![]()
Keni dëgjuar mjaft ankesa nga femrat mbi peshën? Arsyeja është e thjeshtë, ato nuk janë të lumtura me marrëdhëniet e tyre
Studimi
Dashuria është… të mos shqetësohesh për peshën? Femrat në marrëdhënie të lumtura nuk shqetësohen për kilogramët e tyre, ka zbuluar një studim i ri. Madje edhe femrat që ishin mbipeshë, u shprehën se ishin të kënaqura me mënyrën sesi ishin.
Kërkuesit e Universitetit Tallinn në Estoni studiuan më shumë se 250 gra të moshës nga 20 deri në 45 vjeçe. Nga këto, dy të tretat jetonin me të dashurin, ndërsa pjesa tjetër ishin të martuara.
Kërkuesit thanë se sjellja e një gruaje ndaj figurës së saj anon më shumë nga shkalla e lumturisë që ajo ka në jetë, sesa nga numrat që paraqet peshorja.
Femrat iu përgjigjën një sërë pyetjesh rreth marrëdhënieve të tyre, përfshirë sesa të lumtura ishin ato nga ana emocionale, seksuale dhe inteligjente. Po ashtu ato treguan sesa interesa të përbashkëta kishin me bashkëshortin ose të dashurin.
Gratë u pyetën sesa të kënaqura ishin me peshën e tyre dhe se cila do të ishte pesha ideale për të pasur. Përgjigjet zbuluan se femrat në marrëdhënie të lumtura ishin më të kënaqurat me peshën e tyre, edhe nëse nuk mund të klasifikohej si masa e përkryer trupore.
Sipas kërkuesve, femrat që ishin më të lumtura nga marrëdhënia që kishin me mashkullin e jetës së tyre, u kushtonin më pak vëmendje kilogramëve. Në të kundërt, femrat që nuk ishin të lumtura në marrëdhëniet që kishin, për shkak të presionit të partnerit, kërkonin ta ndryshonin mënyrën sesi dukeshin.
Rezultatet ishin të njëjta si për femrat që jetonin me të dashurin ashtu edhe për ato që ishin të martuara. Të dyja llojet ishin më pak të vetëdijshme dhe kishin më tepër vetëvlerësim.
Kërkuesja Sabina Vater nga Universiteti Tallinn i Estonisë tha: “Këto zbulime sugjerojnë se kënaqësia që marrim nga përmasa trupore dhe pesha ka më shumë të bëjë me nivelin e lumturisë që kemi, si për shembull në lidhjet romantike, sesa me peshoren ku matemi”.
Hulumtuesja Vater, që e bëri kërkimin për të mbrojtur diplomën e saj master, tha se femrat që ishin të lumtura me marrëdhënien e tyre kanë më shumë gjasa t’i kushtojnë fare pak vëmendje peshës. Nga ana tjetër, ato që ishin në marrëdhënie jo të lumtura, ku nuk trajtoheshin mirë, kishin grindje të shpeshta apo edhe dyshim për tradhti, kërkonin vazhdimisht të dobësoheshin. Sipas kësaj, një grua jo e lumtur mund t’i kalojë shqetësimet e saj mendore te pamja fizike.
Ndonëse kërkuesit estonianë studiuan vetëm njerëz që ishin në një marrëdhënie, ata besojnë se edhe femrat beqare, të cilat shqetësohen rreth peshës, mund të përfitojnë nga ky studim për të rritur vetëvlerësimin.
Kërkuesja Sabina Vater tha se femrat nuk duhej të ishin të fiksuara pas peshës së tyre. Ajo që ka vërtet rëndësi është gjendja e tyre shpirtërore, gjë që më pas ndikon në mënyrën sesi ato e shohin veten.
Gjëja më e rëndësishme është ushqimi i shëndetshëm dhe ushtrimet e rregullta. Gjimnastika rrit vetëbesimin e femrave, sepse gjatë asaj kohe, ato ndihen se po bëjnë diçka të mirë për trupin e tyre.
Psikologja Xhejn Mekartnej (Jane McCartney), autore e librit Stop Overeating (Mjaft Mbingrënies), tha se lumturia që një marrëdhënie reflekton te femrat, bën që shumë fusha të tjera të jetës të ndikohen prej kësaj.
![]()
![]()
![]()
Gazeta Shqip


Leave a Reply