaron djali i terroristit se me cfarë biznesi merrej i ati në Tiranë dhe ku e gjente lëndën e parë? Meqënëse djali i terroristit ka kontakte me Kryeministrin tani, a mund t’ i kërkojë këtij t’ i tregojë dokumente sekrete, sipas të cilave shërbimet sekrete perëndimore e akuzojnë Remzi Hoxhën si njeriun që furnizoi lëndën plasëse nga Shqipëria për atentatin ndaj Gligorovit? Cilat qenë lidhjet e Remzi Hoxhës me Iliya Pavlovin e Multigroup, i vrarë në 2003, në Sofje?
Për Remzi Hoxhën është krijuar miti se gjoja kishte regjistruar me kamera një takim të fshehtë të Berishës me Millosheviçin dhe Presidentin maqedon Gligorov në maj 1993, në Shën Naum të Maqedonisë. Kjo duket krejt e pabesueshme se, nëse Remzi Hoxha do t’ i kishte pasur provat për këtë takim, ai kishte pasur kohë, dy vite e gjysmë, për t’ i bërë publike, pa u vetëzbuluar. Një videoregjistrim të tillë e blinin shtrenjtë televizionet e mëdha ndërkombëtare. Pastaj, si do të guxonin Berisha dhe Gligorov të takonin Milloshevicin, në kohën që ky ishte nën embargo nga komuniteti ndërkombëtar dhe Jugosllavia e mbetur ishte përjashtuar prej një viti nga të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe me të i kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike pjesa më e madhe e vendeve të botës. Këto janë gënjeshtra të trasha njerëzish ruralë që u ra fati të merren me politikë të madhe. Edhe ku na u bë ky takim, në Shën Naum që është një vend pelegrinazhi! Kjo është njëlloj sikur Presidenti i francës të bëjë një takim sekret në Lourdes!
SHIK-u i kohës kishte jo vetëm të drejtë por madje edhe detyrim kushtetues që ta neutralizonte me cdo mënyrë terroristin Remzi Hoxha. Ata që bëjnë zhurmë për zhdukjen e Remzi Hoxhës, si Fatos Klosi, ish-drejtori i mëpasëm i SHIK (SHISH) etj., janë mburrur publikisht për aksionin antiterrorist të arrestimit të gjashtë shtetasve egjiptianë në Shqipëri, të cilët u ekstraduan në Egjipt në mënyrë të kundërligjshme, gjë që e ka pohuar publikisht Fatos Klosi në 16 tetor 2006. Shqipëria nuk mund të ekstradojë njerëz në vendet ku aplikohet dënimi me vdekje, dhe Egjipti është një vend i tillë. Për këtë arsye Gjykata e Tiranës i la të lirë shtetasit egjiptianë kur i coi Prokuroria atje duke kërkuar arrestimin e tyre. Por këta i rrëmbeu SHIK në bashkëpunim me Prokurorinë dhe i ekstradoi në Egjipt me një aeroplan privat. Për mendimin tim u veprua drejt se këta njerëz donin të rrëzonin regjimin e Mubarakut që ishte lloji i regjimit laik properëndimor që u përshtatet më mirë vendeve arabe. Por, nga pikëpamja ligjore me këta qytetarë egjiptianë është vepruar njëjtë sic pretendohet se është vepruar në rastin e Remzi Hoxhës. Apo edhe me rastin e atij arabit që e vrau me dorën e tij drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi në 1998. Atëherë a mos duhet të arrestohen Fatos Klosi, Arben Rakipi, Artan Didi për këto gjëra? Për mendimin tim jo. Por unë mendoj se nga të gjithë këto raste më i rrezikshëm për Shqipërinë ishte ai i Remzi Hoxhës, se ai donte të destabilizonte shumë rrezikshëm vendin tonë. Prandaj Kryeministri Edi Rama bën gabim të madh që merret me këto cështje që i përkasin sferës së arsyes shtetërore, raison d’ etat. Asnjëra palë nuk duhet të bëjë politikë me këto cështje. Se kështu gjërat mund të dalin nga kontrolli dhe të dalë ndonjë VKM që ka firmosur Kryeministri i sotëm kur ishte ministër në kohën e Luftës së Kosovës. Kur Kryeministri takohet me djalin e terroristit, ai i ve në pozitë të vështirë miqtë amerikanë që normalisht do të kërkojnë llogari nëse zbulohen akte të tilla. Se lojën e nisi ai i pari. Kryeministri nuk mund të shfajësohet pastaj duke thënë se takimin me djalin e terroristit ma këshilloi Endri Fuga.
Djali i terroristit Remzi Hoxha, e ka bërë zakon që me nja pesë e gjashtë kushërinj, vjen cdo vit në Tiranë dhe del e ngrefet si gjel, e lëshon kërcënime publike para kamerave televizive. Sipas djalit të terroristit, Shqipëria i është përgjegjëse familjes së tij që nuk i gjen eshtrat e të atit që donte ta bënte Shqipërinë një varr të madh në mes të Ballkanit. Cfarë varri të Remzi Hoxhës kërkojnë, ja ku kanë varrin e Iliya Pavlovit në Sofje, njëjtë është. Djali i terroristit, ndonëse shtiret i shkolluar, duket se nuk e ka idenë se cfarë forcash veprojnë në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama pasi gjeti kohë të takonte djalin e terroristit, nuk gjeti kohë disa ditë më pas që të merrej asnjë minutë me aktin terrorist të shpërthimit të kryer ndaj një shtylle të tensionit të lartë. Është e qartë autorësia e shpërthimit./Kastriot Myftaraj
Marre nga faqja personale ne Facebook


Leave a Reply