Nga Kastriot BezatiFrashëri, vendlindja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, ka qenë dhe është kryeqendra e Dangëllisë. Emrin e tij, fshati, Frashëri, e ka marrë nga pema pyjore “Frashër”, ndërsa krahina, Dangëllia, e ka marër emrin nga fjala turke “Dag-ili”, që do të thotë “Malësi”, – ka shkruar Sami Frashëri. Emrin krahinës ia dhanë osmanët në fillim të shekullit XVII. Më parë, në shekullin XIV, krahina quhej “Malakas” dhe qendra e saj ishte fshati “Malakas”, i cili ndodhej jo shumë larg Frashërit, në shpatin perëndimor të malit Radomir, – thotë Kristo Frashëri. Emërtimi turqisht “Dangëlli” është një përkthim i emrit “Malakas”, që në rrënjë ka fjalën shqipe “Mal” në kuptimin “Malësi”.
Dangëllia, si hapësirë gjeografike, në ecurinë historike ka ndryshuar, herë ka pasur më shumë dhe herë ka pasur më pak fshatra, si përshembull: më 1850 përfshinte 48 fshatra, më 1896–28, në vitet ’40 të shekullit XX kishte 22, ndërsa sot Komuna e Frashërit ka 12 fshatra: Frashëri, Miçani, Zavalani, Gostivishti, Ogreni, Kreshova, Vërçishti, Gostomicka, Suropulli, Koblara, Kostreci dhe Selenica.
Frashëri ngrihet rrëzë malit të Kokojkës, 1030 metra mbi nivelin e detit, me hapësirë relievi 15.5 km2. Frashëri, përmendet për herë të parë si vendbanim në Regjistrin ixhmal të Vilajetit të Përmetit dhe të Korçës, hartuar në vitet 1431-1432, me emrin Fraxhili, ndërsa ashtu si e shqiptojmë sot, Frashëri, del për herë të parë në vitin 1506, në Defterin mufasal të Vlorës. Popullsia: më 1431 – 12 shtëpi, më 1506 – 41, më 1583 – 58 shtëpi. Në mesin e shekullit XX kishte 22 lagje dhe një treg prej 20 dyqanesh. Në këto vite kishte jo më pak se 300 shtëpi, sipas historianit Kristo Frashëri, dhe jo më shumë se 350 shtëpi sipas shtetarit Medi Frashëri. Ishte “një qytet i vogël malor”, – shkruan Sami Frashëri në veprën e tij Kamus-ul-Alam. Lagjet: Sulejmanbellinjtë, Dukollarët ose Dulellarët, Skënderajt, Lahçenjtë ose Haxhillarët, Velibellarët, Kasollarët, Dhamellarët, Karafilbejtë, Cërrasit, Bakasit, Vilakët, Lopësit, Begmeçasit apo Begasit, Qyrasit, Arapasit, Aliçkasit apo Çokllarët, Liçollarët, Rasetasit, Kisha apo Ninkat, Panollarët, Çobenët dhe Beçllarët. Më 1912 ishte rreth 1180 banorë. U dogj tërësisht më 6 maj 1914 nga okupacioni i Greqisë. Më 1923 kishte 302 banorë, më 1990 – 91 familje me 432 banorë dhe më 2009 kishte 53 familje me 186 banorë. Më 2008 si komunë kishte 1555 banorë. Sot, më 22.07. 2012, fshati ka realisht 7 shtëpi me 32 banorë, shumë më pak seç kishte në shekullin XV.
Dulellarët apo Dukollaret
Dukollarët apo Dulellaret janë vendas apo të ardhur në Frashër? Të dy këto mendime janë të ngritura dhe të parashtruara në punimet e botuara historike si dhe në publicistikë e masmedia. Idea se janë të ardhur është sjellë nga Mit’hat Frashëri në jetëshkrimin e Naim Frashërit, Sofie, 1901, botuar me emrin Mali Kokojka, ndërsa ideja se janë autoktonë është mbrojtur më 1982 nga Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982, dhe, sidomos, nga Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”, Tiranë, 1984.
“Bejlerët e Frashërit rrjedhin nga një i quajtur Ajaz Bej dhe tani përbëhen nga 40 – 50 shtëpi”, – shkruan Sami Frashëri në veprën “Kamus ul Alam”, Vëll. V, Istanbul, 1896. Ajaz Beu,- vazhdon më tej Sami Frashëri, – është nga Tomorica, të cilin Porta e Lartë e internoi familjarisht nga Tomorica në Stanimakë, sot Asenovgradi i Bullgarisë. Kur u bë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane Mehmet Pashë Qypriliu nga Roshniku i Beratit, i cili qeverisi në hapësirën e viteve 1656 – 1661, familja e Ajaz Beut u lejua të kthehej ne Shqipëri duke iu dhënë si timar Frashëri në Dangëlli dhe disa fshatra në Myzeqe dhe, fëmijët e Ajazit, zgjodhën si vëndbanim Frashërin e Përmetit. Këto thotë Sami Frashëri dhe nuk thotë që familja e Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, e ka prejardhjen nga Ajaz Beu i Tomoricës. Edhe në autobiografinë e vet, botuar në “Serveti Funun”, Istanbul, 19.06.1896, edhe kur trajtoi biografinë e vëllait të madh, të Abdyl Frashërit, Kamus ul Alam, Istanbul, Vell.V, 1896, Sami Frashëri nuk thotë se familja e tij rridhte nga Ajaz Beu i Tomoricës, – thotë Kristo Frashëri.
Mit’hat Frashëri, në jetëshkrimin mbi Naim Frashërin, Sofie, 1901, shkruan: “Më 1570 Hamza Beu, i pari i Tomoricës, desh të shtojë urdhërin e tij dhe të marrë në mproje Skraparin, Oparin, Vërçën …U zu i gjallë dhe me gjithë fëmijë u dërgua në Stanimakë, ku ndenji 70 vjet. Më 1656 në kohën e Mehmet Pashë Qypriliut, kushëri i tyre, u fal Ajaz Beu, i nipi i Hamzait dhe ju dha në mprojë Frashëri, Mërtinja, Xhanjani, Topojani dhe në Vlorë Kudhësi, Armeja dhe ca fshatra në Myzeqe, po Ajazi pëlqeu Frashërin për të ndënjur se është vënd i fortë. Kur erdhi Ajazi në Frashër atje gjeti fëmijë parësie: Aliçkajt, Cërasit, Bregasit dhe Bakasit”. Më tej Mit’hat Frashëri shkruan se nga fisi i Ajaz Beut e kane prejardhjen edhe Dulellarët e Frashërit.
“Ky pohim, i cili është marrë në fakt nga mjaft studimtarë, nuk është i saktë”, – shkruan Kristo Frashëri në librin “Abdyl Frashëri”. “Nuk del që Dakollarët , siç quhen Vëllezërit Frashëri të jenë pasardhës të Ajaz Beut … Një bej i shek XIX, ndofta i frashëriotit Tahir Nasibiu, që jetoi përpara Naimit, me Ajazin lidh vetëm dy familje të Frashërit, Sulejmanbellinjtë e Vilakët”, – thotë Dhimitër Shuteriqi në librin “Naim Frashëri”. Tahir Skënderasit i referohet ndër të tjera edhe Kristo Frashëri, i cili shkruan: “Në një poemë shqipe kushtuar Frashërit prej 82 katrorësh (328 vargje) që la në dorshkrim Tahir Skënderi apo Tahir Dedej, një frashërlli i kulturuar nga lagjja Skënderas, i cili vdiq më 1834, … poema që ne sot kemi në dorë katër katrorë, në njërin nga të cilët trajtohen si familje të ardhura nga Stanimaka vetëm Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët”. Vite më vonë, në librin “Frashëri – Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, Tiranë, 2010, Kristo Frashëri shkruan: ”Emrin e Ajaz Beut nga Frasheri … e ndeshim në Kodeksin e Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë. Aty thuhet tekstualisht se: “1728: në kohën e igumenit Niqifor, Bondua, biri i Ajaz Beut nga Frashëri, vrau Theodor Paskalin nga Voskopoja në çifligun e tij në Barç” dhe, ndër të tjera, po në këtë kodik, thuhet ”1731: sulltan Mahmuti .. vrau Ajaz Beun nga Frashëri dhe Bondon”. Të dhënat e këtij kodiku flasin se nuk është viti 1650 viti i largimit të Ajaz Beut nga Stanimaka e vendosja e tij në Frashër, nuk është koha e Mehmet Pashë Qypriliut por koha e Veziratit të Qyprilinjëve, e cila vazhdoi deri më 1735: pas Mehmet Qypriliut, i cili e mori mbiemrin “Qyprili” nga qyteza “Qypry” në zëmër të Anadollit, kemi: Fazil Ahmet Pasha (1661-1676), Kara Mustafa Pasha (1676-1683), Fazil Mustafa Qypriliu (1689-1691), Hysen Qypriliu (1697-1702), Numan Qypriliu (1710-1711) dhe Abdullah Qypriliu (1723-1735).
Kristo Frashëri dhe Dhimitër Shuteriqi, nisur kryesisht nga shkrimet e Sami Frashërit në “Kamus ul Alam” dhe “Serveti Funun”, nga vargjet e poemës së Tahir Nasibiut kushtuar Frashërit dhe nga të dhënat e Kodikut të Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë, konkludojnë se Vëllezërit Frashëri nuk janë me prejardhje nga Ajaz Beu i Tomoricës por bij të mëdhenj të familjes autoktone të Dukollarëve apo Dulellarëve të Frashërit të Përmetit.
Prindërit e Vëllezërve Frashëri
Shënimet gjenealogjike të famijes së Dulellarëve, të cilat të mikrofilmuara ndodhen në Institutin e Historisë në Tiranë, shkojnë deri te Beqiri, katragjyshi i Vëllezërve Frashëri, i cili ka jetuar në shekullin XVIII. Studiuesi turk A.S.Levend, në librin “Semsettin Sami”, Ankara, 1969, thotë se ai ka qenë spahi, por nuk thotë se ku ndodhej timari i Beqirit. Djali i parë i Beqirit ishte Fejzullahu, i cili në fshat thirrej shkurtimisht Duko, ndaj dhe fëmijët e tij u quajtën Dukollarë. Djali i tij i dyte ishte Muhtari, i cili thirrej në fshat me emrin Tare dhe fëmijët e tij u quajtën Tarenj. Studiuesi, Alfred Frashëri, në librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007, thotë se Beqiri kishte edhe tre djem të tjerë, që ishin: Kajmaku, Jakupi dhe Mahmuti. Fejzullahu, sipas traditës gojore, kishte një djalë, që u quajt Abdullah Hysni, shkurtimisht Dule, i cili pati dy djem, Halitin dhe Durmishin, – shkruan Kristo Frashëri. Familja që krijoi Halit Frashëri u njoh në Frashër me emrin e Dules – familja e Dulellarëve, kurse pasardhesit e Durmish Frashërit ruajtën emrin e mëparshëm, vazhduan të thëriteshin familja e Dukollarëve, ashtu si thirreshin më parë edhe fëmijët e pasardhësit e Fejzullahut.
Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Abdulla Hysni, Dulja, u vendos me familje në Janinë, ku më 1797 lindi Haliti dhe më 1801 Durmishi. Dy vëllezërit pas disa vitesh u kthyen në Frashër. Haliti në vitet ’20 të shekullit XIX hyri në shërbim të Mehmed Reshid Pashës me detyrën e serçeshmes, intedentit, ndihmës i serqedes, komandant i reparteve bashibozuke, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. III, 1891. Me këtë detyrë ai mori pjesë, nën urdhërat e Mehmd Reshidit, më 1824, në luftimet që u zhvilluan në territorin grek ku edhe u plagos, – vazhdon Sami Frashëri dhe më tej, Sami Frashëri, thotë se i ati, Halidi, tregoi simpati për reformat centralizuese osmane dhe përkrahu Mehmed Reshid Pashën për t’i zbatuar këto reforma në Shqipëri. Halidi nuk u bë oficer i karrierës por mbeti i lidhur pas ofiqit të serçeshmes, që e detyronte të shkonte në luftë me harxhe sa herë e thërriste Porta e Lartë. Më 1854, ai shkoi me harxhe në Thesali, ku mori me vete edhe djalin e madh, Abdylin, dhe, tre vjet më vonë, më 1857, Halidi u nis së bashku me Abdylin në Janinë, ku dhe u nda nga jeta më 19 janar 1859.
Halitit, gruaja e parë nuk i dha asnjë fëmijë dhe, me vdekjen e saj, u martua me Eminenë nga familja përmetare e Mirahorëve që banonte në Korçë. Emineja lindi në Korçë më 3 maj 1814. I ati i saj, Islam Mirahori, ishte biri i Hysen Mirahorit, i cili i takonte brezit te dhjete pasardhës te Iljaz Bej Mirahorit, dhëndrit të Sulltan Mehmetit I, themeluesit të qytetit të Korçës. E ëma e Eminese, Zymbylja, ishte e bija e Mehmet Pashë Plasës, edhe ky pesonalitet i trevës së Korçës, në shek. XIX. Iljazi u lind në hapësirën e viteve 1408 – 1420 në fshatin Panarit, i cili në atë kohë bënte pjesë në Kazanë e Përmetit. U muar peng nga Murati II, sulltan në vitet 1421 – 1451. U martua si cilësuam me të bijën e sulltan Mehmetit II, 1430-1481, i cili hipi në fron më 1451 pas vdekjes së të atit Muratit II. Iljaz Mirahori luftoi për marrjen nga turqit të Konstandinopojës më 29 maj 1453. Në kohën e mbretërimit të Bajazitit II, 1481 – 1512, u emërua sanxhakbej i Janinës. U kthye në Korçe më 1484 dhe, në periudhën midis viteve 1484 – 1495, iu dhanë si pronë private nga Sulltan Bajaziti II disa fshatra, si: Panariti, Trebicka, Treska, Vodica, Stratobërdha të Kazasë së Përmetit dhe Leshnja, Vithkuqi, Boboshtica të Kazasë së Korçës, shkruan historiani Ferid Duka, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëll.II, 2008. Më pas në vënd të Treskës dhe Panaritit iu dha nga sulltani fshati Peskopje dhe, me marrjen në pronësi të këtij fshati, si dhe te fshatit më të vogël Gjoricë, të cilët ndaheshin nga ujërat e lumit të Moravës, në relievin e këtyre fshatrave, sidomos të fshatit Peskopje, në vitet 1494 – 1496, hodhi themelet dhe filloi ndërtimin e qytetit te Korçës. Iljaz bej Mirahori ndërtoi xhaminë, tyrben, hane, hamame, imaretin, pazarin dhe hapi institucionin arsimor me veprimtari fetare e shkencore – Medresenë e Korçës. Qyteti i Korçës është themeluar dhe ndërtuar nga Iljaz Bej Mirahori në periudhën e Sulltan Bajazitit II, – shkruan Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Istanbul, Vëll. V, 1896. Iljaz bej Mirahori vdiq më 1512, ndërsa stërmbersa e tij, Emine Mirahori, gruaja e Halid Frashërit, u nda nga jeta në Frasher më 28 prill 1861.
Emine dhe Halit Frashëri patën tetë fëmijë: gjashtë djem e dy vajza dhe të gjithë lindën në Frashër. Djali i parë lindi më 29 gusht 1839 dhe i vunë emrin e gjyshit, Abdullah Hysni, por në fshat u thir shkurtimisht Abdyl, kurse në familje akoma më shkurtimisht Dule. U nda nga jeta më 23 tetor 1892 në Stamboll. Dy vjet më vonë, më 1841, lindi fëmija e dytë, një vajzë, të cilën e quajtën Nefise. Më 13 dhjetor 1843 lindi Sherifi, i cili u nda shpej nga jeta, më 8 maj 1874 në Janinë. Më 25 maj 1846, Emineja lindi dy binjakë, njëri nga të cilët vdiq në shpergënj, ndërsa tjetri, që ishte gjithashtu i dobët, i vunë një emër ogurmirë, e quajtën Naim, që në arabisht do të thotë i fuqishëm, i cili u nda nga jeta më 20 tetor 1900 në Stamboll. Fëmija i pestë lindi më 1848, ishte vajzë dhe i vunë emrin Shahnisha, e cila jetoi vetëm 23 vjet, u nda nga jeta më 1871. Samiu ishte fëmija i gjashtë, lindi më 1 qershor 1850 dhe u nda nga jeta në Stamboll më 18 qershor 1904. Tre vjet më vonë, më 27 janar 1853 lindi Tahsini, i cili jetoi sa Shanishaja, 23 vjet, u nda nga jeta në Janinë më 23 prill 1876. Fëmija i fundit, djali i gjashtë, ishte Mehmeti, u lind më 26 tetor 1856 dhe u nda nga jeta në Tiranë më 21 dhjetor 1918.
Shtëpia e Halit Frashërit ndodhej në shpatin e Kokojkës, në mes të fshatit, në lagjen Dulellarë. U rënua më 1892. U ringrit mbi themelet sipas projektit të hartuar nga Xhovalin Kroqi dhe u kthye në muze memorial kushtuar vëllezërve Frashëri më 16 qershor 1974. Ishin te pranishëm në këtë ditë të përurimit, ndër shumë të tjerë, edhe mbesa e Naimit, Naime Rusi, si dhe nipi i Samiut, Emin Ereri. Shtëpia është me dy kate, ndërtuar me gurë të zinj dhe çati me rasa guri. Ka dhjetë dhoma. Përbëhet nga dy korridore me përmasa të mëdha, në çdo kat janë nga tre dhoma të rreshtuara në vijë të drejtë në të majtë kur hyn në ndërtesë, nga një dhomë si poshtë e lart përballë hyrjes e në tërë gjerësinë e korridorit dhe e pesta e katit të parë dhe e dhjeta e katit të dytë, ndodhen në të djathtë kur hyn në shtëpi e ngjitur me fasadën e ndërtesës. Nga kati i parë në të dytin ngjitesh nëpërmjet shkallëve të drunjta me parmak. Përballë shtëpisë, mbi podiume, lartësohen pranë njëri tjetrit ashtu si kanë qënë në jetë, me vështrim nga fshati e lindja e diellit dhe me shpinë nga mali i Kokojkës, bustet e tre vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, punime të skulptorit të madh, përmetarit Odise Paskali.
Të pathënat e familjes së Abdyl Frashërit
Nga Kastriot Bezati
Familja e Abdylit dhe Ballkëze Frashërit
Abdyli, deri sa u bë 18 vjeç, e kaloi jetën në Frashër. Më 1857 shkoi në Janinë, ku jetoi më tepër se 20 vjet. “Kur ishte 18 vjeç, me vdekjen e të atit, Abdyli mbeti kryetar i një familje me shumë frymë. Me preokupimin për mbajtjen e familjes së madhe …, u mor me sipërmarrje të dhjetash, të taksës mbi bagëtinë e të taksave të tjera dhe, pas dy vjetëve, pasi i vdiq edhe e ëma, për të siguruar arsimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël, e la vendlindjen dhe e transferoi krejt familjen në Janinë. Aty ndërsa kryente punën e tij si nëpunës dhe qeverisjen e shtëpisë, natën me vëllezërit në mënyrë bashkëmësimi me ta ka nxënë arabisht, persisht, frëngjisht e greqisht dhe fillimet e diturisë e të shkencave” – thotë Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll. V, Istanbul, 1896. Abdyli, më 1865, tërhoqi familjen në Janinë, ku me përjashtim të vëllait të dytë, Sherifit, i cili e ndërpreu shkollën, ndoshta për t’i ardhur në ndihmë financiarisht familjes shumëfrymëshe, të tjerët, Naimi, Samiu, Tahsimi dhe Mehmeti, e filluan dhe e mbaruan gjimnazin “Zosimea”.
Abdyli u martua në moshën 35 vjeç, më 1874, “pasi vëllezërit e tij i mbaruan studimet”, – thotë vëllai i tij, Sami Frashëri. U fejua dhe pastaj u martua me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Frashërit nga familja e Lahçenjëve dhe të Xhenfize Çokut nga familja e Çokllarëve, të cilët quheshin ndryshe edhe Aliçkas. Në atë kohë Ballkëzi banonte pranë të atit, i cili ishte ushtarak i karrierës, në Janinë. Ishte motra e vetme e pesë vëllezërve, Mehmetit, Xhaferit, Fuatit, Sabriut dhe Qazimit, – thotë studiuesi Alfred Frashëri.
Abdyli u shqua si personalitet politik qysh më 1877 dhe, gjatë këtij viti, zgjidhet kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, deputet i Vilajetit të Janinës në Parlamentin II Osman dhe kryetar i Komitetit Shqiptar të Stambollit. Në vitet 1878 – 1881, Abdyli, ngrihet në lartesitë e një burri të madh shteti, është udhëheqës, ideolog, politikan, diplomat, organizator, veprimtar dhe orator i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Abdyli, nisur nga fotografitë, kishte një trup mbi mesataren, me një portret të gdhendur nga vetëtimat e gjëmimet e historisë, me vështrim të përqendruar në hallet e popullit dhe lirinë e Shqipërisë. “Kujtohem shumë herë me trishtim për Abdyl Frashërin. Një hop kohe e kam parë në jetën time: po përgjithnjë e gjallë është në trutë e mija fytyra e tij … mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë, i jepnin Abdyl beut një hije me të vërtetë madhështore; po sytë – dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve edhe forcën e çelikut – dëftenin më shumë, gjithë flagën, gjithë fuqinë e këtij burri. Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në atë ditë të lumtur për mua, fjalët që dilnin si një zjarr i qërur nga goja e tij. Po ndjeja se ato fjalë ishin të drejta e të larta, ndjeja se ishin për të mirën tonë, për të mirën tënde e për të mirën time, për të mirën e të gjithë shqiptarëve … Shumë ditë më rrëkëllenin në mëndje fjalët e margaritarta që kisha dëgjuar … me trishtim, mendohem sa ka vuajtur ndofta, një i tillë burrë të rronjë e të japë shpirt larg Shqipërisë”, – shkruante Faik Konica më 1898, Efthim Dodona në “Kuvënde Shkencore në Frashër”, Tiranë, 2010.
Ballkëzia, e shoqja e Abdylit, lindi gjashtë fëmijë, nga të cilët djali i parë lindi më 1874 dhe, u quajt sipas emrit të gjyshit, Halid, vdiq shpejt, ndërsa djali i dytë, i cili lindi më 1876 dhe u quajt gjithashtu Halid, jetoi pak më gjatë por dhe ai vdiq fëmijë. Nga pesë djem dhe një vajzë që i lindën, Abdylit dhe Ballkëzit, vetëm djali i tretë, Mit’hati, dhe vajza e vetme, që u quajt sipas emrit të gjyshes, Emineja, jetuan. Dy djemtë e tjerë, që të dy me emrin Feridun, vdiqën njëri pas tjetrit që kur qenë fëmijë, – ka shkruar Kristo Frashëri.
Mit’hat Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Veprimtar politik, shkrimtar, publicist, përkthyes, i njohur me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Në korrik 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928 botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, që doli në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, 14-22.11, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënëshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emrua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920. Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. Në vitet e pushtimit fashist “themeloi e drejtoi organizatën e “Ballit Kombëtar”, që bashkëpunoi me pushtuesit gjermanë”, – thuhet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Vëll.I, 2008. Në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mit’hati nuk u martua. U nda nga jeta më 03.10.1949, në hotelin “Ëinthrop” të Nju Jorkut dhe u varros në varrezat “Fernchff” të SHBA. Eshtë dekoruar me Urdhërin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Vajza e Abdylit, Emineja ose Mimika, siç e therriste i vellai, Mit’hati, u martua ne Fier me Kahreman Vrionin, 1889 – 1955, djalin e Omar pashe Vrionit, 1839-1928. Vrionasit shfaqen në jetën politike e shoqërore të Beratit në shek. XVII, por nga viti 1854 del një degëzimi i tyre edhe në Fier. Nisur nga “libri i bukur i zotit Teki Selenica”, si thotë më 1928 Norbert Jokli, “Shqipëria më 1927”, Tiranë, 1928, edhe në se nuk mund të jesh i mendimit se ky qytet është themeluar nga familja e Kahreman pashë Vrionit, mund të mendosh se qyteti i Fierit është zhvilluar apo rindërtuar nga Vrionasit, nga familja apo trungu familjar i Kahremanit, dhëndrit të Abdyl Frashërit.
Emineja kishte tre vajza, Selmanë, Lilinë dhe Lulunë, – më ka thënë më 18.07.1972 Bele Myteveliu, mbesë, si e konsideronte veten ajo, në familjen e Vëllezërve Frashëri. Lili u martua me Shadan Toptanin, ndërsa Luluja me një shqiptar në SHBA, i cili nga disa të dhëna jo shumë të sakta, quhej Nexhmi. Selmaja, 1915-1995, u martua më 1936 me Tajar Zavalanin, djalin e Fehim bej Zavalanit dhe të Qerime Frashërit. Qerimeja ishte motra e atdhetareve Sabri e Shefqet Frashërit, nga të cilët ky i dyti ishte delegat në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 si delegat i Klubit të Korçës.
Dhëndri i Eminesë, Tajari, lindur më 1903 në Manastir dhe martuar më 1936 me Selmanë, kishte një motër dhe tre vëllezër, Adilenë, Asimin, Hysenin dhe Dalipin. Tajari ishte veprimtar politik, historian, publicist. U emërua sekretar i Komisionit Ndërkombëtar për Caktimin e Kufijve më 1923, anëtar i Shoqërisë “Bashkimi”, pjesëmarrës në Revolucinin e Qershorit 1924 dhe, po atë vit, sekretar i Legatës Shqiptare në Romë. Më 1925 shkoi në BS, më 1930 në Berlin ku bashkëpunoi me Fan Nolin në KONARE, më 1933 vjen në Shqipëri, pjesëmarrës në Grupin Komunist të “Të Rinjëve”, më 1940 vendoset në Londër dhe fillon punë në Seksionin e gjuhës shqipe të BBC. Bashkëpunoi me A.Zogun e me Komitetin “Shqipëria e Lirë” në SHBA, me F.Nolin e Federatën “Vatra”, ishte ndër të tjera edhe sekretari i përgjithshëm i klubit të shkrimtarëve antikomunit i quajtur “Pen Club”. Eshtë përkthyesi në gjuhën shqipe i romanit “Nëna” të Maksim Gorkit dhe autori i veprës në dy vellime “Historia e Shqipërisë”, Londër, 1957 dhe 1966. Vdiq më 19.08.1966 në Londër. Eshtë dekoruar më 16.10.1995 me Urdhrin “Naim Frashëri” Klasit I.
Vjehrri i Selmasë, krushku i Eminesë, Fehimi, është një ndër themeluesit e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”, kryetar i Klubit “Bashkimi” të Manastirit, drejtuesi i gazetës “Bashkimi i Kombit” e më pas “Drita”, një ndër organizatorët kryesorë të thirrjes së Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe më 1908. U nda nga jeta më 1935. Eshtë dekoruar më 21.11.2002 me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.
Emineja, vajza e Abdylit, nga jeta jo e mirë që bënte, u nda nga i shoqi, Kahremani, dhe shkoi në Stamboll, ku punoi edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtëme të Turqisë, – shkruajnë vëllezërit Alfred dhe Neki Frashëri në librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007.
Abdyli u kap më 27 prill 1881 në afërsi të fshatit Buqës, jo shumë larg Elbasanit. U gjykua në Prizren nga një Këshill Lufte i Portës së Lartë dhe u dënua me vdekje, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm. U burgos më 10 maj 1881 në Kalanë e Prizrenit dhe dolli më 19 ose më 31 maj 1884. U internua në Anadoll, në Belikeser dhe, pas një viti, në Bandërma deri në maj 1886. U fal dhe u vendos në Stamboll.
“Abdyl Frashëri … ka qenë një zotëri me zgjuarsi e guxim të jashtëzakonshëm, i mësuar dhe i durueshëm ndaj mundimeve trupore, trim sa nuk bëhet …E donte shumë familjen e farefisin … Ashtu si jeta e tij edhe vdekja e tij ka qënë e jashtëzakonshme, ka dhënë shpirt duke thënë fjalë burrërore dhe duke dhënë këshilla të mënçura”, – ka shkruar Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll.V, Istanbul, 1896. Vdiq më 1892 dhe u varros në varrezat e Merdiven-Qojit të Stambollit. Eshtrat e tij u sollën nga shteti në Shqipëri, në Përmet, më 19 mars 1978, nga një delegacion i përbëre nga Xhorxhi Robo, Luan Omari, Anastas Kondo dhe Duro Kopo. Qëndroi arkivoli me eshtrat e Abdylit në shtëpinë e tij në Frashër, nga 20 marsi deri më 9 qershor, i mbështjellë me flamurin kombëtar, pastaj u çua në Tiranë dhe, më 11 qershor 1978, u vendos, si dhe arkivoli me eshtrat e Naim Frasherit, të cilat më parë preheshin në Kryegjyshatë, në Varrin Monumental apo Përmendoren e tre Vëllezërve Frashëri në Kodrat e Parkut të Madh të Tiranës, ku ngrihen apo lartësohen edhe bustet e tre vëllezërve, Abdylit, Naimit e Sami Frashërit, të derdhur në bronz mjeshtërisht nga Odise Paskali, Thoma Thomai dhe Spiro Bakallbashi. Arkivoli me eshtrat e Abdylit, u shoqërua nga Frashëri në Tiranë, edhe nga nipi i Sami Frashërit, Emin Ereri. Ballkëzia, e shoqia e Abdylit, u nda nga jeta 24 vjet më vonë në Stamboll, në mars 1916.
Nefiseja dhe Sherifi
Nefiseja u martua me Halim bej Përmetin. Nuk la fëmijë. Tuberkulozi u bë një fatkeqësi e madhe që nuk iu nda familjes shumëfrymëshe me “babëzot”, siç quhej në atë kohë kreu i familjes, Abdylin. Ishte kjo sëmundje që mposhti në fillim Nefisenë, edhe pse ajo kur u nda nga jeta kishte familjen e vet së bashku me të shoqin, Halimin. Më tej kjo sëmundje e rëndë e kohës preku Sherifin e pastaj edhe Naimin e Tahsimin.
Në librin “Tehajjulat” (“Endërrimet”), botuar më 1885, ndodhet edhe vjersha e titulluar “Mbi varrin e sime motre”, shkruar nga Naimi me 1880. Kujt i kushtohet kjo vjershë, Nefisesë apo Shahnishasë? Nefisesë i dimë vetëm lindjen, 1841, ndërsa Shahnishasë i dimë edhe lindjen, 1848, edhe ndarjen nga jeta, 1871. Këto vite jepen nga Alfred e Neki Frashëri, “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007. Naimi në vjershën “Në varrin e sime motre”, ndër të tjera shkruan: “Nuk po gjej këtu nga ti asnjë kujtim, / Përveç dheut moj, të varrit, ah ç’mjerim, / Por, mbasi ka gjashtë vjet që jemi ndarë, / Si takim e quaj që vij të të shohë varrë”. Duke besuar se të dhënat e cilësuara më lart, si për Nefisenë ashtu edhe për Shahnishanë, janë të sakta, mendojmë se vjershën “Mbi varrin e sime motre”, Naimi ia kushton motrës së madhe, Nefisesë, dhe, njëherësh, nisur nga ç’thuhet në një varg të vjershës, si dhe kuptohet por si ka edhe më shumë mundësi, Nefiseja është ndarë nga jeta në vitin 1874 dhe është varrosur ose në Përmet ose në Janinë, ku Naimi i shkonte pranë varrit dhe, në një rast, iu drejtua me fjalët: “Ah, sikur, moj, të më flisnje dot një fjalë, / Dhe të t’shihja dhe njëherë atë ballë!”.
Sherifi qëndronte më pranë shqetësimeve e halleve të Abdylit dhe kjo vinte nga mosha, ishte i dyti pas Abdylit. Ai u bënte ballë vështirësive dhe ishte i vendosur në kapërcimin e çdo pengese. Sigurimi i domsdoshëm me punë i mjeteve të jetesës për të mbajtur familjen shumëfrymëshe, e detyroi atë t’i qëndronte sa më afër vëllait të madh, Abdylit, duke mos mundur të vazhdonte, edhe pse kishte dëshirë e vullnet jo të vogël, studimet në gjimnazin “Zosimea”.
Sherifi, u martua kur ishte në Janine me vajzën e një berberi nga Shkodra, që banonte edhe ajo në Janinë, e cila quhej Hatixhe dhe thirrej më shpesh Hexhe, në fillim nga familja e saj ku lindi dhe u rrit e më pas edhe nga i shoqi, Sherifi. Jetoi vetëm 31 vjet, duke lënë të vogël vajzën, Asijen, të cilën e adaptoi dhe e rriti si fëmijën e vet, Naimi.
Cili ishte fati pasardhësve të familjes së Naim Frashërit, nga vajzat deri tek Asllan Rusi
Nga Kastriot Bezati
Familja e Naimit dhe Hatixhe Frashëri
Naim Frashëri, mësimet e para i mori në Frashër, ndërsa më 1865 vendoset në Janinë ku, më 1869 mbaroi gjimnazin “Zosimea” dhe, diplomën e kësaj shkolle “e ka me thënien: fort mirë””, – shkruan Mit’hat Frashëri, “Naim Frasheri”, Sofie, 1901. U pajis në këtë shkollë me kulturë bashkëkohore, mësoi greqisht, frëngjisht, italisht, ndërsa jashtë shkollës mësoi arabisht e persisht te i dituri Jakup Efendiu, – shkruan më 1896 në revistën “Serveti Funun”, vëllai i vogël i Naimit, Samiu.
Naimi, më 1871, shkoi në Stamboll. Nuk qëndroi më shumë se tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehet në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjtë, nga reumatizma, “q’i erdhën nga të marrët të ftohtë në gjah”, e shtrënguan të largohet nga Saranda dhe të shkoj dhe të kurohet për gjashtë muaj në banjat e Badenit të Austrisë, – thotë Mit’hat Frashëri. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 rishkon në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe, më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit., – shkruan studiuesi Laurant Bica, “Naim Frashëri në Kostandinopojë”, Vëll. I, Tiranë, 2009. Naimi, më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e “Gramatikës” së K. Kristoforidhit.
Shtëpia e parë e Naimit ishte në Këlliç Ali të Beshiktashit, lagje në pjesën europiane të Stambollit. Këtu ai nuk qëndroi gjatë. Shtëpia e dytë, ku Naimi jetoi kohën më të gjatë dhe mbylli sytë, ishte Këzëll Topraku, që gjendet ndërmjet Kadiqoit dhe Erenqoit, lagje në pjesën aziatike të Stambollit. Shtëpia e Këzëll Toprakut u kthye në faltore për shqiptarët. “Aty u mblodhën atdhetarë si Kristo Hoxhi e Jani Vreto, Hoxha Tahsini e Ismail Qemali, Pashko Vasa e Murat Toptani … Ndër të parët pat ardhur Çajupi … Sevasti Qiriazi …Edhe Faik Konica i ri, kur shkoi dhe e takoi Naimin”, – shkruan Nasho Jorgaqi, “Vëllezërit Frashëri”, 2008.
“Çdo patriot ka vajtur tek ky burim atdhetarizmi, – thotë Sevasti Qiriazi. Naimi, – vazhdon më tej ajo, – ishte me shtat të mesëm dhe i imët, kishte fytyrë fort të qetë dhe tërheqëse, ishte i kthjellët dhe i vërtetë, ishte një magnet dashurie”, – përfundon Sevasi Qiriazi.
Naimi më 1880 shkruan poemën “Shqipëria”, e cila botohet më 1897. Më 1886 botoi poemën “Bagëti e Bujqësi”, “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve”, libra për shkollat: “Vjershat për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoria”, “Histori e Përgjithshme”. Më 1890 doli “Lulet e Verës”, pastaj “Mësimet” dhe “Fjala fluturake” më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epioke “Historia e Skënderbeut” dhe poema “Qerbelaja”. Naimi botoi 15 artikuj, 18 vjersha dhe 23 përalla në vargje në revistat “Drita” e “Dituria” dhe, në fund të shkrimeve të tij, firmoste me siglën “D”. Ç’do të thotë sigla “D”? Ndoshta do të thotë “Dangëlli” apo “Dulellarë”, siç njihej në fshat familja e Naimit, ndoshta ajo do të thotë “Dritë” apo “Dituri”, lejen e botimit të të cilave e nxori Naimi, ndoshta ajo sigël i përfshinte të gjitha: “Dangëllinë”, “Dulellarët”, “Dritën” dhe “Diturinë”.
Naimi, vitet e fundit të jetës, i kaloi i sëmurë në shtëpinë e tij në Këzëll Toprak. “Kishim katër vjet e gjysëm q’e qanim këtë njeri të madh: e dinim që sëmundja s’i kish shpëtim!”, – shkruan Mit’hat Frashëri. U nda nga jeta Naimi duke u gdhirë e shtuna, ora 2 e mëngjesit, dita e njëzet tetorit të motit 1900. Varrimi u bë të nesërmen, ditën e diel, 21 tetor 1900, në Teqen e Bektashinjëve të Merdiven Qoit në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të Abdyl Frashërit, i cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë gdhendur fjalët e Naimit: “Hybdyl vatan minel yman”, që do të thotë: “Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Mëmëdheut”.
Eshtrat e Naim Frashërit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishta. Populli kishte mbushur sheshet dhe rrugët e Tiranës dhe hidhte lule dhe vetëm lule mbi arkivolin me eshtrat e Naimit.
Ndodhi ajo që tha Faik Konica më 1901. “Treqind shqiptarë t’anës kombëtare e shpunë në vënt të funtmë. Treqind veta e përcuallë … Një ditë do të vijë që shqiptarët do t’i sjellin të mbeturat e Naim Beut në atë Shqipëri … Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, por do ta presë një komb i tërë”, – shkruante Faik Konica, “Albania”, Bruksel, Nr.4, 20.04.1901. Në ceremoninë e organizuar në Tiranë, ndër shumë të tjerë, në emër të familjes së Naim Frashërit, foli deputeti Eshref Frashëri nga trungu i familjes së Dulellarëve të Frashërit, afër të cilit ishte familja dhe vajza e Nevrezit, Naime Rusi. Edhe para arkivolit me eshtrat e Naimit, ndër shumë kurora, ishte edhe kurora e vendosur nga mbesa e Naimit, nga Naime Xhelal Rusi. Arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës.
Naimi u martua, ndoshta në pjesën e dytë të viteve ’70 të shek XIX, me Hatixhenë, e cila thirrej shkurtimisht Hexhe, vajza e një berberi nga Shkodra, e cila jetoi dy apo tre vjet më shumë pas ndarjes nga jeta të Naimit.
Asija, vajza e Sherifit, që u rrit, u arsimua dhe u edukua nga Naimi në Janinë e në Stamboll, u martua me Murat Toptanin, djalin e atdhetarit Said Shermedin Toptani, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe mik i Vëllezërve Frashëri, sidomos i Abdylit. Murati, ishte së bashku me kushëririn e tij, Abdi Toptani, delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë më 28.11.1912, si delegat i Tiranës. U lind në Aka të Turqisë më 13 korrik 1968, ku ishte internuar nga Porta e Lartë familja e Saidit. E ëma e tij, Hanifeja, ishte vajza e Ahmet Pedis Kartajit nga Kaukazi. Murati kishte edhe një vëlla, Refikun, si dhe nje motër, Vesimen, e cila u martua me vëllanë më të vogël të Abdylit, Naimit e Samiut, me Mehmet Frashërin.
Murati, në Stamboll u regjistrua në shkollën “Madame Fyres”, ku studionte edhe Asija, vajza e Sherifit, e cila u njoh mirë me Muratin, sepse jo vetëm që ishin e qëndronin bashkë në shkollë, por edhe sepse Murati “ditët e pushimit tani i kalonte në lagjen “Këzëll Toprak” pranë Naimit”, – shkruan Ferid Hudhri, “Murat Toptani”, Tiranë, 1978. Më tej ai vazhdoi studimet e larta në shkollën “Sulltanie” të Stambollit, të cilat i mbaroi më 1894 dhe, edhe gjatë kësaj kohe, ai qëndronte pranë familjes së Naimit. Një vit më vonë, më 1895, Murati u martua me Asijen dhe martesa u bë në “Këzëll Toprak”, ku edhe banonte familja e Naim Frashërit.
Më 20 tetor 1897, Murati u arrestua nga Porta e Lartë në Çanakala dhe, për të dytën herë, arrestohet pas dy vjetësh, më 1899, po në këtë vend dhe, kësaj here, atij i internuan edhe familjen në Çanakala. Më vonë, Murati internohet nga Porta e Lartë në Konjë, provincë në juglindje të Turqisë, ku qëndroi deri më 1908. Shkolla për fëmijët ishte kujdesi i parë i Muratit në Konjë. “Kur e bën syrgjyn Muratin, Naimi kishte vdekur. Ishte rreth vitit 1903. Më thirrën mua t’i çoj fëmijët në Konjë … Murati kishte një shtëpi me dërrasa me dy kate … Ishte i ri. Kishte tre djem dhe një vajzë”, – i ka deklaruar Dhimitër Shuteriqit më 1960 përmetari Nexhip Kame Kajca, i cili ka shërbyer në shtëpinë e Frashërllinjëve në Stamboll.
Murati veprimtarin e zhvilloi kryesisht në Tiranë, në Stamboll, ne Napoli dhe në Bukuresht. Ishte një nga atdhetarët me kulturë të gjerë, zotëronte frëngjishten, turqishten, arabishten, persishten, gjermanishten dhe italishten. Si artist ka bërë vepra në skulpturë, pikturë dhe karikaturë. Më 1899, kur ishte në Napoli të Italisë, realizoi në skulpturë bustin e Skënderbeut. Shkroi poezi e artikuj publicistikë dhe, një pjesë e vjershave, u përmblodhën në librin “Vjershat e Murat Toptanit”. E respektonte dhe e donte Asijen, e cila ishte gjithashtu e pajisur me një kulturë të gjerë, njihte mirë frëngjishten, greqishten e turqishten dhe luante mirë edhe në piano. Në krijimin e vjershës “Dashuria” u frymëzua nga Asija, të cilës, Murati, i bëri edhe një bust të bukur kur ata ishin në Konjë të Turqisë. U nda nga jeta më 1917 në Tiranë. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 26.06.2012.
Asija dhe Murati kishin 11 fëmije, nënte djem dhe dy vajza, – thotë Bele Myteveliu. Sherifi ishte një nga djemtë, i cili u lind në Konjë dhe studimet e larta për teknologji dhe kimi industriale i mbaroi në Gjermani. Punoi 32 vjet në Kuçovë dhe ishte autori i shumë projekteve, novacioneve e shpikjeve të aplikuara me sukses në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës. Më 1957 ishte ideatori i shuarjes së zjarrit në pusin e naftës në Marinëz të Fierit. Më 20 shtator 2001, Këshilli i Bashkisë së Kuçovës, me Vendimin Nr.69, e shpalli Sherifin Toptanin, nipin e Sherif Frashërit, “Qytetar Nderi” të Kuçovës.
Naimi dhe Hatixheja patën dy vajza, e para e quajtur Nerqeze, nuk jetoi as tre vjet, vdiq më 1881. Dhimbja e poetit, e babait, ishte e madhe. Në vjershën e titulluar “Mbi trupin e bijës sime të vdekur”, botuar në “Tehajjulat” (“Endërimet”), 1885, Naimi shkruan: “Mjeri unë, vaj moj bijë, mjeri unë!/ Moj e dashur, moj e ëmbla aq shumë!/ Pa ty mbeta, pa ty mbeta moj me lotë!/ U shkretofsh o qiell, moj zuzarja Rrotë!”. Vajza e dytë, Nevrezi, lindi në Stamboll. Ishte me kulturë, dinte frëngjisht dhe arabisht, njihte jo vetëm kulturën e Turqisë por edhe të Europës. I binte edhe pianos dhe, një piano, e solli me vete në pajë kur u martua me Xhafer Luarasin, – shkruajnë Alfred dhe Neki Frashëri. U nda nga i shoqi, Xhaferi, sepse në shtëpinë e tij gjeti zakone e mendime si dhe u ndesh me veprime, që ishin mbytëse për shpirtin e kulturën emancipuese e civilizuese të Nevrezit.
Nevrezi u martua në Stamboll me Shahin Kolonjën, atdhetarin veprimtarin, publicistin dhe propagandistin e ideve kombëtare e demokratike, i cili kishte lindur më 1865 në Starje të Kolonjës dhe, pasi kishte kryer filloren në Starje e Ruzhdijen në Korçë, më 1895, kishte kryer edhe Fakultetin e Juridikut në Universitetin e Stambollit. Punon në fillim si drejtor në Idadijen (Gjimnazin) e Edrenesë dhe pastaj në Idadijen e qytetit Gjymylxhime. Më 1897 emërohet kajmekam në Kozhan të Selfixhes, më pas, më 1900, po me këtë detyrë në malin e Shënjtë (Ajon Oros), ku kishte 30 manastire e jetonin 1500 murgj dhe, më vonë, emërohet po në detyrën e kajmekamit në Vlorë. Nga 14 deri më 22 nëntor 1908 morri pjesë si delegat i Kolonjës në Kongresin e Manastirit, kryetar i të cilit ishte Mit’hat Frashëri, ku u zgjodh edhe anëtar i Komisionit të Alfabetit, kryetar i të cilit ishte Gjergj Fishta. Po atë vit u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Osman, që u hap më 17 dhjetor 1908.
Shahin bej Starja apo Kolonja, qysh në moshë te re, shkonte në shtëpinë e Naim Frashërit, në Këzëll Toporak. Takohej e bisedonte shpesh me Nevrezin dhe Asijen. Ishte një nga të rinjtë shqiptarë që vlerësohej nga Vëllezrit Frashëri. Viti 1900. Në tetor ai nuk ishte në Stamboll. Lajmi i vdekjes së Naimit e tronditi shumë. Në dhjetor ai shkon për t’i dhënë lamtumirën e fundit mësuesit të vet në varrezat e Merdiven Qojit, – shkruan Piro Tako, “Shahin Kolonja”, Tiranë, 1984.
Në gusht të vitit 1909, Nevrezi, vajza e Naim Frashërit, martohet me Shahin Kolonjën, me të cilin njihej qysh kur ajo ishte jo më shumë se dhjetë vjeç, më 1896. Kur u martua ajo ishte 26 vjeç, ndërsa Shahini 44. Dasma u bë në lulishten “Çuçuk Moda”, në Kadin Qoj, – shkruan studiuesi Piro Tako. Morën pjesë ndër shumë të tjerë edhe kunati i saj, Murat Toptani, i shoqi i Asijes, si dhe bashkëluftëtarët e ngushtë të Shahinit, Bajo e Çerçiz Topulli si dhe Mihal Gramenua.
Nevrezi, e shoqja e Shahinit, lindi një vajzë të bukur e të shëndetshme, që i vunë emrin e Naimit, e quajtën Naime. Shahini u nda nga jeta më 1919 dhe, Nevrezi e rriti Naimene, duke patur edhe ndihmën e xhaxhait, Mehmetit, si dhe të vëllait të Shahinit, Zylfos, të cilit ia la si amanet në momentin e fundit të jetës Shahini.
Naimeja u martua me Xhelal Rusin, farmacistin e njohur, i cili kishte studiuar dhe ish diplomuar në Francë. “Ishte djali i Rahmi Rusit nga Leskoviku, i cili ishte patriot, bashkëpunëtor i At Stath Melanit, si dhe vëllai i Skënderit dhe i Mynever Rusit dhe, të tre fëmijët e Rahmiut, i cili vetë u nda nga jeta në Përmet më 1915, në vitet 1939-1944 mbajtën një qëndrim antifashist, u lidhën ngushtë me LANC-in”, – më thotë më 15 nëntor 2011 Myftar Taria, i lindur më 1921 në Starje të Kolonjës, por me orgjinë nga Tarenjtë e Frashërit, kur me ne në bisedë ishin edhe shokët e miqtë e Myftarit, studiuesi Alfred Frashëri dhe veterani i LANÇ-it, Iljaz Lumani. Naimeja dhe Xhelali, kishin tre fëmijë, një vajzë, që mbante emrin e gjyshes, të Nevrezit, e cila u vra gjatë bombardimeve më 1944 në Tiranë, kur ishte 12 vjeçe, dhe dy djem, Asllanin dhe Rahmiun, që edhe ky i dyti mbante emrin e gjyshit, të Rahmiut.
Asllani, lindur më 1945 dhe ndarë nga jeta më 1977, ishte një supervolejbollist, Mjeshtër i Merituar i Sportit. Ka luajtur volejboll me KS “17 Nëntori” dhe KS “Dinamo”. Ka fituar 7 herë Kupën e Republikës dhe ka zhvilluar 80 takime ndërkombëtare, nga të cilët 35 me skuadrën kombëtare, në vitet 1963-1975. Ka fituar medalje ari në spartakiadën kombëtare të vitit 1969. Ishte një legjendë e volejbollit. “Asllani ishte shoku im i skuadrës në ekipin e Dinamos. Ishte një nga viganët e volejbollit shqiptar”, – më thotë Mjeshtri i Merituar i Sportit, Kreshnik Tartari. Më 1997, stadiumit të lojërave me dorë në Tiranë, iu dha emri Pallati “Asllan Rusi”.
Si djali i Sami Frashërit themeloi klubin e futbollit “Galatasaray”
Kush ishin pasardhësit e Sami Frashërit
Kastriot Bezati
Familja e Sami dhe Emine Frashërit
Samiu mësimet e para i mori në Teqen bektashiane të Frashërit. Më 1865 vendoset në Janinë, ku kreu gjimnazin grek “Zosimea”. Punoi për pak kohë në sekretarinë e Vilajetit të Janinës dhe, kur ishte 21 vjeç, më 1871, u vendos në Stamboll dhe filloi punë në Zyrën e Shtypit, – shkruan Sami Frashëri në “Serveti Funun”, 1896.
Ishte një ndër organizatorët kryesorë të formimit të Komitetit Shqiptar të Stambollit më 18 dhjetor 1877, ndërsa më 12 tetor 1879, në moshën 29 vjeçare, zgjidhet kryetar i “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqipe”.
Në vitet 1884-1885 drejtoi revistat “Drita” e pastaj “Dituria”. Hartoi për nevojat e shkollës shqipe libra, ndërsa më 1899 botoi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, vepër që u përkthye në greqisht nga Fan Noli. Është autori i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke e arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat qe ai drejtoi në Turqi, midis të cilave në gjuhën shqipe “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, ndërsa në gjuhët turke e arabe, “Kamus ul Alam”, në 6 vëllime, për të cilën ai punoi 12 vjet, është autori i fjalorit normativ të gjuhës turke “Kamusi Turki” me 40000 fjalë e shprehje, si dhe autori i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht (1882) dhe “turqisht-frëngjisht (1885), arabisht-turqisht (Kamus-i Arabi). Shkroi në gjuhën turke drama e romane, ndër të cilat veprën “Besa”, botuar më 1875. Disa libra e broshura i përmblodhi te “Biblioteka e Xhepit” dhe, ndërkohë, ai drejtoi revistat e gazetat “Hadika”, “Tarabullus”, “Sabah”, “Aile”, “Hafta” dhe Terxhumani Shark”, që u bë organi legal i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përktheu edhe shumë vepra, sidomos nga frëngjishtja.
Studiues të veçantë e kanë quajtur Samiun “një përmendore pune”. “Një njeri – një akademi”, – shkruan studjuesi turk Shexhaattin Tural. Të tre vëllezërit, Abdyli, Naimi dhe Samiu, janë simbole të atdhedashurisë dhe emblema të kulturës e diturisë në Shqipëri.
Guri Kr. Sevo, në kujtimet e tija të botuara më 1936, ndër të tjera shkruan: Një ditë e pyeta mësuesin tim, Petro Luarasi, “se cili është më i zoti, Naimi apo Samiu?”. Petro Luarasi iu përgjigj: “Nga cili sy sheh ti më mirë, nga i djathti apo i majti?”.
Samiu, në Stamboll u njoh dhe u martua me Emine Veliye, vajzën e Kazasker Sadedin Efendiut, një familje që ishte nga paria e Stambollit. U martua kur ishte 34 vjeç, më 1884. Me Eminenë bashkëjetoi 10 vjet dhe pati katër fëmije: Samijen, Sadiun, Sadijen dhe Ali Samiun. Me vdekjen e Eminesë, më 1894, pas një viti, më 1895, u martua për së dyti me Ballkëze Frashërin, vajzën e Ibrahim Pashës nga Laçenjtë e Frashërit, që në atë kohë jetonte në Stamboll, me të cilën pati një djalë, Skënderin
Samija, vajza e madhe, u martua me Rashid Mansur Ererin, i cili për një periudhë ishte ministër i financave të Turqisë. La dy djem: Mehmetin dhe Eminin. Ky i dyti, Emin Ereri, ka ardhur disa herë në Shqipëri. Me të unë jam takuar dhe kam biseduar në Frashër tri herë: më 09.09.1973, kur punohej për ngritjen e shtëpisë së Vëllezërve Frashëri, më 16.06.1974, kur u përurua muzeu “Vëllezërit Frashëri” dhe më 09.06.1978, kur arkivoli me eshtrat e Abdyl Frashërit u nis nga Frashëri për në Tiranë.
Sadiu u nda nga jeta i ri. Sadija u martua me Subi Neshetin, Ali Samiu me Fahrijen dhe Skënderi me një vajzë që e kishte emrin Sabiha.
Ali Samiu, 1886-1951, studioi në shkollën e Gallatasarajit në Stamboll. Më 1905 krijoi klubin e futbollit, që u regjistrua zyrtarisht më 1912. Ali Samiu, apo si quhet nga viti 1934, Ali Sami Yen, ishte presidenti i parë i klubit sportiv të Gallatasarajt, prandaj edhe stadiumit të futbollit të Gallatasarajt, ndërtuar më 1964 me 25500 vende në qendër të Stambollit, iu dha emri “Ali Sami Yen”.
“Samiu ishte i dhënë shumë pas fëmijëve. Në çështjen e edukimit të tyre ai nuk ndalej përpara asnjë sakrifice”, – shkruan studiuesi turk A.S.Levend. “Deri në vitin 1899 në shtëpinë tonë kishte gjithmonë mysafirë. Midis tyre kishte priftërinj, hoxhallarë, shehlerë, dervishë, orientalistë, të huaj, të rinj e të vjetër. Respektonte mendimin e tjetrit dhe dinte të sillej me secilin. Me fëmijët sillej si fëmijë”, – shkruan Ali Sami, djali i Samiut, Hekmet Turhan Daghoglu, “Semsettin Sami”, Stamboll, 1934.
“Samiu … ka pasë shtatin e gjatë dhe …me bel të hollë, me ball të gjanë dhe pak të dalun përjashta. Ngjyrën e syve e ka pasë të zezë dhe shumë të shkëlqyeshme …Si në shtëpi ashtu edhe në shoqëri gjithmonë serioz dhe në të folun i ambël dhe buzagaz …me secilin person ka ngjallë respekt e dashuni të thellë”, – shkruan Niazi Sulçe, Nasho Jorgaqi, “Vëllezërit Frashëri”, 2008.
Samiu ka patur letërkëmbime të shumta. “Samiu ka patur letërkëmbim shumë të gjerë, të dendur, të cilin e zhvillonte në shtatë gjuhët që zotëronte: në turqisht, italisht, gjermanisht, arabisht, persisht, greqisht, shqip. Ai dërgonte 10-15 e deri ne 20 letra në ditë”, – thotë vajza e madhe e Samiut, Sania, që i ka qëndruar vazhdimisht pranë Samiut, Gazmend Shpuza “Gjurmime në epokën e Rilindjes Kombëtare”, Tiranë, 1980. Samiu jetoi thjeshtë, shpesh në varfëri, që nuk iu ndanë edhe borxhet. Sapo u nda nga jeta, shtëpia dhe biblioteka e tij prej 20000 vëllimesh, u shitën që familja e tij të vazhdonte të jetonte. Në një certifikatë që, Këshilli i Lagjes Eren Qoj, i lëshoi pas vdekjes së Samiut gruas se tij, Ballkëzit, ndër të tjera thuhet se ajo ka të drejtë të tërheqë 796 grosh – ja kjo ishte e gjithë pasuria financiare e lënë nga kolosi Sami Frashëri.
Porta e Lartë e ndoqi, e persekutoi, e internoi, e izoloi, aq sa vitet e fundit iu ndalua të dilte edhe nga shtëpia. U nda nga jeta ditën e shtunë, ora 21, ditën e 18 qershorit 1904. Eshtrat ndodhen në varret e njohura të Fario Kunit në Stamboll, – Gazeta “Telegraf”, 19.09-2011.
Shahnishaja, Tahsini dhe Mehmeti
Shahnishaja u martua me Ibrahim Lutfi Bërzeshtën, 1823–1904, nga Bërzeshta, në atë kohë e Kazasë së Starovës, ndërsa sot e rrethit të Librazhdit. Më 1866 mbaroi shkollën e lartë të mjekësisë ushtarake në Universitetin e Stambollit. Po atë vit u emrua me punë në Janinë. Më pas emrohet pedagog në Fakultetin e Mjekësisë të Stambollit. Më 1870 u dërgua në Jemen dhe, pas një viti, më 1871, u emrua profesor në Shkollën Mbretërore të Mjekësisë në Stamboll. Më 1876 u dërgua në Spitalin Ushtarak të Shkodrës dhe, pas disa muajsh, u kthye në Stamboll dhe krejt jetën e kaloj si profesor katedre në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Stambollit. U gradua kolonel më 1888 dhe gjeneral më 1898. Ibrahim Bërzeshta, kunati i Vëllezërve Frashëri, ishte një personalitet erudit, njohës i disa gjuhëve të huaja, zotërues i disa disiplinave shkencore dhe një pedagog i talentuar. “Prof. dr. Ibrahim Lutfi Pasha konsiderohet si themelues i Universitetit të Stambollit dhe i terminologjisë shkencore mjekësore turke”, – shkruan mjeku i njohur me orgjinë shqiptare Prof. Besim Omer Pasha në librin “Nev-Sali”, 1905. Mori pjesë në lëvizjen kombëtare dhe ishte anëtar i Shoqërisë së Stambollit në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Shahnishaja, mbasi u martua, shkoi dhe jetoi në Turqi. Kishte një djalë, Vasifin, 1870-1931, – shkruajnë vëllezërit Alfred dhe Neki Frashëri, dhe një vajzë, Sadijen, e cila u martua me mjekun Refat Frasheri, – thuhet në librin e Dr. Kadri Kërçikut, “Zhvillimi i Shëndetësisë në Shkodër në shek. XVIII – XX”, Tiranë, 1962. Vasifi, kishte një vajzë dhe një djalë, Lejlanë dhe Orhanin, ndërsa Sadija, vajza e Shahnishasë dhe Refatit një djalë,. Skënderin. Dhëndri i Shahnishasë, Refati, 1862–1934, ishte nga Sulejmanbellinjtë e Frashërit, djali i Myftarit. Studjoi për mjekësi në Universitetin e Stambollit. Pasi u diplomua punoi në spitalin ushtarak të Shkodrës deri në vitin 1898. Më vonë, deri më 1913, ishte drejtori i Institutit Bakteriologjik “Luis Pasteur” në Stamboll. Realizoi shumë studime në fushën e bakteriologjisë. Zbatoi vaksinimin kundër lisë me anën e gërvishtjes për herë të parë në Shqipëri. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, krijoi Drejtorinë e Përgjithshme të Shëndetësisë dhe, në vitet 1920–1931, drejtor i kësaj drejtorie ishte mikrobologu i mirënjohur, Prof. Refat Myftar Frashëri. Refati eci në rrugën atdhetare të Vëllezërve Frashëri. Luftoi e punoi për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Shqipëri.
Naim Frashëri në poemën “Bagëti e Bujqësi”, botuar më 1866, ndër të tjera shkruan: “Dhe ti Mali-Plak që me sytë e tu ke parë, / Luftra të mëdha e punë që kanë ngjarë” dhe, ky mal, është Mali-Plak mbi Sopotin dhe Bërzeshtën në Librazhd, për të cilin kënga popullore ”Gjorg Golemi, Princi i Sopotit”, thotë: “Në Mal-Plak e mbi Sopot, / Gjorg Golemi kryezot!”. I këndon Malit-Plak dhe Sopotit, që ngrihet edhe mbi Bërzeshtën, ndoshta se ai kishte dëgjuar për Malin-Plak, Gjorg Golemin e Sopotin nga miku i tij, farmacisti ushtarak Halit Bërzeshta i njohur me emrin Bej Baba dhe nga kunati i tij, mjeku ushtarak, Ibrahim Bërzeshta, i shoqi i Shahnishasë.
Tahsini ishte i zgjuar dhe me kulturë, kishte shumë gjëra të përbashkëta me Samiun, i cili, ashtu si dhe Naimi, e vlerësonin shumë. “Hartoi disa punime. Punimi i tij i parë me titull “Meditime” kishte karakter filozofik … Shkroi gjithashtu katër drama me titull “Rexhepi gjakësor”, “Haxhi Efendiu”, “Xhelatët e fëmijve”, kurse titullin e dramës së fundit nuk e dimë. Të gjitha punimet i shkroi turqisht”, – shkruan Kristo Frashëri, “Abdyl Frashëri”, Tiranë, 1984.
Sëmundja e tuberkulozit ndau nga jeta në fillim Nefisenë, pastaj Sherifin dhe më vonë Tahsimin. E ndau Tahsinin kur ai ishte në Janinë. Kur vdiq Tahsini, Naimi ishte në Baden të Austrisë dhe, e mori vesh gjëmën e madhe, se “vdekja kish marrë Tahsinin” kur u kthye nga Austria në Janinë, – shkruan Nasho Jorgaqi , “Vëllezërit Frashëri”, Tiranë, 2008. Vjersha me titull “Në vdekje të vëllait”, shkruar më 1877, botuar në përmbledhjen poetike “Tehajjulat” (“Endërrimet”), më 1885, tregon dhëmbjen e madhe të Naimit, i cili ndër të tjera shkruan në këtë vjershë: “Tashti ngjyrat që la toka s’kam ç’i dua, / Pas kësaj kuptim më s’kanë, ah, për mua, / … Në mes resë së mjerimit mbeta sot, / I pashpresë jam tashti e dhimbje plot”.
Mehmeti u vendos në Janinë më 1865, ku edhe studjoi e përfundoi gjimnazin “Zosimea”. U martua me Vesimen, vajzën e Said Shermedin Toptanit, motrën e vëllezërve Murat dhe Refik Toptani, nga të cilët i pari ishte martuar me vajzën e të vëllait, me Asijen e Sherifit. Mehmeti punoi në Janinë, në Selanik dhe në Stamboll. Në Selanik ishte drejtor i doganave, në vitet ’90 të shek. XX. Në Stamboll, Mehmeti, botoi gazetën “Besa”, numri i parë i së cilës doli më 5 nëntor 1908.
Mehmeti dhe Vesimia kishin një djalë dhe tre vajza. “Gjyshi im, Mehmeti … lindi djalë të vetëm Hysrefin, babain tim. Po ashtu edhe im atë vetëm mua më pati djalë dhe tre vajza”, -thotë nipi i Mehmet Frashërit, qe mban edhe ai emrin e gjyshit, të Mehmet Frashërit, i cili njihet më shumë me emrin Pipi dhe jeton në Tiranë.
Shqipërinë e ngriti, e lartësoi dhe i dha emër mbi tokë Gjergj Kastriot Skënderbeu, e mbajtën më këmbë dhe i ndriçuan rrugën e lirisë vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri dhe i vuri mbi krye kurorën e vetëqeverimit Ismail Qemal Vlora.
Abdyli, “Hero i Popullit”, udhëheqës, burrë shteti, ideolog, politikan, diplomat, organizator dhe orator i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Naimi, “Mësues i Popullit”, poeti më i madh i Rilindjes, edukatori, mësuesi dhe veprimtari i shquar i kulturës dhe arsimit, ndërgjegjja e kombit, këngëtari i madh i lirisë së njeriut dhe Shqipërisë. Samiu, “Mësues i Popullit”, dijetari dhe gjuhëtari i madh, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i shquar, ideologu kryesor i Rilindjes.
A nuk duhet sot që, edhe Abdyli, Naimi dhe Samiu, të cilët kanë qenë, janë dhe do të mbeten yje të pashuar për shqiptarët e Shqipërinë, të jenë së bashku në një Skulpturë Monumentale në një nga sheshet kryesore të Tiranës? Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi dhe Samiu, janë mrekullia e historisë dhe frymëmarrja e Shqipërisë.
Si djali i Sami Frashëri themeloi klubin e futbollit “Galatasaray”
Ka lindur në Kandili të Stambollit, më 20 mars 1886. Emri origjinal i tij është Ali Sami, dhe është i biri i Sami Frashërit.
Ali Sami “Yen” Frashëri në vitin 1905 krijoi klubin futbollistik Sport Klub Galatasaray dhe ishte president i parë për 13 vjet rresht, nga 1905-1918. Dhe përsëri për pak kohë në vitin 1925. Ishte trajner i parë i ekipit të futbollit në mes viteve 1905-1908. President i Komitetit Olimpik nga viti 1926-1931. Trajner i parë në një ndeshje ndërkombëtare kundër Rumanisë. Ali Sami Frashëri, vdiq më 20 korrik, 1951.
Ali Sami Frashëri është edhe një nga futbollistët e parë shqiptarë, gjithashtu është një nga trajnerët e parë shqiptarë, një nga presidentët e parë të një skuadre futbolli.
Ali Sami Frashëri gëzonte një respekt të jashtëzakonshëm në shtetin turk e veçanërisht në qytetin e Stambollit.
Ali Sami Frashëri vuri themelet e futbollit turk, ishte iniciatori i parë i krijimit të klubeve sportive si të: Basketbollit, hendbollit, volejbollit, notit, hipizmit etj. Kundërshtarët e përjetshëm të klubit të Ali Sami Frashërit ishin: SK Fenerbahçe, JK Beshiktash, Trabzonspor, Istanbulspor etj.
Ali Sami Frashëri ndoqi rrugën e babait dhe xhaxhallarëve të tij, që të gjithë intelektualë të shquar dhe shumë vizionar. Nën udhëheqjen e tij SK Galatasaray fitoi shumë trofe, ishte skuadra më e fortë dhe më e organizuar në Turqi dhe Ballkan.
Një kuriozitet sa i përket fanellave të SK Galatasaray:
Në fillimet e saja, atëherë kur edhe e themeloi, fanellat e SK Galatsarayit kishin ngjyrat kuq e zi, si dhe në anën e majtë emblemën me shqiponjën dy krenëshe, që simbolizonte edhe vet origjinën e Ali Sami Frashërit. Por me kalimin e kohës nga vetë shteti otoman, u detyruan dhe u obliguan që të hiqeshin fanellat me ngjyrën kuq e zi dhe ta hiqnin shqiponjen si emblemë të klubit, e t`i zëvendësonin me ngjyra verdh e kuq, që edhe sot e kësaj dite i bart SK Galatsaray.
Një kohë ka qenë edhe kryetar i shoqatës së arbitrave të Turqisë. Pas vdekjes së Ali Sami Frashërit drejtuesit e klubit Galasaray vendosën që stadiumit t`ia lënë emrin e legjendës së futbollit dhe sportit turk, emrin e shqiptarit tonë të madh “Ali Sami Yen”. Emrin e tij, Ali Sami Yen, mbanë edhe një rrugë në Stamboll. Kurse fjala Yen në biografinë e tij ishte pseudonimi, sepse ashtu e quanin dhe e njihnin dashamirët e futbollit turk, Ali Sami Yen.
Me vdekjen e tij Turqia humbi themeluesin e futbollit turk, kurse shqiptaria birin e saj.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply