Shqiptarët nuk e vizitojnë aq shumë Danimarkën, por ata pak që munden ta shohin, kthehen prej saj si të magjepsur. Është një vend me bukuri përrallore dhe me njerëz që të buzëqeshin ngado, pavarësisht se je i panjohur, pavarësisht se nga vjen. Vetëm kur je në Danimarkë e ndjen se ndodhesh para një mrekullie. Përballja e parë me kryeqytetin ishte një kohë me shi. Pulbardhat, mjelmat dhe rosat fluturonin rrafsh me ujin e pesë liqeneve të Kopenhagenit. Gjithçka dukej e murosur, por ky mot me kohë të keqe nuk mund të fshihte bukuritë magjike të qytetit. Një kompleks ndërtesash qindravjeçare me një arkitekturë krejt të veçantë, me çati metalike dhe kulla të larta mbi ndërtesa, të zbukuruara me ornamente, të ftonte të hyje në botën daneze. Vendasit e ruajnë me shumë fanatizëm gjithçka nga e kaluara, ndërsa të huajt mahniten tek kalojnë tangent në atë pak kohë vizite në një nga qytetet më mbresëlënës të Skandinavisë.
Danezët, më të kënaqurit në botë
Danimarka, ndonëse është një shtet me 5 milion banorë, ka një zhvillim të jashtëzakonshëm.Vetëm 3 % e popullsisë merret me bujqësinë dhe prodhimi i saj është sa për të mbajtur 15 milion banorë. Danimarka ka një vijë bregdetare prej 7000km. Këtu respektohet ligji si në asnjë vend tjetër. 15 % e energjisë elektrike prodhohet nga flugerët e erës, të cilët i shihje ngado. Danimarka mban vendin e dytë pas Kinës për përdorimin e biçikletave. Edhe ministrat shkojnë në punë me biçikleta. Vetë mbretëresha, Margarita e Dytë respektonte rregullat dhe nuk kishte asnjë prioritet në qarkullim rrugor kur kalonte nëper qytet. Danimarka është një shtet social ku shërbimi shëndetësor dhe arsimi janë falas për të gjithë popullsinë . Studenti shqiptar i fakultetit ekonomik, Blerti Minxhozi thotë se këtu aplikohet një sistem taksash të larta per bizneset e fuqishme, të cilat shkojnë deri 67 %, këtu ndiqet politika e Robin Hudit, i cili ua merrte lekët të pasurve dhe ua jepte të varfërve. Në Danimarkë ka rreth 5% përqind të papunë, por kjo nuk do të thotë se ata nuk paguhen. Marrin një asistencë të tillë që jetojnë mirë. Nga sondazhet e fundit që janë bërë, del se danezët janë njerëzit më të kënaqur me jetën. Bëjnë rreth 2-3 herë pushime në vit duke vizituar vende të ndryshme të botës. Në Kopenhagen, në çdo hap që të hedhësh, të shehi syri një bukuri, një vepër arti. Këtu ndodhet ura më e gjatë në botë, 20 km, quhet Strobelt dhe lidh Kopenhagenin me pjesën tjetër të ishullit. Këtu ndodhet shtëpia e Andersenit , Kështjella e Hamletit …E veçantë është se në Danimarkë nuk ka dallime raciale. Vendasit i respektojnë emigrantët, këtë na e thane dy vëllezrit Buzi nga Kallmi i Fierit, por edhe disa kosovarë, të cilët kishin blerë picerinë “Toskana” dhe ishin shumë të kënaqur nga vendasit.
Dielli me së fund i ka çarë retë dhe ka dalë sipër urës së madhe, duke mbushur me reflekse të kuqe të gjithë peizazhin përrreth, duke i dhenë pamjen e një gravure të rrahur në bakër. Duke vizituar Danimarkën ke në dorë një kaleidoskop që në çdo lëvizje të nxjerr një mozaik të veçantë shumëngjyrësh …
Nga Pogradeci në Kopenhagen
Qyteti i vogël i juglindjes, qyteti i liqenit dhe i traditave të lashta, duke sikur ka nxituar të zërë vend përmes fotove në një sallë të Kopenhagenit. Kryebashkiaku Artan Shkëmbi së bashku me ambasadorin Qemal Minxhozi, kanë organizuar diçka speciale vetëm për Pogradecin në ambient prej 220 vendesh. Janë ftuar personalitete të shquar nga Danimarka, madje edhe nga Suedia fqinje. Është realizuar një ekspozitë fotografike me pamje magjike të qytetit të Pogradecit nga fotografi profesionist Ardi Fezollari. Përveç kësaj nga Pogradeci ka ardhur peshku i famshëm i koranit, i cili është gatuar nga një mjeshtër i gatimit të peshkut, Rruzhdi Selko. Më pas është pirë vera artizanale, e prodhuar nga pogradecarët dhe është shfaqur një dokumentar për Pogradecin. Me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve danezë dhe drejtuesish, është kaluar në një darkë të shoqëruar nga serenatat pogradecare të kënduara nga Ermira Babaliu, e cila si vajzë pogradecare kishte ardhur enkas nga Amerika. Gjithçka ka kaluar në formën e një shfaqjeje të këndshme me këngë e valle të Akademisë së Dancit. Për të gjithë të pranishmit është shtruar darka me koran dhe verë pogradeci. Kryetari i Bashkisë u bëri një ekspoze të qytetit të gjithë të pranishmëve. Ai i njohu me vlerat e veçanta turistike që ofron ky qytet, i cili kohët e fundit ka pësuar një ndryshim progresiv dhe tani është i gatshëm për të pritur turistë nga e gjithë bota. Le të shpresojmë se danezët do të jenë frekuentuesit e rregullt të verës Pogradecare.
Dashuri shqiptare
Rreth 100km larg Kopenhagenit jemi ndalur pranë një pylli në një zonë ushtarake dhe fare pranë kësaj zone ndodhet një vilë e bukur e tipit alpin, por kur futesh brenda, aty gjen gjithçka shqiptare, nga sixhadet, pikturat dhe panoramat, një djep i gdhendur dekorativ, deri te rakia shqiptare, të cilën na i serviri Gina dhe bashkëshorti i saj Soren. Jo rastësisht këtu gjithçka është shqiptare. Gina nga ShBA, ka punuar rreth vitit 2000 në zonën veriore në Burrel dhe në Dibër ku është njohur me Sorenin, ish konsullin e ambasadës Daneze në Tiranë. Njohja e tyre ka përfunduar me një dasmë më datën 26 korrik të vitit 2002 në qytetin e Burrelit. Ata kanë vendosur kasetën e dasmës së tyre që kanë zhvilluar në Burrel. Gina me emocion thotë se tek ata njerëz të ndershëm dhe puntorë ne kemi një shtëpi shpirtërore. Ermir Dobiani u ka falur një djep. Bashkëshorti i Ginës, Soren Knuasen, gjeneral, sapo është kthyer nga Afganistani. Ai buzagaz thotë se shqiptarët dhe danezët kanë gjëra të përbashkëta, janë dy popuj të vjetër dhe kanë simbole gjithashtu të vjetra. Shqiptarët kanë shqiponjën me dy krerë, ndërsa danezet kryqin, shqiptarët janë njerëz me humor dhe janë nacionalë, por jo nacionalistë. Në shtëpinë e tyre në një anije me vela, të cilën ua kishin bërë dhuratë në Shqipëri, valvitej flamuri danez dhe flamuri shqiptar. Më pas ata na bënë një suprizë. Pak kilometra më tutje ishte një nga tre lartësitë më te mëdha të Danimarkës, një majë 107 m e lartë dhe quhej maja Kulc ( mali i qymyrit ) ajo majë ekzistonte nga shekulli i 12-të.
Në kështjellën e Hamletit
Vetëm 60 km larg Kopenhagenit ndodhet kështjella e Hamletit. Tragjedia e Shekspirit i vjen vetiu e gjallë çdo vizitori, me skenat dhe ambientet që të ofron kjo kështjellë. I ungji i Hamletit, një vrasës i të atit, i rrëmben të ëmën dhe fronin mbretëror. Këto mure dhe ky oborr i kësaj kështjelle, i dhanë dorë Shekspirit të vizatojë poshtërsinë njerëzore me të gjithë shëmtinë e saj. Në një pikturë murale, Hamleti me një kafkë në dorë. Duket sikur aty dëgjohen fjalët “Të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja”. Duke vizituar ambientet e Kështjellës me sallat mondane me shandanë dhe ornamente të asaj kohe ndien se si gjithçka i jep një pamje madhështore.
Marre nga Arkivi





















Leave a Reply