A është dashuria në duart e vullnetit të njeriut, apo është e pamundur shmangia e saj? Debati se është apo jo dashuria në vullnetin e personit vazhdon që nga ekzistenca e femrës dhe mashkullit. Në fakt dashuria është një mundim i tillë sa që asnjë njeri që e ka mendjen në kokë nuk i nënshtrohet me dashje kësaj torture. Pasi ashtu siç e ka thënë edhe një i dashuruar: “Në qoftë se të dashurosh do të ishte e vullnetshme, atëherë ju betohem që unë do të dëshiroja të mos dashuroja”.
Pasi a do të donte princi i ri i Sundimtarit të Botës, Salim Shahu të dashurohej me Anarkali-n, e cila ishte një kërcimtare e zakonshme? A do të kishte dashur ai të refuzohej nga babai i tij, apo të përvëlohej brenda dhimbjeve, kur të dashurën ia morën e ia shkëputën fizikisht nga zemra?
Sipas gojëdhënës princi i ri i Sundimtarit të Botës, Salim Shahu, Anarkalin për herë të parë e pa rastësisht në një mbrëmje argëtimi të organizuar në saraj. Anarkalja e bukur e kishte humbur veten nga melodia magjike e muzikantëve dhe vallëzonte në mes të femrave të tjera të bukura. Në ato çaste princi i ri Salim Shahu ngriu tek shikonte vajzën e bukur teksa kërcente si e dehur. Princi u mahnit me trupin e bardhë si qumështi të Anarkales të mbështjellë nga tyli që tundej dhe i përkëdhelte lëkurën e lëmuar me lëvizjet e saj të brishta dhe me bukurinë e kocave të flokëse të zeza që i zgjateshin deri tek beli. Kurse sytë e vajzës së re, që reflektonin shpirtin e saj të rrallë, ishin aq impresionues sa që njeriu e kishte të vështirë ta besonte që Zoti ia kishte falur një femre të çfarëdoshme në këtë botë, ata dukeshin sikur të ishin marrë nga një zanë shumë e bukur. E ndërsa Anarkalja rrotullohej vazhdimisht rreth vetes, ai që i merreshin mend ishte princi i ri. Në atë moment princi ra në dashuri me Anarkalen.
Koha po rridhte me shpejtësinë e saj të zakonshme, por për Princin Salim Shah çdo frymëmarrje kalonte me vuajtje sikur të ishte një ditë dhe zjarri i dashurisë që ishte ndezur në zemrën e të riut po rritej gjithnjë e më shumë. Sepse dashuria në vend që të pakësohet është një ndjenjë që rritet vazhdimisht. Princi i la mënjanë punën dhe detyrat që kishte dhe të gjithë kohën e harxhonte si të gjente rastin të shikonte qoftë edhe për një moment vajzën kërcimtare. Kur e kuptoi se ilaçi i këtij halli që e kishte kapur ishte bashkimi me këtë vajzë të bukur Salim Shah vendoi të martohet me valltaren e bukur që i kishte grabitur zemrën. Nga ana tjetër kishte shumë pengesa që duheshin kapërcyer si normat, tradita dhe ligjet. Pasi ishte e ndaluar që një princ të martohej me një vajzë të thjeshtë nga radhët e popullit, sidomos martesa me një valltare ishte një mendim që nuk duhet ti shkonte asnjëherë në mendje.
Por megjithëkëtë Salim Shah i ruan shpresat dhe një ditë del para babait të tij, Sundimtarit Akbar dhe i përcjell kërkesën dhe dëshirën që ka për t’u martuar me Anarkalen. Por babai kërkesën e të birit e vlerëson si të pakuptimtë dhe një diçka që tejkalonte çdo kufi dhe e dëboi princin pa e dëgjuar deri në fund. Në një situatë të tillë dashuria e Salimit vazhdon të rritet, zjarri në zemër i ndizet gjithnjë e më shumë pavarësisht se babai ia kishte ndaluar të takohej me kërcimtaren e pallatit mbretëror.
Me kalimin e kohës dashuria e zjarrtë që ushqente Shah Salimi për valltaren lozonjare Anarkali fillon e përhapet e të qarkullojë gojë më gojë në të gjithë dinastinë. Edhe zemra e kërcimtares së bukur rrihte për Salimin, por ajo nuk e shprehte dot këtë, ishte e pafuqishme, e heshtur përbrenda. Sa do që me princin takohej sa herë që gjente mundësinë dhe përjetonte me atë çastet e bukura që ofronte e dhuronte dashuria, ajo ishte e vetëdijshme për fatin e zi që do të kishte për të kjo dashuri, për shkak të pozicionit që kishte brenda në popull.
Thashethemet që qarkullonin në popull për dashurinë e Anarkales me Shah Salimin nisin dhe e shqetësojnë babanë e princit, Han Akbar. Sundimtari e thërret të birin dhe e qorton me një gjuhë të ashpër dhe e kërcënon atë me një zemërim të madh. Por kur ka qenë fermani i dashurisë më i fuqishëm se sa gjëja e ndaluar! Zemra e verbuar dhe e shurdhuar nga dashuria nuk do t’ia dijë më për fermanë. Salim Shah vazhdon të vlerësojë e shfrytëzojë çdo mundësi për të parë Anarkalen dhe për t’u takuar me të. Ndërkohë dashuria e princit me valltaren i kapërcen kufijtë e dinastisë dhe përhapet edhe në dinastitë dhe patriarkatet përreth. Kurse sundimtari Akbar Han, dinjiteti i të cilit ishte lënduar shumë nga kjo situatë, e kuptoi që nuk kishte mundësi ta binte të birin për të hequr dorë nga kjo dashuri dhe si rrugëzgjidhje mendon që ti ndajë të dashuruarit me duart e tij. Por kjo zgjidhje do të jetë shumë e ashpër dhe e pamëshirshme.
Akbar Han ndërton në mes të qytetit një dhomë me katër mure dhe pa dritare. Më pas arreston kërcimtaren Anarkali dhe e burgos brenda kësaj biruce të ngushtë. Pastaj derën e vetme që kishte biruca e mbyll me tulla dhe e suvaton nga jashtë. Qëllimi i sundimtarit është që kësaj dashurie ti japë fund në një mënyrë që të bëhet mësim për të gjithë. Padrejtësia e monarkut ishte një tirani që mund ta bënin vetëm të dobëtit dhe të pashpresët që kishin dijeni për dashurinë, por që nuk e kishin njohur e kuptuar atë. Sepse Anarkalja e bukur u la në duart e vdekjes vetëm për shkak të dashurisë së saj të pastër.
Princi kur dëgjoi për këtë akt barbar të babait të tij çoroditet dhe ngaqë nuk e di se çfarë duhet të bëjë vrapon sa në një rrugë në tjetrën në kërkim të varrit ku ishte mbyllur e gjallë Anarkalja e tij e dashur. Më në fund e gjen dhomën-varr dhe përpiqet të hapë ndonjë të çarë në mur me çfarë gjen aty pranë. Nga sytë i rrjedhin lot të përgjakur që nuk ka mundësi të shpëtojë femrën që e dashuron aq shumë. Sepse babi i tij, Akbar Han e kishte ndërtuar këtë dhomë në mënyrë që muret e saj të mos prisheshin as me bajloz dhe as me ndonjë mjet tjetër. Kur princin e lënë fuqitë dhe shpresat, i bien të fikën përpara birucës, ku do të kalojë edhe ditët e mëvonshme. Bashkë me princin përpara mureve të varrit ku është mbyllur e gjallë Anarkalja e bukur qan edhe qyteti.
Por monarku Akbar Han nuk e fal Anarkalen e bukur edhe pse princi Salim Shah i tregon se ka hequr dorë nga dashuria dhe i premton se nuk do ta takojë më Anarkalen. Me kalimin e ditëve ishte shuar edhe shpresa që Anarkalia të ishte ende gjallë. Tani edhe sikur muret të shembeshin ishte e pamundur që Anarkalja e bukur të dilte e gjallë prej aty.
Populli i qytetit dalëngadalë shpërndahet dhe largohet nga biruca ku ishte mbyllur Anarkalja, kurse princi vazhdon të qëndrojë përherë pranë të dashurës së tij. Dashuria e Anarkales është ende e ngrohtë në zemrën e tij, pasi kur dashuria nuk vdes edhe të dashuruarit i duket sikur e dashura nuk ka vdekur. Salim Shah vazhdon të presë përpara murit të derës ashtu i paqethur dhe i parruar e në gjendje të mjerueshme.
Kaloi vjeshta, dimri dhe ja ku erdhi pranvera. Princi me kokën e mbështetur pas murit të birucës vazhdon ende të mbajë zi për Anarkalen. Kur për një çast ndjen një lëvizje brenda murit. Pas pak shikon që muri pëson një plasaritje të vogël dhe nga guri i murit del filizi i një dege delikate. E ndërkohë që ky filiz rritet, nga muri vazhdojnë të dalin degë të reja. Kur populli pa filizat ashtu si princi njerëzit nisën të mblidhen sërish përpara birucës. Tani i gjithë qyteti ndjek nga afër këto degë të mbushura me burbuqe që rriteshin duke dalë nga zemra e gurit. Të dukej sikur ky gjallërim i mrekullueshëm të ishte ardhja sërish në jetë e Anarkales.
Të nesërmen në mëngjes njerëzit që erdhën para birucës shikojnë se si muret ishin veshur të gjithë me lule shege. Brenda një nate kishin çelur të gjitha lulet e shegës. Çdo lule kishte hijeshinë e Anarkales me gjithë bukurinë e saj.
Kjo bukuri e rrallë që të mahniste kur e shikoje e dalloi edhe princin, i cili e kishte pritur për muaj të tërë Anarkalen, edhe pse e dinte që ajo tashmë kishte vdekur. Kur pa muret ku ishte mbështetur të veshura me lule-shege princi tani e kishte dorëzuar shpirtin e tij duke reflektuar në fytyrë një shprehje lumturie. Kur lulet që mbanin me vete bukurinë e Anarkales çelën princit iu duk sikur kishte parë edhe një herë të dashurën e tij pas kaq shumë muaj plot mall që kishin kaluar dhe zemra i ishte goditur edhe një herë nga dashuria dhe duke mos u mbijetuar dot emocioneve kishte shtegtuar pranë të dashurës së tij duke vështruar bukurinë e luleve të shegës.
Banorët e qytetit kur shkuan të nesërmen, para birucës gjetën trupin e pajetë të Salim Shahut. Gjatë përcjelljes nga brezi në brez të dashurisë së princit me Anarkalen njerëzit thanë se burimi i këtyre filizave në ngjyrë zjarri ishte zemra e Anarkales e mbushur plot me dashuri. Sipas atyre Anarkalja në një farë mënyre e kishte çarë murin e gurët dhe kishte arritur t’ia tregonte veten edhe një herë të dashurit që e priste jshtë murit.
Feyzi Halıcı kur e dëgjon këtë legjendë të dhimbshme frymëzohet shumë prej saj dhe shkruan një vjershë të tillë aq sa Çinuçen Tanrıkorur me udën kompozon një këngë, një kryevepër që rikujton të gjitha dashuritë e shenjta që janë jetuar në histori.
Burimi: http://www.trt.net.
Per”Alba – Dansk” shkodrani
Leave a Reply