
Prishtinë, 3 nëntor 2013 – (E plotësuar) Në orën 7.00 të mëngjesit janë hapur qendrat e votimit në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas informacioneve të para, jozyrtare, hapja e qendrave të votimit është bërë me kohë dhe pa pengesa teknike, organizative e të tjera.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili është autoriteti i vetëm për administrimin e procesit zgjedhor, tani është në fazën e grumbullimit të të dhënave lidhur me këtë proces. Sipas planit të punës, KQZ do të publikojë informacionet e para në orën 8:00, në konferencën e parë për media.
Informacione lidhur me procesin zgjedhor do të publikojë edhe koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DNV), i cili do të monitorojë këtë proces, përmes 1600 vëzhguesve të tij, të cilët janë certifikuar nga KQZ.
***
Prishtinë, 3 nëntor 2013 – Sot (e diel), në 39 komuna të Kosovës, mbahen zgjedhjet lokale.
Në listën përfundimtare të votuesve gjenden 1. 779. 357 votues apo 191. 103 votues më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Ata do të zgjedhin të preferuarit e tyre për udhëheqje e përfaqësim në pushtetin lokal midis 103 subjekteve zgjedhore: 33 partive politike, 52 iniciativave qytetare, 16 kandidatëve të pavarur dhe 2 koalicioneve, me gjithsej 7.932 kandidatë për kryetarë të komunave dhe për anëtarë të asambleve komunale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas rekomandimeve të Zyres për Regjistrimin e Partive Politike, ka miratuar pjesëmarrjen në procesin e votimit të 30.173 vëzhguesve. Prej tyre 26.985 janë vëzhgues të subjekteve zgjedhore, 2.670 janë vëzhgues të shoqëerisë civile e të medies, kurse 518 janë vëzhgues të ambasadave, përfaqësive dhe organizatave ndërkombëtare.
Zgjedhjet mbahen pas fushatës njëmujore parazgjedhore. Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, e cila e ka monitoruar këtë fushatë, ka vlerësuar se ajo ka qenë përgjithësisht e qetë dhe pa ndonjë incident serioz. Përjashtim bëjnë katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku, krahas fushatës zgjedhore është organizuar edhe fushatë për bojkotimin e zgjedhjeve. Në këto komuna kanë ndodhur edhe disa incidente serioze, përfshirë kërcënime, frikësime, sulme fizike dhe vënie të mjeteve shpërthyese, të cilat kanë çuar në tërheqjen e disa kandidatëve për t’u zgjedhur.
Prokurorët e shtetit, në kuadër të detyrimeve të tyre ligjore, kanë pranuar 21 lëndë lidhur dyshimet për kryerjen e veprave penale të dënueshme me Kodin Penal të Kosovës.
Zgjedhjet e sotme lokale konsiderohen si zgjedhjet më të rëndësishme në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pasi ato organizohen për herë të parë në gjithë territorin e Kosovës. Organizimi i tyre në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit bëhet pas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, të arritur në Bruksel, në negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas marrëveshjes, pas këtyre zgjedhjeve në Kosovë do të krijohet asociacioni i komunave serbe, i cili do të përkujdeset për mbrojtjen e interesave të serbëve lokalë dhe të interesave të Serbisë në Kosovë.
Këto zgjedhje konsiderohen edhe si test për institucionet shtetërore, partitë politike dhe shoqërinë civile në Kosovë. Ato pritet të tregojnë nivelin e përmbushjes së standardeve të zgjeëdhjeve të lira e të ndershme. Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeveve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian kanë bërë të qartë se këto zgjedhje do të jenë provë e rëndësishme për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe për liveralizimin e vizave. (r.m.)
illyriapress.com
Per”Alba – DAnsk” Shkodrani


Leave a Reply