![]()
“Gjimnastika e syrit ndihmon mirëqenien e njerëzve, sepse ajo aktivizon stimulimin elektro-magnetik të trurit dhe relaksin e trupit, që do të thotë se, ajo pakëson tek ata stresin e jetës së përditshme”
Gjimnastika e syrit
(Prof. Dr. Xhelo SULO)
Ky shkrim i drejtohet kryesisht lexuesve që njohin, vlerësojnë dhe zbatojnë mirë gjimnastikimin e muskulaturës së trupit në përgjithësi, por që mbase nuk e kanë vendosur në vëmendjen e tyre, gjimnastikimin e muskujve të syrit. Ndërkohë, ky shkrim u drejtohet edhe lexuesve të tjerë, që mbase nuk e zbatojnë gjimnastikimin e muskulaturës së trupit, por që do të dëshironin të përftonin mirësi shëndetësore, vetëm nga gjimnastika e muskujve të syrit.
(Shënim: Sigurisht që syri është një organ çift, por sidoqoftë, ai është një organ, si çdo organ tjetër i trupit tonë dhe prandaj e emërojmë në numrin njëjës).
“Ne nuk shikojmë me syrin, por me trurin?”
Valët e dritës që reflektohen nga një objekt çfarëdo i mjedisit të jashtëm (nga një pemë p.sh.), depërtojnë në brendësi të globit të syrit, fillimisht nëpërmjet kornesë. Korneja përfaqëson shtresën e parë të syrit, e cila qëndron si një kube transparente, në pjesën e përparme të globit të tij.
Drita vazhdon rrugën nëpër të ashtuquajturën “pupila” ose porta rrethore e syrit. Pjesa unazore e pupilës vishet nga një shtresë indore e ngjyrosur, që është quajtur “iris”.
Luhatja ose ndryshimi i sasisë së dritës, shkakton ndryshimin e madhësisë së pupilës së syrit. Kur drita që arrin në sy është e shndritshme ose në sasi pak më të madhe se më parë, pupila ngushtohet menjëherë ose bëhet më e vogël për shkak të “refleksit pupilar” ndaj dritës.
Fillimisht, valët e dritës që reflektohen nga një objekt i caktuar, thyhen (konvergojnë) pak në kornenë e syrit dhe pastaj edhe më shumë te “lentia kristaline”, që ndodhet menjëherë pas irisit dhe pupilës, që vazhdon pastaj te një nyje (pikë) që është pas sipërfaqes së pasme të lentes. Në këtë pikë, imazhi ose figura vjen e përpunuar, vjen së prapthi, si e përmbysur, që e thënë ndryshe, vjen kokëposhtë, ashtu sikurse vjen edhe e zvogëluar (sikurse tregohet në figurën e pemës që vijon).
Makula, e cila përfaqëson një pjesë të vogël të retinës fundore, (dallohet mirë edhe në figurën e mësipërme), siguron përfytyrimin (shikimin) më të mirë të mundshëm të çfarëdo figure që lokalizohet atje, në retinë.
Nëse syri konsiderohet si një lloj dhome e “aparatit fotografik”, retina është ekuivalenti i filmit celuloid brenda asaj dhome, ku regjistron fotonet e vockla të dritës që bashkëveprojnë me atë.
Në brendësi të shtresave të retinës, impulset e dritës tjetërsohen në sinjale elektrike, nga të ashtuquajturat qeliza fotosensible.
Këto të fundit (d.m.th. qelizat fotosensible), janë një lloj i veçantë qelizash nervore, në formë koni dhe shkopi (prandaj zakonisht njihen me emrat: “konet dhe shkopinjtë” e retinës.
Në vijim, sinjalet elektrike kalojnë në qelizat nervore ganglionare dhe pastaj në nervin optik të syrit. Nëpërmjet këtij nervi, sinjalet (impulset) elektrike arrijnë në zonën vizuale (optike) të trurit dhe përfundojnë në koren e hemisferave të trurit, te pjesa e pasme e kokës.
Pikërisht atje (në koren e hemisferave të trurit), sinjalet elektrike interpretohen ose “shikohen” nga truri, si një figurë, si një shëmbëlltyrë objekti ose si një imazh vizual.
Me fjalë të tjera, “ne nuk shikojmë me sytë tanë”, por në një farë kuptimi, “ne shikojmë me trurin tonë”. Syri është thjesht, aparati ku fillon procesi i shikimit, kurse truri është aparati ku realizohet shikimi. Pa trurin nuk do të kishte shikim, por edhe pa syrin nuk do të kishte shikim.
Lidhjet e syrit me trurin, trupin dhe organet e brendshme!
Thuhet shpesh se: “syri është një pjesë truri e dalë në mjedisin e jashtëm”. Ky përcaktim buron nga fakti sepse, syri ka në fundin e tij një shtresë specifike anatomike, që sikurse u theksua më parë, është quajtur “retina”. Retina është e formuar nga 10 shtresa histologjike, me disa tipa qelizash nervore ose “trunore”.
Të gjimnastikosh syrin në përgjithësi dhe të tonizosh retinën në veçanti, d.m.th. këtë shtresë nervore të trurit, do të thotë, të gjimnastikosh dhe tonizosh të gjithë trurin.
Thuhet gjithashtu se: “gjimnastika e muskujve të qafës, vlen jo vetëm për mirëqenien e qafës si pjesë e trupit, por vlen edhe për mirëqenien funksionale të të gjithë trupit”.
Kjo gjë mund të thuhet edhe për gjimnastikën e muskujve të syrit, që e lëvizin atë organ lart, poshtë, majtas, djathtas dhe që e rrotullojnë në sensin e duhur.
Pra, gjimnastika e muskujve të syrit është e vlefshme jo vetëm për mirëqenien funksionale të syrit si organ, por është e vlefshme apo e dobishme edhe për mirëqenien funksionale të trurit, rrjedhimisht edhe të gjithë trupit.
Një numër studimesh, sidomos nga ata që i përkasin mjekësisë alternative, dëshmojnë se, të gjitha organet e brendshme të njeriut lidhen drejtpërdrejt edhe me “irisin e syrit”. Iris quhet pjesa e syrit, që kur e shikojmë me vëmendje te tjetri, na duket si e shkruar, na duket e ngjyrosur, na duket e bukur.
Secili organ i brendshëm, përveç lidhjeve të ngushta që ka me trurin dhe sipërfaqen e trupit, nëpërmjet të ashtuquajturve kanale ose “meridianë të agopunkturës”, ka lidhje të drejtpërdrejta edhe me irisin e syrit. Këto lidhje i japin mundësi secilit organ të brendshëm, të ketë daljen ose përfaqësimin e tij në strukturën e syrit tonë, si dhe të ndikohen nga kjo dalje përfaqësuese.
Ashtu si ndikojnë pozitivisht në gjendjen tonë zbatimi i masazhit të trupit, vendosja e gjilpërave të agopunkturës në pikat specifike të sipërfaqes së tij etj., ashtu ndikon pozitivisht në gjendjen tonë të përgjithshme, trupore, mendore dhe shpirtërore edhe gjimnastika e syrit.
Në ditët me diell p.sh., gjendja shpirtërore/emocionale e njeriut në përgjithësi, është e mirë, e hareshme, optimiste, aktive etj. Përkundrazi, në ditët me vranësira të dendura, gjendja shpirtërore (emocionale) e njeriut, është si e zymtë, si e trishtuar, si pesimiste, si e plogështuar etj.
Në ditët me diell, ashtu si gjithë sipërfaqja e trupit edhe syri merr energji diellore, energji drite ose energji elektro-magnetike nga mjedisi i jashtëm. Këtë energji elektro-magnetike, retina e syrit e përcjell në drejtim të trurit nëpërmjet nervit optik, kurse irisi i syrit e përcjell në drejtim të trupit dhe organeve të brendshme (zemrës, stomakut, mushkërisë, veshkës etj., etj.), nëpërmjet sistemit të meridianëve.
Nga më sipër del se, syri ynë zotëron një lidhje të trefishtë: me trurin, trupin dhe organet e brendshme. Madje thuhet se, sistemi i zonave agopunkturore të irisit të syrit (skema e të cilit shihet në hartën e mësipërme), funksionon si një “aparaturë kontrolli në distancë” për organet e brendshme etj.
Procedura 9-shkallëshe e gjimnastikës së syrit!
Procedura 9-shkallëshe e gjimnastikës së syrit, nuk është thjesht dhe vetëm një gjimnastikë mekanike e syve, por mbi të gjitha, është një “gjimnastikë psikologjike” e dy hemisferave (gjysmave) të trurit. Tani mund të shikojmë shkurtimisht se: “në çfarë konsiston “procedura 9-shkallëshe”?.
Procedura 9-shkallëshe është një tërësi veprimesh metodike, që zgjat 1-2 minuta. Rreth 90% e veprimeve të kësaj metodike, duket sikur i shërbejnë drejtpërdrejt stimulimit të syrit, por në thelb i shërbejnë “stimulimit elektrik të trurit”.
Procesi i “procedurës 9-shkallëshe” realizohet duke kryer njëkohësisht:
• Disa “goditje ritmike” me majat e gishtave të njërës dorë, te një pikë energjetike (strategjike) të dorës tjetër, që është quajtur “pika e përshkallëzimit” e procedurës 9-shkallëshe.
• Disa lëvizje gjimnastikore të muskujve të kapakëve dhe muskujve të syrit, si dhe një lloj “këndimi & numërimi” me zë të qartë, krahas goditjeve te pika e përshkallëzimit.
Pra, brenda këtyre dy drejtimeve kryesore, përmblidhen tre lloj veprimesh metodike, që janë:
• Goditja ritmike e pikës së përshkallëzimit.
• Lëvizjet gjimnastikore të kapakëve dhe muskujve të syrit.
• Këndimi i një fragmenti kënge & numërimi rendor nga 1 deri 7, me zë të qartë, krahas goditjeve te pika e përshkallëzimit.
Tani le të bëjmë disa interpretime biologjike, rreth këtyre tre lloje veprimeve, që janë pjesë e brendshme e procedurës 9-hapëshe:
Interpretimi biologjik i metodikës gjimnastikuese të syrit
Nëse ju thoni p.sh. se: “dje kam punuar me intensitet të lartë”, dihet fort mirë se: “ju nuk keni punuar me të njëjtin intensitet të lartë, gjatë gjithë ditës”. E themi këtë, sepse dihet që, sistemet kryesore të trupit tonë, kohë pas kohe dhe pak e nga pak, lodhen.
Duke përmbledhur atë që ndodh në këtë “lodhje”, rezulton se: “procedura 9-hapshe” stimulon drejtpërdrejt shumë funksione të syrit, shumë funksione të trurit, si dhe shumë funksione të mushkërisë (frymëmarrjes) etj., sidomos kur ata janë pikërisht të lodhur.
Ndërmjet tyre, shumë specifik dhe shumë kryesor, është stimulimi i trurit nëpërmjet syrit. Ky stimulim 9-hapësh, fut në trurin tonë një informacion të ri, që i jep atij mundësinë të merret me këtë informacion dhe të përshtatet ndaj tij.
Stimulimi i trurit nëpërmjet procedurës 9-hapëshe, ndodh nga secili hap metodik i saj, por mbi të gjitha, ai nxitet nga dy hapat e veçantë të metodikës, hapa që i quajtëm, një lloj “kënge” dhe një lloj “numërimi”.
Stimulimi nëpërmjet “këngës” dhe “numërimit”, është shumë i ndjeshëm dhe i fuqishëm. Ky stimulim, nëpërmjet një këndimi dhe numërimi të shkurtër, aktivizon dy gjysmat (dy hemisferat) e trurit, njërën pas tjetrës, që njihen si “hemisfera e ligjërimit” (hemisfera e djathtë) dhe “hemisfera e matematikimit” (hemisfera e majtë).
Stimulimi metodik në përgjithësi dhe “stimulimi me këngë & numërim” në veçanti, ndihmon që truri (mendimi) të shkëputet nga ndonjë problem shqetësues ose stresues konkret. Ky stimulim e nxit mendimin të ndërrojë drejtim, të veçohet nga vatra nervore e stresit, të mënjanohet nga emocioni negativ dhe të hidhet te vatra nervore e argëtimit (gëzimit), pra të kalojë tek emocioni pozitiv. Pas kësaj edhe trupi fillon të orientohet qetësisht te vetvetja. Orientimi te vetvetja, është më i plotë dhe më i shpejtë, kur trupi merr furnizim shtesë me oksigjen, në këtë rast nëpërmjet frymëmarrjes së thellë.
Frymëmarrja e thellë, pjesë organike e procedurës 9-shkallëshe
Frymëmarrja e thellë është një element shtesë në procedurën 9-shkallëshe. Kjo sepse, personat e stresuar zakonisht, kanë ndër të tjera edhe vështirësi në frymëmarrje, pra kanë mosfurnizim ritmik të organizmit me oksigjen. Prandaj, gjimnastika e syrit duhet të fillojë dhe mbarojë me frymëmarrjen e thellë.
Rritja e sasisë së oksigjenit në gjak, është shumë e rëndësishme për shëndetin trupor dhe mendor në përgjithësi, prandaj dhe personi që e zbaton frymëmarrjen e thellë, shumë shpejt ndihet më mirë.
Inervimi i muskujve të syrit, shumë i veçantë!
Mirësitë e gjimnastikës së syrit dhe frymëmarrjes së thellë, si pjesë e procedurës 9-shkallëshe, lidhen edhe me disa veçanti të inervimit dhe aktivizimit të muskujve të zemrës, syrit e trupit:
Sigurisht, tkurrja-çtkurrja muskulare nuk mund të realizohet pa inervimin e muskujve. Muskujt e të dy syve, punojnë bashkërisht, njëkohësisht dhe në mënyrë të sinkronizuar, pikërisht në sajë të inervimit.
Forma e dytë e inervimit (inervimi i shumëfishtë), mundësohet nga fakti që fija nervore fillestare degëzohet në brendësi të secilës fibër muskulare. Në këtë rast, kompleksi “një fije nervore + shumë fibra muskulare” (mbi 160 të tilla), përbën atë që quhet “njësia motore” e muskulit. Brenda njësisë motore, fibrat muskulare mund të tkurren të gjitha njëkohësisht, por mund të tkurren vetëm disa prej tyre, në varësi të “energjisë” ose “tensionit së energjisë” që vepron tek ato.
Gjatë inervimit të shumëfishtë, fija nervore (e degëzuar) gjeneron një intensitet (tension) tkurrjeje, që ndahet proporcionalisht nëpër të gjitha fibrat muskulare, që inervon (aktivizon) ajo fije nervore. Numri i njësive motore brenda një muskuli dhe numri i fibrave muskulare aktive brenda çdo “njësie motore” të tij, përcaktojnë intensitetin e përgjithshëm tkurrës që prodhon ai muskul.
Kjo do të thotë se, çdo njëra nga fibrat muskulare të muskujve kryesorë të syrit përfaqëson një “njësi motore” muskulare konkrete, që inervohet nga një fije nervore më vete (një fije nervore e veçantë futet brenda një fibre muskulare të veçantë).
Frymëmarrja e thellë, realisht metodike!
Theksojmë edhe një herë tjetër se, në fillim dhe përfundim të procedurës 9-hapshe, bëhen 3-4 frymëmarrje të thella (maksimale). Një frymëmarrje e thellë në vetvete, duhet të ketë katër faza të qarta, që janë:
• Mbushja maksimale e mushkërisë, nëpërmjet hundës.
• Pushimi me mushkërinë plot.
• Zbrazja maksimale e mushkërisë, nëpërmjet gojës.
• Pushimi me mushkri bosh.
Secila fazë e kësaj frymëmarrjeje, duhet të ketë kohëzgjatje të barabartë. Si orientim i kësaj kohe të barabartë është numërimi me mendje, deri në 4.
Metodika e plotë e gjimnastikimit të syrit!
Metodika e plotë e gjimnastikimit të syrit, d.m.th. e ushtrimit që njihet si “ushtrimi 9-hapësh”, fillon me marrjen e pozicionit të nevojshëm.
Në këtë kuadër, ulur ose ngritur, personi qëndron disa metra larg një faqeje muri dhe me pozicionin “koka drejt”. Faqja e murit (nga tavani deri te dyshemeja) përfytyrohet si një “orë e madhe”, ku koka (hunda) orientohet te “qendra e orës”.
Pas këtij pozicionimi, kryhet frymëmarrja e thellë, sipas metodikës që përshkruam pak më parë.
Pastaj zbatohet “procedura 9-hapshe”, që krahas goditjes (trokitjes) te “pika e përshkallëzimit” me majat e gishtave të dorës, konsiston në veprimet e mëposhtme:
1. Mbyll sytë fortësisht- Hap sytë plotësisht (koka në nivelin e qendrës së orës)-(4 herë).
2. Lëviz sytë lartë-poshtë (nga ora 12: 00 deri te ora 06:00)-(4 herë).
3. Lëviz sytë nga e djathta në të majtë & anasjelltas (nga ora 03:00 deri te ora 09:00)-(4 herë).
4. Rrotullo sytë, duke filluar nga ana e djathtë për në anën e majtë, në mënyrë të tillë sikur hunda është orientuar te qendra e “orës” dhe sikur ju shikoni të gjithë numrat e saj, me radhë (4 herë).
5. Rrotullo sytë, duke filluar nga ana e majtë për në anën e djathtë, në mënyrë të tillë sikur hunda është orientuar te qendra e “orës” dhe sikur ju shikoni të gjithë numrat e saj, me radhë (4 herë).
6. Këndo me zë dhe melodi të qartë një varg kënge (p.sh. nga kënga e urimit të ditëlindjes: (shumë urime për ty etj.) (3 herë).
7. Numëro shpejt, nga 1-7.
8. Këndo sërish me zë dhe melodi të qartë një varg kënge nga kënga “shumë urime për ty” ose më mirë, një varg të një kënge tjetër (3 herë).
9. Numëro shpejt mbrapsht, nga 7-1
Nga ky parashtrim metodik, del se, “procedura 9-shkallëshe”, fillon me përcaktimin (gjetjen) e të ashtuquajturës “pika e përshkallëzimit”.
“Goditja metodike” te “pika e përshkallëzimit” dhe lëvizja metodike e muskujve të syrit, dërgojnë në tru “sinjale” qetësimi. Në mënyrë figurative, ata (sinjalet) duket sikur i “thonë/tregojnë” trurit se: “ju tashmë jeni i çliruar, i siguruar, i shëruar”.
Disa çaste më parë, ai tru i paqetë dërgonte në drejtim të trupit substancat (hormonet), që prodhoheshin si rezultat i reagimit të tij ndaj stresit. Tani, pas gjimnastikës metodike të syrit, tek ai (truri) gjenerohen një varg sinjalesh pozitive, që nxitin qetësimin. Pas kësaj, truri fillon të ripërshtatet, të rikthehet dhe të rimësohet me ritmin normal të punës, me ritmin normal të sigurisë.
Sinjalet e sigurisë që prodhon “gjimnastika e syrit”, duket sikur “flasin” edhe me makinerinë e stresit brenda trurit dhe i “thonë”: “makineri shkëputu nga puna, dil nga lufta, pusho, qetësohu, çlodhu”.
Në tërësi metoda e përshkruar, nxit mendimin e shumëfishtë pozitiv.
Argumenti kryesor teorik i gjithë asaj që ndodh është se: “metoda e gjimnastikimit të syrit, ndikon në rrjetën e memories trunore dhe aktivizon aty shuarjen e kujtimeve të hidhura dhe përshtatjen ndaj realiteteve logjike ose ndaj aspekteve kuptimore të atyre realiteteve”.
Në këta kushte të reja, stresi, kujtimi i hidhur etj., transformohet në lidhje të reja logjike, më pozitive, më realiste. Kjo shpie te një lloj transformimi të emocionit negativ, shpie te një përmirësim i gjendjes shpirtërore të individit të hidhëruar. Individi i stresuar e sjell ndërmend rastin apo incidentin, por me një këndvështrim të ri. Ai e analizon shqetësimin me një mprehtësi të re. Kësisoj, gjimnastika në fjalë pakëson dhe largon gjendjen e dëshpërimit ose shqetësimit.
Pavarësisht nga konsideratat e mësipërme, duhet thënë se: “nuk ka një shpjegim përfundimtar për atë se, si gjimnastikimi i syrit funksionon në brendësi të trurit”. Prandaj edhe ne theksojmë se: konsideratat që parashtruam deri këtu, lidhur me çështjen se si gjimnastika e syrit ose “procedura 9-hapëshe” (si një stimulim i jashtëm), lehtëson procesin traumatik brenda trurit (memories), tani për tani, është mirë të konsiderohen si vlerësime thjesht empirike (shqisore).
Disa autorë, që duket se i përkasin kampit të quajtur “skepticizmi mjekësor”, theksojnë se: lëvizjet e syve janë një “epifenomen” i panevojshëm, prandaj dhe gjimnastika e syve mund të konsiderohet thjesht, një lloj “desensibilizimi”.
Ka edhe nga ata autorë që shtojnë se: “Nuk ka rëndësi nëse një dele është e bardhë apo e zezë, e rëndësishme është që ajo lind qengja dhe prodhon qumësht”.
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply