Vizita e kryeministrit Edi Rama në Kosovë ka shkaktuar reagimin e ish-parardhësit të tij Sali Berisha, e cili e ka cilësuar si një vizitë përçarëse. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Berisha akuzon Ramën për injorimin e rolit të ish-presidentit Rugova, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.
“Në një akt përçarës të paimagjinueshëm z.Rama injoroi tërësisht në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës rolin e Presidentit Rugova, arkitektit të Kosovës së Pavarur. Me këtë qëndrim të pashembullt z.Rama detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit gjatë fjalës së tij dhe lëndoi thellë jo vetëm qytetarët e Kosovës por dhe mbarë kombin shqiptar. Roli dhe vepra e pavdekshme e Presidentit Rugova është unike në tërë historinë tonë kombëtare. Ai me forcën e pathyeshme të besimit tek e drejta e popullit dhe vendit të tij shpalli, nën pushtimin e egër serb, pavarësinë e Kosovës, ngriti pushtetin paralel të shqiptarëve kundër pushtetit të okupatorit, mbrojti çështjen e drejtë të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë e mëdha të Europës. Pas çlirimit të Kosovës nga UÇK, luftëtarët e saj të lirisë dhe NATO, si presidenti i parë i Kosovës së lirë ai udhëhoqi me mençuri dhe vendosmëri vendin drejt Pavarësisë. Nder përjetë veprës së pavdekshme dhe kujtimit të ndritur të Presidentit Rugova!”- shkruan Berisha, i cili shton më tej se një kryeministër i dekretuar nuk mund të bëjë vizita zyrtare, “por mendoj se ky rregull nuk ka vlerë në rastin e dy kryeministrave të kombit tonë”.
Postimi i Berishës erdhi pas publikimit të lajmit se kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri e ka “dënuar” fjalimin e kryeministrit Edi Ramës, sot në Kuvendin e Kosovë. Të paktën kështu shkruan sot e përditshmja kosovare, Zëri.
Menjëherë pas takimit të mbajtjes soleme në Kuvend, mësohet se Ismet Beqiri i është drejtuar gazetarëve me një deklaratë, ku ka thënë se kryeministrit Edi Rama, në asnjë moment nuk ka përmendur historinë e krijimit të shtetit ë Kosovës, përkatësisht rolin e ish –presidentit Ibrahim Rugova dhe kohën kur ai ishte i angazhuar për krijimin e shtetit të Kosovës.
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply