Oponenca e juristit dhe ekspertit kriminalist për Akt Ekspertimin Autoteknik të katër inxhinierëve për aksidentin e mbrëmjes së 20 nëntorit, ku gjeti vdekjen deputeti i PD-së
Miltiadh M. Muçi
Tashmë është zbardhur akt ekspertimi, i botuar në median e shkruar, për të cilin ka dhe mendime e komente deri tek lexuesi, ku hidhen dritë-hije për atë që ka ndodhur me deputetin Sokol Olldashi, njëkohësisht politikani më karizmatik i të djathtës shqiptare. Duke qenë jashtë hetimit të ngjarjes, si një profesionist ekspert kriminalist dhe njëkohësisht jurist me përvojë më shumë se 45-vjeçare, mu kërkua mendimi nga redaksia e “Shekulli”-t, me të cilën bashkëpunoj, pikërisht në fushën e kriminalistikës, sidomos për ngjarje të rëndësishme me interes për lexuesin e saj, sikurse është dhe rasti më i fundit, i deputetit të ndjerë Sokol Olldashi. Mendimet do t’i mbështes në gjithçka që kam lexuar në “Aktin e Ekspertimit Autoteknik”, në përfundim të cilave do të mund të jap dhe vlerësimin profesional kriminalistik.
Edhe pse akti i ekspertimit është përgatitur në emër të katër ekspertëve, ka logon dhe adresën E-mail: artur sulce@yahoo. com. Mban datën 25.11.2013, katër ditë pas ngjarjes, kohë relativisht e pakët për ngjarje të rëndësishme. Pas hyrjes tërheq vëmendjen, sikur janë shprehur ekspertët, “kanë studiuar dosjen hetimore, ku ndodhen: Skica e i kqyrjes së vendit të ngjarjes; Procesverbali i këqyrjes të mjetit; dhe Raporti mjekoligjor”. Ndërsa nga studimi i këtyre dokumenteve konstatova:
1.Procesverbali i këqyrjes të vendit të ngjarjes.
Janë përmendur disa gjurmë stercimi dhe gjatësia e tyre, drejtimi jashtë aksit të rrugës përgjatë tokës së pjerrët, deri ku ndodhet i përmbysur automjeti, por çuditërisht, përveç gjatësisë të stercimeve 1-3 dhe 2-4, nuk është përshkruar asgjë për gjurmët në lidhje me buzën e rrugës dhe midis njëra-tjetrës. Po kështu, stercimet nuk janë matur në gjerësinë e tyre dhe as përshkruhen nëse kanë vazhdimësi apo ndërprerje, sado pak, në pjerësinë jashtë rruge, deri tek automjeti i përmbysur. Të gjitha këto mangësi vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e katër ekspertëve në vendin e ngjarjes, sidomos në formulimin e Proces- verbalit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, kur në Kreun II -“Taktika e këqyrjes të vendit të ngjarjes”, pikërisht, në përgatitjen për këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbi masat përgatitore të organit procedues, prokurorit, saktëson personat që do të marrin pjesë në këqyrje, sikur është dhe specialisti apo eksperti sipas natyrës së ngjarjes, thuhet në faqen 44 të “Kriminalistika”, vëllimi II, viti 2001, të Prof. Dr. Skënder Begeja.
2.Skica e vendit të ngjarjes
Sikurse shihet në aktin e ekspertimit autoteknik, jepen relacionet në termat e distancave të elementëve të lëvizshëm dhe të palëvizshëm, të fiksuar në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor, dhe në vazhdimësi përmenden disa: rruga me asfalt dhe lagështi, gjerësia 7 m dhe dy bankina anash, pjerrësia buzë rrugës interurbane dytësore me përvijus plastik për kufizim të saj dhe tabelë vertikale të vijëpërkuljes, së fundi dy pikat ekstreme të referimit të kufijve të vendit të ngjarjes. Por, nuk përmendet asnjë relacion në termat e distancës të elementëve të lëvizshëm dhe të palëvizshëm, të fiksuar ose jo në vendin e ngjarjes nga grupi i hetimit, njësoj si në procesverbalin e këqyrjes të vendit të ngjarjes, që nuk ekzistojnë. Skica është një tjetër metodë për të fiksuar vendin e ngjarjes dhe mbështetet në bazë të shënimeve e matjeve të sakta nga specialisti i ngarkuar, në këtë rast eksperti i fushës së ngjarjeve automobilistike. Ajo përpilohet vetëm pasi është studiuar me vëmendje vendi i ngjarjes, theksohet në faqen 63 të tekstik “Kriminalistika”, ndërsa këshillohet, kurrë të mos besohet në të dhënat që japin të tjerët, por vetëm të bëhen sipas këqyrjes të vendit të ngjarjes.
3.Procesverbaliikëqyrjes të mjetit
Në të përshkruhet tipi i automjetit Mercedes Benz, targa AA003HN, ngjyra e zezë, dhe se nga këqyrja vihen re dëmtime të shoqëruara me katër pamjet fotografike pa shpegime e tregues, zakonisht shigjeta, që nuk kanë nevojë mendimesh nga kushdo që i lexon këto rreshta. Në vazhdim të aktit të ekspertimit thuhet se: Prokurori Ramadan Troci, i ka caktuar ekspertët për t’iu përgjigjur pyetjeve, gjithsej gjashtë, por dhe pse thuhet në akt se ekspertimi është autoteknik duhet të zgjidhen: Cila është gjendja teknike e automjetit para e pas aksidentit, referuar këqyrjes së mjetit, të vendit të ngjarjes etj., dhe kinematika e dinamika, por njëkohësisht prokurori u ka kërkuar ekspertëve, të cilët dhe i janë përgjigjur për çështje jo teknike, pyetje që kanë të bëjnë me: sinjalistikën pa përmendur infrastrukturën, shkeljet e dispozitave të Kodit Rrugor, sjelljen e drejtuesit të mjetit dhe shkaqet e drejtpërdrejta që kanë çuar në pasojat dhe shkakun përfundimtar të aksidentit.
Nga kërkesat e prokurorit, duket qartë informaliteti për të kryer veprime proceduriale profesionale, të konstatuara në aktin e ekspertimit autoteknik, që dhe pse ekspertët përmendin, midis të tjerash, se ata kanë studiuar raportin mjekoligjor, i cili publikisht nuk është parë të lexohet qoftë në një rresht të tij, as data kur ka dalë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, me konkluzionet e rëndësishme, përcaktuese që priten, sidomos mbi plagët e shkaktuara të viktimës, karakterin e mekanizmin dhe mjetin që i ka krijuar, sidomos ato që kane sjellë për pasojë vdekjen.
Në përfundim, në përgjigjen numër 6 të aktit të ekspertimit autoteknik, do të lexojmë: Referuar shpjegimeve të mësipërme konstatojmë se, shkaku determinant teknik i ndodhjes të aksidentit janë shkeljet e kryera nga drejtuesi i autoveturës, dhe radhit shpejtësinë, mosrespektimin e sinjalizimit dhe sistemeve të fiksimit, duke i shoqëruar me dispozitat respektive të Kodit Rrugor, që nuk kanë asgjë me problemet teknike të ekspertimit të automjetit. Ky përfundim nuk ka lidhje as me atë çka lexojmë në balloren e aktit të ekspertimit, “Aksidenti si pasojë e daljes jashtë rruge në kushtet e errësirës dhe motit me shi”. Atëherë kë duhet të besojmë?
Aksidenti
Ish-ministri i transporteve, Sokol Olldashi, humbi jetën mbrëmjen e 20 nëntorit, në rrugën Elbasan-Tiranë, në dalje të tunelit, kur automjeti i tij tip “Mercedez Benz S”, me targë AA 003 NH doli nga rruga dhe u përmbys në një rrëpirë, pak metra më poshtë. Aksidenti tragjik ndodhi pranë Lapidarit të Kërrabës rreth orës 21 e 18 minuta. Fillimisht burime nga Policia e kryeqytetit thanë se bëhej fjalë për një aksident me dy persona të plagosur rëndë, por më pas mbeti vetëm një viktimë. Policia u vonua rreth dy orë për nxjerrjen e trupit të deputetit nga makina për shkak se, dyert ishin mbyllur nga rrokullisja e mjetit.
Përfundimet e aktekspertimit autoteknik
Gjatë këqyrjes së pjesës së brendshme të mjetit, pasi u hap kofano e tij u konstatua se depozita e alkoolit të frenave ishte e zbrazët. U verifikua se kjo depozitë pas përplasjes nuk është e çarë dhe alkooli ka rrjedhur pasi mjeti është përmbysur.
-Mjeti pasi ka përshkuar rreth 11 m me gomat e krahut të djathtë në bankinë, ka dalë nga rruga e shpatit, pjerrësia e të cilit është mbi 45 gradë. Pasi goma e parë e krahut të djathtë ka dalë nga rruga, mjeti ka pësuar zhvendosje të pjesës së pasme djathtas gjë që shpjegon faktin se përse kemi një degëzim të gjurmëve të këtij krahu.
-Pasi ka ecur rreth 9 metra, mjeti me gjithë pjerrësinë e shpatit ka ndaluar në vendin ku shkurret janë të pa dëmtuara. I ndodhur në këtë pozicion, duke qenë se në të majtë të tij pjerrësia e shpatit është rreth 90 gradë, pasi është skarpata e kanalit kullues të rrugës së varrzave, mjeti ka filluar rrokullisjen.
-Nga zotërimi i kësaj energjie potenciale në momentin e rrotullimit të benzit, mjeti ngrihet përsëri në një lartësi të vogël si rezultat i përplasjes së parë pa pasur mundësi rrotullimi dhe gjatë kohës së kontaktit të dytë me tokën, koka e drejtuesit të mjetit kapet nga dritarja e tavanit ana e djathtë ku kanë mbetur dhe flokët. Ky është dhe momenti fatal ku drejtuesi i mjetit për shkak të mos vendosjes së rripit të sigurimit bën lëvizje në funksion të rrotullimit të mjetit dhe koka e tij bie në kontakt me tehet e mprehta të kësaj dritareje në pjesën e sipërme të kabinës e cila i shkakton dëmtime vdekjeprurëse drejtuesit të mjetit për shkak dhe të peshës së vetë mjetit.
Devijimi në kthesë mund të ketë ndodhur për tejkalim të moderuar të shpejtësisë në lidhje me gjendjen dhe ecurinë vijëpërkulur të rrugës, por akoma mund të hipotizohet që faktorë të panjohur mund t’i kenë dhënë shkak devijimit: Kufizohemi këtu në shënimin e një shqyrtimi të rëndësishëm.
Shekulli


Leave a Reply