Është dita e parë e vitit të ri shkollor të mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe në Kantonin Jura. Fëmijët fillestarë, nxënës të rinj në ditën e parë të shkollës kishin ardhur të shoqëruar me gjyshërit, me prindërit, disa prej tyre kishin qenë nxënës të shkollës shqipe. Secili do të ndjehej i lumtur se gjuha shqipe e folur dhe e shkruar po përcillet brez pas brezi nga shqiptarët larg atdheut. Prindër që e duan shqipen, që janë shumë të ndërgjegjshëm që fëmijët e tyre duhet të mësojnë gjuhën shqipe. Është një dëshirë edhe për mësuesen që këta fëmijë të arrijnë të lexojnë dhe të shkruajnë në atë shkallë që duam.
Ora 13.30… mësimi shqip zhvillohet në godinën e shkollës, në Delemont. Një ditë e një orë e zakonshme për mësuesen. Për nxënësit është një ditë e shënuar, një orë e madhe e jetës. Që nga kjo ditë e parë, në bankat e bukura të klasës së gjuhës shqipe do të hapet një botë tjetër, një dritare e madhe nga ku shihet me zë dhe me shpirt Atdheu. U shpërndahet të gjithëve libri i parë që do të mësojnë gjuhën shqipe, gëzimi i tyre u shtua. Të dashur fëmijë me abetare fillon gjuha jonë e bukur.
Këtë vit mësimin shqip e vijojnë 83, të ndarë në 6 klasë, nxënës fillestarë 15: Amisa Mushkolaj, Alisa Morina, Adea Kuqi, Erëza dhe Kosovare Qeli, Blerta Neziri, Denis Lekaj, Enea Ajeti, Endi Tolaj, Elona Ramadani, Era Thaçi, Olti Hoxha,Florian Seferi, Medina Dërrmaku, Toni Hajdini.
Për krijimin e reportazhit janë zgjedhur bisedat me fëmijët e kësaj klase. Në vazhdim, disa prej tyre ashtu siç folën, me ndonjë ndërhyrje të vogël redaktimi.
Si e ke emrin? Amisa Mushkolaj
Çfarë klase je? Të parën. Si quhet babi yt? Isa. Po nëna? Shqiponjë.
E di pse ke ardhur në shkollën shqipe? Po. Unë di të flas shqip,
por dua të mësoj edhe të shkruaj dhe të lexoj shqip.
Si quhesh? Alisa Morina
Sa vjeçe je? I kam 9. Si quhet babi yt? Lintor
Po nëna jote si e ka emrin? Besjana.
A të pëlqen gjuha shqipe. Po shumë. Kam qejf të di më shumë shqip, të shkruaj dhe të lexoj.
Si e ke emrin? Florian Seferi
Sa vjeç je? Kam 6 vjet. Si quhet babi? Sami. Nëna si quhet? Stephanie.
Çfarë gjuhe flet në shtëpi? Me mamin flas gjermanisht.
Me babin shqip. Në shkollë mësoj frëngjisht. A të pëlqen gjuha shqipe? Po.
Si quhesh? Olti Hoxha
Sa vjeç je? 6-të
Nga je? Prej Peje dhe prej Prishtinës.
Babi është nga Peja dhe mami nga Prishtina.
Si quhet babi? Besim. E nëna Ariana.
Pse do të mësosh gjuhën shqipe? Kur të shkoj në Kosovë me fol me gjyshen dhe dajën.
Si quhesh? Endi Tolaj
Sa vjeç je? Veç 6.
Si quhet babi? Dervish.
Po nëna? Valbona
Pse ke ardhur në shkollën shqipe.
Të mësoj shqip, të flas me mirë me babin dhe me mamin.
Si quhesh? Denis Lekaj
Në cilën klasë jetë 3-tën.
A të duket gjuha shqipe e vështirë? Pak.
Si quhet babi yt? Mentor. E nëna jote si quhet? Kreshnike.
Pse dëshiron të mësosh shqipen? Sepse jam shqiptar.
Nuk dua ta harroj gjuhën shqipe se është e jona.
Quhem Eliesa Xhaçku
Jam nxënëse në shkollën shqipe në Delemont
prej tri vjetësh. Në fillim kisha vështirësi të flas shqip.
Por tash di të shkruaj të lexoj të recitoj dhe të këndoj shqip.
Rruga drejt gjuhës shqipe nuk është krejtësisht pa pengesa. Disa prindër banojnë larg pikave shkollore, janë të zënë me punë dhe nuk kanë mundësi të sjellin fëmijët në mësimin e gjuhës shqipe. Disa prindër nuk flasin shqip me fëmijë në familje, as fjalën shqip nuk duan t`ua mësojnë bijve e bijave. S’ka gjë më të keqe kur një njeri mohon origjinën e tij, dhe aq më tepër gjuhën dhe kulturën. Disa prindër as që lodhen t`u thonë fëmijëve shkoni në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, se shkolla për ta është hapur.
/Albinfo/ Shekulli Pnline/ E.L./
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply