
I njohur si vendi i të drejtave të njeriut, Suedia po zbulon sot se në fakt, nuk i mungojnë paragjykimet, në nivel shoqëror dhe shtetëror, pasi romët u regjistruan në mënyrë sekrete si apriori kriminelë
Lajmi se në Suedi policia ka krijuar një regjistër sekret ku gjenden emrat e 4 mijë njerëzve, më së shumti romë, ka tronditur reputacionin e Suedisë për tolerancë dhe rezultoi se paragjykimi ndaj romëve po përshkruhet si një “racizëm i pranueshëm” në vend.
“Kur e pashë këtë u frikësova”, thotë Adam Szope, një gazetar te radio kombëtare e Suedisë. Ai po fliste për një ngjarje që u publikua në faqen e parë të njërës prej gazetave më të mëdha të vendit Dagens Nyheter, në shtator, ku u zbulua se policia në Suedinë e Jugut pati hartuar një regjistër me më shumë se 4 mijë emra, pothuajse të gjithë të komunitetit rom apo të njerëzve të lidhur me këtë komunitet.
Më shumë se 1 mijë janë emra fëmijësh, disa prej tyre vetëm dy vjeç. Të tjerë u përkasin njerëzve që kanë vdekur me kalimin e viteve. Policia e mbrojti veten duke thënë se regjistri u hartua për t’i ndihmuar në luftën kundër krimeve të dhunshme në Suedinë e Jugut, pavarësisht se titulli i regjistrit dje – Kringresande apo shtegtarët – dhe se nuk kishte bazë apo synime etnike.
Në Suedi është ilegale të procesosh informacion mbi ndokënd bazuar thjeshtë mbi etnicitetin. Ditën tjetër, Dagens Nyheter publikoi detaje të tjera, përfshirë një fotografi nga pjesë e regjistrit me detajet e turbulluara, por mjaftueshëm për Szope për të dalluar disa adresa shtëpish.
“Dhe aty mund të shikoje të shkruar ‘vajzë e lindur më 2010’ dhe se atje ku unë jetoj janë vetëm tre familje rome dhe unë jam i vetmi me një vajzë tre vjeç”, thotë ai. Doli se Adam Szope, bashkëshortja e tij dhe tre nga katër fëmijët qenë në regjistrin e policisë.
Reporteri që publikoi lajmin, Niklas Orrenius, e përshkruan diskriminimin ndaj romëve si “forma më e fundit e racizmit të pranueshëm në Suedi”, megjithëse zbulimet kanë shkaktuar tronditje të madhe dhe zemërim në të gjithë vendin.
“Unë jam takuar me shumë romë nga ata të listës”, thotë ai, “dhe ata thonë se nuk besojnë se policia po planifikon një spastrim etnik apo diçka të tillë, por janë të frikësuar për shkak se ky është një regjistër i kontrolluar nga shteti i mijëra romëve dhe askush nuk e di se kush do të jetë në pushtet në Suedi në 20 vitet e ardhshme e për çfarë do ta përdorin regjistrin”.
Një politikane e rëndësishme, Maria Leisner, thotë se regjistri përbën në vetvete një “krim urrejtjeje”. Ajo udhëhoqi hetimin e shtetit mbi trajtimin e romëve më 2010. Raporti doli në konkluzionin se: “Romët janë sot pothuajse tërësisht të përjashtuar nga shoqëria”.
![]()
![]()
![]()
![]()
Ralf Novak Rosengren
“Nuk ma ndien nëse jam në regjistër”
“Unë nuk e di nëse jam në këtë regjistër, por as nuk ma ndien”, thotë Ralf Novak Rosengren, një muzikant rom. “Por kur e pashë në gazetë, u frikësova shumë”.
Rosengren është një nga figurat udhëheqëse pas festivalit të romëve të vendeve nordike që u zhvillua për herë të dytë në Stokholm në fund të nëntorit.
“Ne deshëm të festonim mbërritjen e parë të romëve në Suedi 500 vjet më parë më 1512”, thotë ai. “Ne kemi pasur frikë të shfaqemi deri tani sepse kemi pasur kaq shumë frikë diskriminimin”.
Rosengren thotë se regjistri i policisë rrit spektrin e viteve 1940 kur romët u viktimizuan nga Gjermania naziste për shkak të etnicitetit të tyre.
“Kjo tregon se njerëzit nuk po mësojnë nga historia”, thotë ai. “Atje jashtë në Europë ka shumë njerëz të ekstremit të djathtë, fashistë e njerëz të tillë dhe kjo është ajo që kemi frikë”.
Raporti thotë gjithashtu se 80 për qind e romëve janë të papunë dhe se shumica e fëmijëve të tyre nuk përfundon as shkollën fillore.
“Kur unë isha 13 vjeç dhe shkova në klasë të shtatë, ata më pyesnin ‘pse po shkon në shkollë, çfarë mendon se do të bëhesh kur të rritesh? Ti je rom, një arixhi”, thotë Adam Szope, i cili raporton për seksionin në romanisht të Radios Kombëtare të Suedisë, Radio Romano.
“Mësuesit nuk kishin besim tek unë, edhe kur unë shkova në shkollë të mesme. Ata më pyesnin nëse unë mund të kërcej dhe këndoj dhe nuk besonin se unë mund të diplomohesha në shkollë si të gjithë njerëzit e tjetër”.
Romët mbërritën në Suedi 500 vjet më parë. Popullata sot vlerësohet në 50 mijë vetë, por askush nuk e di me siguri, sepse romët kanë frikë të pranojnë etnicitetin e tyre publikisht.
Një grua qe shumë e interesuar të mësonte nëse ajo qe në regjistrin e policisë, por pati frikë të pyesë për shkak se nëse ajo e bënte, atëherë policia do ta dinte se ajo qe rome.
Nuk ka kaluar shumë kohë që kur fëmijët e romëve u rrezikuan nga heqja me dhunë nga kujdestaria e fëmijëve të tyre – rasti i fundit i njohur i përket vitit 1975 – dhe gratë rome i nënshtroheshin në atë kohë sterilizimit të detyruar.
Por nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për mënyrën se si Suedia trajton Romët, sipas Amnesty International, e cila thotë se ata vuajnë diskriminim të gjithëpërhapur dhe sistematik në të gjithë Europën.
“Romët shtyhen drejt periferisë së shoqërisë për shkak të diskriminimit në lidhje me strehimin, punësimin dhe arsimin… dhe përdoren si koka turku për problemet më të mëdha shoqërore”, thotë Nicolas Beger, drejtor i zyrës së Amnesty International për Institucionet Europiane.
Ai i bën thirrje Komisionit Europian të ndërhyjë dhe të ndalë atë që e cilësoi si “qerthulli vijues i dhunimit të të drejtave themelore brenda kufijve të BE-së”.
Forcat e policisë në Suedinë e Jugut, të cilët hartuan regjistrin, vijojnë të mohojnë se nuk ka një bazë etnike për të, me argumentin se fjala “kringresande” apo “nomad” nuk ka asnjë konotacion etnik.
Ata filluan të hartojnë regjistrin, thotë Stefan Sinteus, kreu i departamentit të hetimeve kriminale, në mënyrë që të lehtësonin hetimet mbi atë që e konsideroi si “luftë” të lidhur me krimet mes familjeve tona pranë qytetit të Lundit. Sipas tij, ajo që filloi me kërcënime tashmë është përshkallëzuar në dhunë të hapur, përfshirë automatikë dhe eksplozivë.
“Është detyra jonë të luftojmë këto krime”, thotë ai.
Por Sinteus pranon gjithashtu se ka shumë tepër emra në regjistër dhe se ai tashmë do të krijojë një regjistër të ri me më pak emra. Kur pyetet se sa emra ekzaktësisht, tha se nuk e di, por se është dakord që regjistri i ri mund të përmbajë më pak se 1 mijë emra nga 4 mijë që qenë në regjistrin fillestar.
Dy oficerë brenda kësaj force policie tashmë po hetohen për një vepër të mundshme penale në lidhje me hartimin e regjistrit.
Në një vendim të fundit, komisioni që mbikëqyr përdorimin e të dhënave elektronike nga policia – njohur nga akronimet e veta në suedisht SIN – tha se regjistri i policisë thyen ligjin suedez për të dhënat policore në shumë mënyra. Këtu përfshihet:
* qëllimi i krijimit të regjistrit nuk qe përkufizuar saktë
* shumë tepër njerëz kishin akses te regjistri
* nuk ka të dhëna për të mësuar se si regjistri është përdorur deri tani
“E thënë thjesht, ne zbuluam se kishte shumë tepër njerëz në këtë regjistër”, thotë Patrik Skogh i SIN. Por kjo zyrë nuk mendon se regjistri përbën shkelje të asaj pjese ligji që ndalon procedimin e informacionit mbi njerëzit duke u bazuar thjesht tek etniciteti.
“Komisioni zbuloi se shumë njerëz në këtë regjistër dukej se kishin rrënjë rome”, thotë Skogh. “Gjithsesi, komisioni nuk gjeti bazë për të thënë se arsyeja e vetme për regjistrimin qe sepse ata kanë rrënjë rome. Përkundrazi, arsyeja se pse ata qenë regjistruar dukej se kishte një farë lidhjeje me kriminalitetin”.
Redaktori i Dagens Nyheter Peter Uolodarski nuk e pranon këtë.
“Ne kemi folur me shumë njerëz në databazë dhe dukshëm identiteti i tyre rom është emëruesi i përbashkët këtu”, thotë ai. “Kam besim se kur komisioni të shohë secilin emër në regjistër, do të dalë në të njëjtin konkluzion me ne”.
Në Stokholm, në fund të nëntorit, kreu i policisë kombëtare të Suedisë Bengt Svenson, ra dakord të ulet në një panel dhe të pranojë pyetje nga audienca rome si pjesë e festivalit kulturor rom në vendet nordike.
Ai shfaqi brerje ndërgjegjeje, ndërkohë që mbrojti përfshirjen e fëmijëve në regjistër si viktima potenciale të kriminalitetit. Por ai pranoi se ka pasur gabime.
Në një intervistë me BBC ai tha se niveli i besimit ndaj policisë mes romëve është shumë i ulët. “Ne aktualisht jemi poshtë zeros”, tha ai. “Mendoj se do të duhet shumë kohë pra se ata të fillojnë të na besojnë ne si më parë”.
Deklarata
Peter Uolodarski (Wolodarski)
Dukshëm është identiteti i tyre rom që përbën emëruesin e përbashkët në këtë listë.
Peter Uolodarski
Redaktor i Dagens Nyheter
Më shumë për romët në Europë
Romët janë europianë të padëshiruar, shkruan Xhon Liçfild (John Lichfield) dhe gazeta Independent
Popullata më e madhe rome në Europë është në Britaninë e Madhe
Dhe Xhorxh (George) Soros shkruan te gazeta Social Europe se si mundet të ndihmohen romët nga Europa
Policia thotë se emrat e përfshirë në regjistër janë aty për arsye të lidhjeve me ndonjë krim. Fëmijët, thonë, u përfshinë si viktima potenciale të një krimi. Por redaktori i gazetës që publikoi lajmin thotë se kjo është aspak e vërtetë. Të qenët romë, qe arsyeja bazë
Qyteti i Lundit ka rreth 50 mijë banorë dhe regjistri i policisë ka 4 mijë emra, pra rreth 8 për qind e popullsisë konsiderohen si kontingjent me potencial kriminal dhe pothuajse që të gjithë, janë romë, përfshirë edhe familjen e një gazetari
Romët mbërritën në Suedi 500 vjet më parë dhe që nga ajo kohë jetojnë në periferi të shoqërisë së vendit. Papunësia mes tyre është mbi 80 për qind dhe shumica janë të paarsimuar, jetojnë në periferi e janë përjashtuar nga tregu i shtëpive për shkak të pamundësisë ekonomike
Bashkimi Europian ka vendosur si kriter anëtarësimi për vendet e reja të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të drejtat e romëve në veçanti por duket se nuk po bën mjaftueshëm për të përmirësuar jetët e romëve që i ka nënshtetas të vet
Gazeta Shqip


Leave a Reply