Mosnjohja e gjuhës nuk guxon të jetë pengesë për shfrytëzimin e shërbimeve kualitative shëndetësore, u tha veç tjerash në Konferencën Nacionale për Shëndetësinë dhe Migracionin
Qasja e personave me prejardhje të huaj në shërbimet mjekësore që ofrohen në Zvicër është diçka e nënkuptueshme ashtu sikur dhe për të tjerët. Por shfrytëzimi i këtyre shërbimeve është shpeshherë i lidhur me probleme specifike, të shkaktuara kryesisht nga barrierat gjuhësore dhe të kuptimit. Për të zbutur këto probleme, gjegjësisht për të siguruar efektin e duhur të trajtimit mjekësor edhe te popullata me sfond migracioni, në Zvicër në nivel nacional, deri në vitin 2017 është në funksion një projekt që mbështet shërbimet e përkthimit/interpretimit nëpër spitale.
Shërbimi i interpretimit si ndihmesë në sigurimin e shërbimit shëndetësor efektiv për të huajt, por në një plan më të gjerë, ka qenë një temë bosht e Konferencës së Parë për Shëndetësinë dhe Migracionin, që u organizua në fund të javës së kaluar në Bernë.
Përveç bartësve të projekteve të veçanta regjionale që lidhen me qasjen e të huajve në shërbimet mjekësore, në konferencë morën pjesë edhe autoritete të lëmit të shëndetësisë në nivel të shtetit të Zvicrës. Ndërsa për të plotësuar spektrin me përvojat nga jashtë, me kontributet e tyre u paraqitën përfaqësues prestigjiozë spitalesh universitare nga SHBA, Holanda etj. Ndër ta ka qenë Alexander R. Green nga Massachusetts General Hospital dhe profesor në fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Harvardit, David Ingebly nga Universiteti i Amsterdamit etj.
Serge Houmard koordinator i projektit “Migrant Friendly Hospital Project” ka prezantuar fillimisht objektivat e konferencës, që janë sigurimi i qasjes në shërbimet mjekësore për të gjithë pa dallim gjuhe dhe prejardhje, sigurimi i komunikimit përkundër barrierave gjuhësore etj.
Paralajmërime për “shtrëngim te rripit” nga BAG
Konferencën, në emrin e Zyrës Federale për Shëndetësi (BAG) e ka përshëndetur zëvendësdrejtori, Stefan Spycher. Ai ka shpalosur me këtë rast strategjinë “Shëndetësia 2020” të hartuar nga zyra që përfaqëson dhe ka marrë pjesë në debatet, shpesh edhe të nxehta, gjatë konferencës.
Në vitin 2017 ndërpritet projekti i buxhetimit të përkthimeve në spitale. Ndërkohë do të ketë një vendim politik nëse do të gjendet ndonjë zgjidhje tjetër, ka bërë me dije Spycher.
Sigurimi i kualitetit të shërbimit mjekësor në raport me të huajt nënkupton investim në cilësinë e përkthimit, interpretimit. Por ky investim është i kushtueshëm dhe institucionet janë jo gjithmonë të gatshme të “hapin qesen”. Kjo kundërshti ka përshkuar edhe debatin në mes të palëve në konferencë.
Përfaqësuesit e spitaleve kanë kërkuar vazhdimin dhe avancimin e projekteve për mbështetje të përkthyesve, ndërsa nga BAG kanë ardhur sinjale frenuese në këtë drejtim. Sipas kësaj të fundit, kantonet dhe vetë spitalet duhet të gjejnë zgjidhje alternative e kreative dhe të mos presin që federata të financojë përjetësisht këtë segment të shëndetësisë.
Përvojat nga SHBA sa i përket problemeve me pacientët, që janë folës të gjuhëve të huaja, i ka sjellë Lourdes Sanchez, nga spitali universitar i Nju Jorkut. Rreth 20% të banorëve të SHBA-së, ose 55 milionë sish flasin në shtëpi një gjuhë tjetër nga anglishtja. Prej tyre spanjishten e flasin 37.6 milionë, ka thënë Lourdes. Ajo ka treguar se sa i përket përkthimit në spitale nuk ka një zgjidhje unike për gjithë SHBA-në por ka raste ku, sikur në Boston Medical Center, është në dispozicion shërbimi special për përkthim nga spanjishtja, etj.
Një përvojë interesante e shpalosur në këtë konferencë ka qenë ajo e spitaleve të Solothurnit, që kanë një rrjet të përbashkët për përkthim në shërbim të pacientëve. Një punë shumë delikate dhe që realizohet me përkushtim të madh nga të gjitha palët e involvuara, u vlerësua nga bartësit e saj.
58% të pacienetve, me prejardhje të huaj!
Ndërsa Dr. Sylvie Schuster nga Spitali Universitar i Bazelit ka bërë një paraqitje të hollësishme të përvojave me përkthimin që ky spital i ka nisur relativisht herët. Sipas statistikave, në Bazel, në vitin 1987 kanë jetuar 20% të huaj, ndërsa në vitin 2011, kjo përqindje është rritur në 33% , që është dukshëm mbi mesataren e Zvicrës. Por, përqindja e të huajve të shtruar në spitale është edhe më e lartë, gjegjësisht 35.6 %. Madje, në spitalin e grave janë 58% të pacienteve me prejardhje të huaj, ka theksuar dr.Schuster!
Të huaj të punësuar në spitalet e atjeshme janë 26% ndërsa shërbimi i përkthimit në Spitalin Universitar funksionon që nga viti 1987. Fillimisht ka qenë vetëm në gjuhën turke ndërsa tash përkthimi ofrohet nga 75 gjuhë.
Përtej përvojave të mira dhe atyre më pak të mira që u prezantuan, çështja rreth të cilës u soll debati ne konferencë ishte pak a shumë kjo: a shpaguhet cilësia, a duhet të kursehet në përkthim dhe dilema etike që sjell një kursim i tillë. Kursimi në këtë pikë, nga perspektiva e profesionit human të mjekëve vë në pikëpyetje detyrimin e tyre për të ofruar shërbime pa dallim. Mosnjohja e gjuhës nuk guxon të jetë pengesë për shfrytëzimin e shërbimeve kualitative shëndetësore. Por, pati edhe qasje që kërkonin nga pacientët me prejardhje të huaj që të mos presin çdo gjë të gatshme dhe të marrin mundimin për të mësuar gjuhët e vendit ku jetojnë.
Bodenmann: Duhet të avancojmë cilësinë e komunikimit me pacientët me prejardhje të huaj
Prof Patrick Bodenmann nga Spitali Universitar i Lozanës CHUW është njëri ndër organizatorët e konferencës. Ai, i pyetur nga albinfo.ch, flet për synimet e konferencës dhe vë theksin me këtë rast në domosdonë e shërbimeve efektive mjekësore që duhet t`i gëzojnë edhe migrantët, pavarësisht barrierave gjuhësore.
Bodenmann tregon për përvojat e tij dhe të spitalit që përfaqëson, me pacientët nga vitet 90 që vinin si refugjatë nga luftërat në Ballkan. Kjo, sipas tij, ka qenë një shtytje për këtë spital që të mendojë më seriozisht rreth përforcimit të shërbimit të përkthimit dhe interpretimit.
Ai thotë se ka edhe mjaft zviceranë, të lindur e të rritur këtu, që kanë vështirësi në kuptimin e termave mjekësorë dhe si rrjedhojë, nuk janë sa duhet të njohur me gjendjen e tyre shëndetësore. “Aftësitë për kuptimin e koncepteve janë të ndryshme, sipas shkallës së arsimimit të pacientëve. Ne po perfeksionojmë kompetencat tona profesionale por ne duhet të bëjmë edhe përparime në komunikim me pacientët, sidomos me ata të huaj”, ka theksuar veç tjerash Bodenmann.

Blerim Shabani
Alinfo.ch
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply