Nga Renaldo BREGU*
Fare mirë data e zgjedhjeve për Parlamentin e ri mund të ishte data 18 ose 25 Gusht 2013 me qëllim që të ishte në harmoni me ditën e fundit të mandatit të deputetëve që u mbaron. Ndërkohe nuk do kishim një trazicion, ndërrim pushtetesh prej tre muajsh, krejtësisht të panevojshëm, stresues dhe nxitës korrupsioni për nëpunësit publik të shoqëruar me një shkallë të lartë papërgjegjshmërie nga qytetarët të cilët tashmë janë ekspert për të nuhatur se në cilat kushte shteti e bën vërtetë detyrën e tij.
Na janë bërë këto tre muaj duke na krijuar idenë, iluzionin, perceptimin që edhe po të duam të kërkojnë ndonjë shërbim nga administrata publike, në të pandërgjegjshmen tonë u japin të drejtë atyre, që mos na shërbejnë, u japim të drejtë të na kërkojnë ryshfet hapur, të na nëpërkëmbin, madje edhe kur dëmtohemi materialisht ose fizikisht nuk e shikojmë të arsyeshme për hir të situatës të kërkojmë drejtësi institucionale!
Po të llogarisim këtu edhe dy muaj përpara fushatën elektorale, kohe fushate elektorale kjo e njohur me ligj, por jo vetëm kaq, sepse nuk mund të tregohemi kaq racional duke jetuar në Shqipëri, ç’ka do të thotë që kemi të paktën edhe një muaj përpara datës zyrtare të fillimit të fushatës ku partitë politike e fillojnë më herët fushatën, e cila përkthehet;
Tre muaj fushatë e barabartë me tre muaj përqendrimin e të gjitha energjive të çdo buxhetori, të çdo punonjësi në administrate, megjithëse në kundërshtim me ligjin angazhimi i tij hapur politik, por kjo është çështje mbijetese sepse edhe administrata publike nga halli angazhohet në fushatat elektorale, dhe këtu e kam fjalën për të paktën 70% prej tyre. E gjithë kjo në interes të Partisë në Pushtet, dhe në dëm të interesit publik, pasi që bien ndjeshëm shërbimet ndaj tij në këtë periudhë ndaj qytetarit. Nga krahu tjetër opozitar kemi karikim energjish, por përderisa është në opozitë nuk e shikojmë shqetësues për interesin e publikut, kohën se kur ajo e fillon fushatën elektorale.
Por nuk mbaron me kaq, sepse ne Shqiptarët e kemi përvojën parazgjedhore, ajo që na suprizon këtë herë është që po njihemi për herë të parë ndoshta, me një praktikë politike të ndërrimit të pushteteve të panjohur më parë. Për 100 ditë rresht ne shqiptarët e varfër mbajmë në kurriz dy qeveri, të cilave po t’u heqim vetëm pagat e deputetëve dhe të ministrave të rinj, atëherë të gjitha shpenzimet e tjera qeveritare kanë kosto sa për dy qeveri paralele.
Më herët qeveria në ikje para 4 vjetësh na brendësoi në mendjet tona që është normale për një vend pune në administrate, shteti të paguaj sa për dy vende pune, sepse ishin me qindra ata nëpunës publik që ishin larguar padrejtësisht nga puna dhe që kishin fituar një vendim gjykata për dëmshpërblim, por deri këtu jemi në rregull me veten sepse jemi në rregull me ligjin, por në ndërrimin e pushteteve kush qeveri është “ilegale” në këtë rast lind pyetja, ose pse ishte nevoja që zgjedhjet të zhvilloheshin tre muaj përpara!?
Kjo është një pyetje që përgjigjen e dinë duke filluar nga nxënësit e shkollës 9-vjeçares dhe deri tek qytetari më indiferent i kësaj Republike që mund të jetë diku në majë të malit me bagëtinë e tij!
Kur ka ndodhur ndonjëherë që në 23 vjet demokraci në Shqipëri, që KQZ-ja atëherë e plotë në numra jo si kjo aktualja, të bënte certifikimin e zgjedhjeve kaq shpejt, pa kaluar të paktën 2 muaj!? Asnjëherë, dhe t’i përjashtojmë të gjitha rastet e zgjedhjeve parlamentare dhe vendore kemi rastin më të freskët, atë të Tiranës ku fituesi njëherë doli 10 vota plus, “pastaj”, e kam fjalën jo pastaj në procedurë, sepse procedura mban në këmbë institucionet, por pastaj në kohë, kalon pak kohë dhe fituesi del humbës, dhe pastaj e shtyjmë dhe pak në kohë dhe i bëjmë një certifikim zgjedhjeve me fituesin humbës, me humbësin fitues dhe diçka e kësaj natyre mjegull e gjitha për opinionin publik, lodhëse dhe e pabesueshme. Pas më shume se tre muaj dallaveresh institucionale në Maj, Qershor, Korrik ndoshta dhe Gusht 2011, u mandatua Kryetari i Bashkisë, por pa ndonjë interes për publikun në vazhdim, sepse në fund të fundit po duket dhe aktualisht këto dy vjet çfarë mund të jetë bërë ndonjë gjë në Tiranë e tipit, vendosja e gjashtë kapakëve pusete në rrugë dhe nja dy lisharsa për fëmijët në qendër të Kombit, ku për t’ia treguar publikut punën e bërë vihet në lëvizje njeriu që përfaqëson ligjërisht 800 mijë banorë, dhe ashtu si i palodhur inauguron ku konkretisht ndonjë gjë të vogël, dhe ku duke qeshur ndonjë projekt që nuk dihet sesa kohë ka që qëndron në letër!
Tani, më thoni ju mua, vërtet pati pak konfuzion në publik, dhe fituesi nuk u kuptua sa real ishte, por ç’rëndësi ka, me pak përpjekje institucionale dhe me një sjellje politike absurde u bënë zgjedhjet.
Tani, ose ishte përgatitur i njëjti skenar nga pushteti në qoftë se rezultati i zgjedhjeve do ishte i ngushtë, dhe pushtetit i duheshin të paktën dy muaj kohë për të bërë dallaveret e tij të “certifikuara” si normale nga vetja deri tani, por padrejtësisht, ose qytetari bëri “gabimin” më të madh që i dha vota të padiskutueshme mazhorancës së re për të qeverisur, dhe humbi pa parë një teatër politik që vetëm politika shqiptare mund të t’a ofrojë, duke kaluar një verë, duke kaluar tre muaj në një gjendje “agresive” për shoqërinë e cila u mendua këto gjashtë muaj t’a bëj shtesën e katit ose jo, për administratën publike e cila u mendua këto gjashtë muaj të vjedhë hapur apo të vjedh fshehurazi, për qeverinë në ikje e cila u mendua këto gjashtë muaj të firmos 2 apo 12 VKM në interesin “e publikut” në dukje, për mazhorancën e re këto tre muaj e cila në dukje është një mace e shëndetshme por se çfarë e pengon të ndali “minjtë apo zogjtë” që i sillen pambarimisht nëpër këmbë dhe nëpër hundë dhe ajo nuk ka çfarë t’u bëjë.
Kështu ndodh kur ke në mëndje dallaveret, gjashtë muaj trazicion politik, përkthehet në 1/8 e kohës së një mandati të plotë, dhe kjo llogaritje kohore vlen të them nuk është prej meje, por vjen nga Facebook-u, vjen nga qytetarët që ironizojnë kohën e gjatë të ndërrimit të pushtetit, ku unë thjesht sa mora një nxitje për të shkruar këtë opinion politiko–social sipas këndvështrimin tim.
*Administrator në Qendrën Komunitare “E Drejta që Buron nga Ligji”
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply