
«Ka informacione dhe studime të ndryshme që fëmijët me prejardhje të huaj kanë vështirësi më shumë se fëmijët zviceranë, por kjo duhet të jetë motivacion që ne duhet t’i ndihmojmë fëmijët tanë që të jenë të suksesshëm dhe, nëse ata arrijnë sukses me gjithë këto deficite, është një sukses i dyfishtë i tyre»
Familja me statusin e saj social dhe edukativ, si dhe rruga me të cilën bashkëshortët rrisin fëmijët e tyre janë disa nga faktorët që mund të parandalojnë të rinjtë që të mos kriminalizohen në shoqërinë zvicerane.
Kështu u tha në ligjëratën që ishte organizuar të shtunën nga shoqata „Parandalo“ në Cyrih me temën “Si t’i parandalojmë të rinjtë të mos bien pre e krimit në shoqëri”.
Në fillim sindikalisti Osman Osmani ka folur për diskriminimin institucional dhe strukturor që i bëhet rinisë me prejardhje të huaj në Zvicër, e që, sipas tij, është një pjesë e problemit.
Ndërsa pjesa tjetër i takon vetë komunitetit, ka thënë Osmani.
„Ne duhet të jemi të kujdesshëm si komunitet për pozitën e rinisë tonë dhe aty ku kemi mundësi të ofrojmë ndihmën tonë ose të kërkojmë ndihmën e të tjerëve dhe të shohim bashkërisht për të siguruar një perspektivë më të mirë arsimore për të rinjtë. Investimi në rininë tonë do të jetë investim për ardhmërinë e tyre, por edhe për vendin tonë amë, se vetëm një rini e shëndoshë dhe e aftë do të ishte e dobishme për familjen, por edhe për komunitetin dhe vendin amë“, ka thënë ai.
Kryetarja e shoqatës „Parandalo“, Valdete Hoti, ka prezantuar shkurt para të pranishmëve edhe një herë punën që bën shoqata e tyre në Cyrih.
Hoti tha të kenë gjetur mbështetjen e institucioneve zvicerane, po edhe të profesionistëve shqiptarë që shoqata të veprojë në mënyrë parandaluese në raste të konflikteve dhe dukurive të tjera negative të komunitetit.
Ajo ka thënë se shoqata është jopolitike e jofetare dhe angazhohet të parandalojë të keqen dhe të përmirësojë imazhin e shqiptarëve.
“Shpesh pyesin se ku e gjejmë gjithë atë energji duke punuar me zemër për të gjetur zgjidhje në raste të ndryshme. Përvoja ime jetësore, po edhe e Xhemajlit, na ka mësuar të luftojmë për jetën, andaj dhe mundohemi të gjejmë gjithëherë një mundësi për zgjidhje“, tha Hoti para ligjëratës së referuesve Bedri Krasniqi dhe Orhan Spahiu.
Në trajtimin e temës „Si t’i parandalojmë të rinjtë të mos bien pre e krimit në shoqëri“, pedagogu Bedri Krasniqi, si referues i kësaj ligjërate, tha se përveç institucioneve të këtushme, barrën kryesore e mbajnë prindërit në edukimin e mirë të fëmijëve të tyre.
Por, nga ana tjetër, ai mendon se asnjëherë nuk pyeten prindërit se në çfarë gjendje shpirtërore dhe materiale janë dhe sa ndikon pozita e tyre në edukimin e fëmijëve.
“Megjithatë, nëse prindërit investojnë kohë të mjaftueshme kur janë fëmijët e tyre të vegjël, atëherë kanë investuar për të ardhmen e tyre”, ka thënë Krasniqi.
Prindërit shqiptarë nuk kërkojnë këshilla
Zvicra ofron mundësi për të shfrytëzuar këshillat që nuk i dinë prindërit në edukimin e fëmijëve dhe është mirë, sipas pedagogëve, që t’i shfrytëzojmë këto benefite të institucioneve.
«Nga përvoja ime prindërit shqiptarë nuk e kanë gatishmërinë të trokasin në dyert e institucioneve, për shkak se e konsiderojnë si pikë të dobët që nuk po arrijnë të kujdesen për fëmijët e tyre”, ka thënë Krasniqi.
Ai i ka këshilluar prindërit shqiptarë që të mos ngurrojnë dhe t’i shfrytëzojnë institucionet për të siguruar këshilla të nevojshme për trajtimin e fëmijëve kur kanë probleme.
Fëmijët shqiptarë e kanë edhe problemin e prejardhjes
Por, fëmijët shqiptarë e kanë edhe problemin e prejardhjes, ngase prindërit e tyre janë rritur në rrethana sociale e shoqërore të tjera.
«Ka informacione dhe studime të ndryshme që fëmijët me prejardhje të huaj kanë vështirësi më shumë se fëmijët zviceranë, por kjo duhet të jetë motivacion që ne duhet t’i ndihmojmë fëmijët tanë që të jenë të suksesshëm dhe, nëse ata arrijnë sukses me gjithë këto deficite, është një sukses i dyfishtë i tyre», tha në këtë ligjëratë Krasniqi.
Ai mendon se fëmijët shqiptarë kanë më shumë nevojë për përkrahje dhe kujdes se fëmijët vendës edhe për shkak të elementit të diskriminimit.
Ligjet e rrepta për shkelësit e ligjit
Juristi shqiptar, Orhan Spahiu, nga ana tjetër ka folur për konsekuencat ligjore që kanë veprimet e kundërligjshme në Zvicër.
Ai ka folur për statistika të delikteve të kryera në mesin e të rinjve.
«Dënimet më të shpeshta janë për vjedhje, por më të shpeshtaj janë edhe ato me lëndime trupore, këtu përfshihet edhe dhuna në familje. Por, krimi nuk ka kulturë», thekson Spahiu.
Spahiu ka folur edhe për ashpërsimin e ligjit në komunikacion.
“Kostoja në rastet kur kërkohet ekspertiza bart pasoja marramendëse financiare”, thotë ai.
Dënimet me burgim shkojnë nga 1 deri në 4 vjet për shkelësit e rëndë të ligjit në komunikacion (p.sh. tejkalim të shpejtësisë).
Edhe për dhunën në familje Spahiu ka bërë të njohur ndryshimet e kodit penal, me të cilin procedimi i ndjekjes së një rasti ndaj dhunës në familje bëhet pa kërkesën e njërit nga bashkëshortët.
«Ligji vepron shumë shpejt dhe në shumë raste paraburgimi është i pashmangshëm për rastet e dhunës në familje», tha Spahiu.
Edhe martesat e dhunshme dënohen me nen të veçantë të kodit penal. Dënimet me burgim shkojnë deri në 5 vjet, thotë juristi Spahiu. Më pas ai ka folur për pasojat e regjistrit të denimeve/hetimeve (strafregister) nga shkelësit e ligjit.
Ligjërata është organizuar nga shoqata “Parandalo”, në bashkëpunim me aktivistët e sindikatës “Unia”, shoqatat “A. Moisiu“ dhe “ProIntegra”, në kuadër të “Projektit 2013”, të financuar nga Enti për Integrim i qytetit të Cyrihut.
..
Sevdail Tahiri
Alinfo.ch
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply