Në Kosovë, sot mbahen zgjedhjet për pushtetin komunal të parat në të cilat do të përfshihen edhe komunat veriore të saj të banuara me shumicë serbe.
Në orën shtatë ka filluar hapja e 798 qendrave të votimit në 38 komuna të Kosovës e cila sot mban zgjedhjet për pushtetin komunal, të parat në të cilët do të marrin pjesë edhe pjesëtarët e komunitetit serb në veriun e Kosovës. Mbi 2 mijë vendvotime do të jenë të hapura deri në orën 19, ndërsa të drejtën e votës mund ta shfrytëzojnë mbi një milion e 700 mijë qytetarë.
Gjithsej 224 veta konkurrojnë për kryetarë komunash dhe sipas sistemit zgjedhor këtë post në rrethin e parë e fiton ai që siguron 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota. Mbi 7 mijë kandidatë konkurrojnë për vendet e deputetëve të kuvendeve komunale.
Mbi 30 mijë vëzhgues të vendit por edhe nga bota janë regjistruar për të vëzhguar zgjedhjet e sotme, organizimi i të cilave lehtësohet nga Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.
Autoritetet thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet që procesi të shkojë si duhet, ndërsa policia është zotuar se do të krijojë mjedis të qetë e të sigurt për votimet e sotme dhe për këtë arsye ajo ka angazhuar mbi 5 mijë e 500 pjesëtarë të saj që do të kujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Nga gjithsej 103 subjekte politike sa janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje, 33 syresh janë nga radhët e komunitetit serb.
Autoritetet vendase thonë se këto zgjedhje janë të rëndësishme për qytetarët Kosovës, tërësinë e saj tokësore ndërsa vënë në sprovë edhe shkallën e demokracisë në vend. Ato besojnë se rrjedha e tyre do të ketë ndikim edhe në çuarjen përpara të aspiratave të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.
Çështja e votës së lirë është diskutuar edhe nga përfaqësuesit diplomatik në Kosovë të cilët kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për keqpërdorimin e saj do të ketë pasoja të rënda për realizimin e këtyre aspiratave.
Thirrjet për zgjedhje të lira janë shtuar me afrimin e ditës së mbajtjes së tyre, pasi që rrjedha e zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2010 kishte nxitur shumë reagime për shkak të parregullsive gjatë votimeve që sipas vëzhguesve e kanë dëmtuar rëndë besimin në proceset demokratike.
Sfida më e madhe e ditës së sotme vlerësohet rrjedha e zgjedhjeve në komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Përfshirja e tyre në këto zgjedhje ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Një pjesë e përfaqësuesve serbë nuk pajtohet me përfshirjen në votime, meqë kjo do të nënkuptonte përfshirje në institucionet e shtetit të Kosovës që ata nuk i njohin dhe nuk i pranojnë. Disa incidente kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit të drejtuara kundër kandidatëve të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në votime.
Një studim i opinionit publik i kryer nga Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara në veriun e Kosovës tregon se 16 për qind e qytetarëve të anketuar në atë zonë kanë deklaruar se do të marrin pjesë në votime.
Beogradi zyrtar u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në zgjedhje pas të cilave do të krijohet bashkësia e komunave serbe që sipas tyre është lidhja e ligjshme dhe e njohur ndërkombëtarisht e serbëve të Kosovës me Beogradin.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – DAnsk” Shkodrani
Leave a Reply