Në vitin 1950, qeveria e Gjermanisë Lindore pretendoi se amerikanët po e bombardonin me buburrecë patatesh në fushat bujqësore të këtij vendi me synimin për të sabotuar ekonominë e tyre. Çfarë të vërtetash ka në këtë pretendim?
Më 23 maj 1950, fermeri Max Troeger vuri re dy avionë amerikanë që po fluturonin mbi fushat e tij në fshatin Shoenfels beu Zuikau në Gjermaninë Lindore. Mëngjesin tjetër, ai u trondit nga një fletëvolant i qeverisë së Gjermanisë Lindore – ku mësoi se fushat e tij qenë bombarduar me buburrecët e patates së Kolorados, një insekt që mund të shkatërrojë të mbjellat e patates.
I përshkruar fillimisht më 1824, buburreci qe një kërcënim madhor i përhershëm për bujqësinë evropiane, pasi ai mbërriti në këtë kontinent bashkë me patatet e importuara nga SHBA vonë në shekullin e nëntëmbëdhjetë.
A qe me të vërtetë që Amerika qëllimisht po bombardonte me këto insekte shtetin socialist për të sabotuar të mbjellat e saj dhe për të minuar rindërtimin e pasluftës?
Shtypi i Gjermanisë Lindore raportonte një numër rastesh të tjera në të cilat avionët e perëndimit fluturonin në kuotë të ulët dhe këto fluturime shoqëroheshin nga murtaja e buburrecëve të patates.
Politikanët folën me zemërim kundër “ambasadorëve me gjashtë këmbë të pushtuesve amerikanë” dhe një raport i qeverisë përshkroi ngjarjen si një “sulm kriminal nga imperialistët amerikanë të etur për luftë mbi furnizimin ushqimor të popullit tonë”.
Kështu, vendi filloi të mobilizohet kundër insekteve armike.
Pati një fushatë të stërmadhe propagandistike – fletëvolante, postera, lajme në gazeta – ku përshkruheshin buburrecët e patates si ushtarë të veckël amerikanë me çizme ushtarësh apo helmeta. Ato u quajtën Amikafer – buburrecat Jenki.
Fëmijët nga e gjithë Gjermania Lindore u nxorën në fusha për të mbledhur buburrecët pas shkolle.
“Ne na thanë se buburrecët e patateve qenë një insekt i dëmshëm, dhe se ata qenë duke ngrënë të mbjellat tona duke shkretuar tokën”, thotë Ingo Materna, i cili qe 18 vjeç në atë kohë.
“Ne shkonin nëpër rreshtat e të mbjellave me patate dhe çdokush përpiqej të mblidhte sa më shumë buburreca që të kishin mundësi, ndoshta 20 apo 25 në një ditë. Ne i vendosnim ato në vazo apo shishe të vogla qelqi dhe autoritetet i merrnin për t’i shkatërruar. Ato me të vërtetë të rrezikshme qenë larvat, për shkak se hanin më shumë”, thotë Materna.
“Ato qenë të qullëta e të buta e ne duhej t’i kapnim me gishtat tonë – nuk kishim dorashka. Veçanërisht vajzat nuk e pëlqenin këtë punë… ne nuk deshëm t’i preknim gjithashtu, por çfarë mund të bënim?”
Buburrecat e Kolorados qenë sakaq të zakonshme në Gjermani para luftës, thotë Erhard Geissler, një ekspert i luftës biologjike në qendrën “Max Delbruck” për Mjekësinë Molekulare, i cili ka kërkuar historinë e insekteve.
Dhe më 1950, në fakt kishte shumë më tepër prej tyre nëpër fusha. Por kishte edhe shumë arsye të tjera për të mos mbështetur pretendimin se bëhej fjalë për një sulm biologjik, thotë Geissler.
“Nuk kishte mjaftueshëm pesticid të disponueshëm për shkak se nuk po prodhohej në sasinë e nevojshme ndërsa ajo që prodhohej dërgohej kryesisht për t’u përdorur nëpër fushat e Bashkimit Sovjetik. Nuk kishe as këshillim të mjaftueshëm teknik mbi pesticidet, ndërsa motivacioni në punë i punonjësve të fermave qe tepër i ulët në atë kohë – shumë nga punonjësit meshkuj të paraluftës kishin shkuar ushtarë. Ata qenë ende të burgosur në Bashkimin Sovjetik”.
Gjithsesi, shumica e gjermanolindorëve besuan se amerikanët e kishin fajin.
“Unë kam vërejtur se shumica e të moshuarve, veçanërisht në zonat rurale, mbanin mend se kanë qenë imperialistët amerikanë që i përhapën buburrecët duke na i hedhur nga aeroplanët”, thotë Geissler.
Por Indo Materna, i cili qe 18 vjeç në atë kohë, ka një mendim tjetër. “Ne nuk e morëm fare seriozisht propagandën”, thotë ai. Edhe pse ai dhe shokët e tij po mblidhnin me përtaci buburrecët, ata nuk qenë të bindur nga historia e komplotit kapitalist.
“Ideja se amerikanët po na bombardonin me to – qe natyrisht e pakuptimtë”.
Kjo qe periudha e Luftës së Ftohtë, një kohë mosbesimi të thellë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Për Maternën – i cili i ndau kujtimet e tij si pjesë e një projekti të historisë orale, Memoria e Kombit – qeveria po kapte çdo mundësi për të akuzuar amerikanët për sjellje të keqe.
“Disa nga historitë ka gjasa të kenë qenë të vërteta, ndërsa disa të tjera përfundimisht qenë sajesa”, thotë ai. “Kjo historia e buburrecëve qe një nga ato sajesa”.
Cilado qoftë origjina e buburrecëve, ato përbënin me të vërtetë një kërcënim serioz për bujqësinë e Gjermanisë Lindore.
“Patatet qenë gjëja kryesore që hanim në Gjermaninë Lindore në atë kohë”, kujton Geissler, i cili u rrit në Leipzig.
“Babai, nëna dhe unë mund të ndanim të gjithë një kokërr patate për mëngjes. Ne u tronditëm kur dëgjuam se furnizimi ynë ushqimor qe nën kërcënim”.
Edhe Materna e mban mend mirë rëndësinë e eliminimit të buburrecëve.
“Ne sapo i kishim mbijetuar Luftës së Dytë Botërore. Unë kam jetuar nën të katërta fuqitë pushtuese – ne kishim kaluar kohë shumë të vështira”, thotë ai.
“Pra nëse kishte buburrecë patatesh, ne duhej t’i hiqnim qafe ato në mënyrë që të kishim mjaftueshëm patate për të ngrënë. Qe kaq e thjeshtë”.
Ideja e avionëve armiq që hidhnin buburrecë patatesh mbi fushat e armikut nuk qe gjithsesi e paimagjinueshme. Nga njëra anë, avionët amerikanë po fluturonin me të vërtetë në kuotë të ulët në disa pjesë të Gjermanisë Lindore në atë kohë – pasi po dërgonin furnizime në Berlinin Perëndimor nën bllokazh.
Dhe, thotë Erhard Geissler, shumë qeveri sakaq kishin menduar për mundësinë e përdorimit të buburrecëve të patates si një armë lufte – megjithëse ai nuk ka gjetur prova që të tregonin se ato u përdorën me të vërtetë në praktikë.
Britanikët menduan t’i hidhnin ato në Gjermani gjatë Luftës së Parë Botërore për shembull. Dhe megjithëse Hitleri e pati ndaluar kërkimin aktiv mbi luftën biologjike, një grup i vogël shkencëtarësh gjermanë kryen disa testime duke hedhur buburrecë të shumuar me kujdes nga avionët më 1943. Ideja u braktis shpejt.
Në Gjermaninë Lindore më 1950, Ministria e Bujqësisë komisionoi një raport për të mbështetur akuzat e veta se amerikanët po bombardonin vendin me buburrecë, përfshirë intervista me dëshmitarë dhe ekspertë.
Por “ekspertët” e cituar në kërkim nuk kishin pasur asnjë publikim të mëparshëm studimesh mbi buburrecin e patates apo ndonjë specie tjetër invazive, thotë Geissler, ndërsa komuniteti përbëhej përgjithësisht nga politikanë, jo shkencëtarë.
Kështu, ai del në konkluzionin se historia u sajua për të mbuluar vetë paaftësinë e qeverisë për të luftuar buburrecët dhe për të siguruar një akuzë ekstra për të dëmtuar amerikanët.
Ai vetë beson se qeveritarët e Gjermanisë Lindore e kishin të qartë që akuza qe një sajesë. “Ata nuk qenë budallenj. Ata kishin bindje politike dhe qenë të shqetësuar nga rreziqet në rritje që po sillte Lufta e Ftohtë, por unë nuk mendoj se qenë aq budallenj sa të besonin propagandën që po prodhonin vetë. Nuk kishte fakte për historinë e bombardimit me buburrecë nga amerikanët”.
Buburrecat e patates
Buburrecat e patates së Kolorados (Leptinotarsa decemlineata) është një insekt nativ i Amerikës së Veriut që fillimisht u përshkrua dhe katalogua nga Thomas Say më 1824
Buburreci u përhap në Europë dhe Azi bashkë me importet e patates vonë në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë
Një buburrec i rritur është rreth 10 milimetra i gjatë dhe ka rripa portokalli, të verdhë apo kaf
Ushqimi kryesor i buburrecit është gjethja e patates – një larvë e vetme mund të konsumojë deri në 40 centimetra katrorë gjethe në ditë
Një buburrec i vetëm femër mund të prodhojë deri në 800 vezë në jetën e saj
Buburrecat e patates së Kolorados janë shumë të vështira për t’u hequr qafe për shkak se janë rezistentë ndaj të gjitha klasave kryesore të insekticideve
Lufta e buburrecëve
Francezët menduan të importojnë buburrecë nga Shtetet e Bashkuara dhe t’i hidhnin ato mbi Gjermani pas Luftës së Parë Botërore – por plani u braktis për shkak të frikës se ai mund të shkaktonte dëme edhe te bujqësia franceze
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si Britania ashtu edhe Gjermania qenë të shqetësuar se armiku mund të përdorte buburrecë patatesh kundër tyre. Kjo do të qe veçanërisht dëmtuese për Britaninë, ku buburrecët e patates janë ende gjerësisht të panjohura.
Ekspertët e Gjermanisë e hodhën poshtë si “të pagjasë” idenë se aleatët mund të kenë planifikuar përdorimin e buburrecëve si armë biologjike – britanikët nuk do të qenë në gjendje të rrisnin sasi të mjaftueshme ndërsa francezët do të hasnin vështirësi në kontrabandimin e tyre përtej kufirit pa u vënë re.
Diciturat
1. Një vajzë dhe një burrë në një fushë duke parë disa buburrecë patatesh – fotografi e bërë në Gjermaninë Lindore më 1950 (Arkivat Federale)
2. Një imazh i kompozuar me vizatime të ndryshme të buburrecëve të patates të krijuara për fëmijët e shkollave
Qeveria e Gjermanisë Lindore publikoi disa libra dhe fletëpalosje për të informuar fëmijët e shkollave.
3. Disa fëmijët duke parë buburrecët e patates që kanë mbledhur më 1950. Foto: Arkiva Federale e Gjermanisë
4. Fletëpalosje për informacion publik i Qeverisë së Gjermanisë Lindore mbi problemin e buburrecit të patates
Historia
Buburreci i patates së Kolorados shkon në luftë
Më 17 shtator 1940, zyra e Shëndetit Publik të Gjermanisë mori një raport nga inspektimi i një laboratori në Le Brouchet, Francë. Raporti u bë bazë për një program të luftës biologjike të Gjermanisë, i cili në fund listoi buburrecin e patates së Kolorados në listën e armëve të Luftës.
Pas rënies së Francës në qershor 1940, forcat pushtuese gjermane dërguan një skuadër për të inspektuar laboratorët Le Bouchet. Shërbimi i informacionit të ushtrisë gjermane i pati identifikuar këto laboratorë më herët si qendra të mundshme të programit të kërkimit të Luftës Biologjike. Skuadra e inspektimit përfshinte profesorin H Kliewe, një ish-drejtor i laboratorit diagnostikues të sëmundjeve infektive. Inspektimi i tij doli në konkluzionin se aty kishte prova për përgatitje për luftë biologjike. Ai zbuloi mikrofotografi që paraqisnin fragmente metalike të rrethuara nga organizma antraksi; raporte të laboratorit mbi përdorimin eksperimental të elementëve kimikë dhe patogjenikë në luftë; raporte të tjera për sjelljen e patogjenëve të ndryshëm.
Duke besuar se kishte pasur një herë një marrëdhënie të ngushtë mes Francës dhe Britanisë para rënies së Francës, gjermanët dolën në përfundimin se edhe britanikët po mendonin të përdornin luftën biologjike.
Kliewe u tha më vonë hetuesve amerikanë: Ne mësuam për herë të parë se sa premtuese e konsideronte armiku këtë fushë”. Për gjermanët, ky konkluzion qe i mjaftueshëm për t’u kushtuar më shumë vëmendje përgatitjeve mbrojtëse ndaj një sulmi të mundshëm biologjik. Shqetësimet e gjermanëve u shtuan në fillim të vitit 1942. Në janar, 600 ushtarë gjermanë në Francë u infektuan me ethet tiroide. Shumë prej tyre vdiqën. Burimi u identifikua tek ushqimi dhe pijet e kontaminuara të shërbyera për ushtarët në një klub në Paris. Autoritetet gjermane dyshuan se përhapja e tifos qe e qëllimshme. Dyshimet për sabotazh u duk se u konfirmuan kur një student francez u tha gjermanëve se disa studentë të Mjekësisë po mendonin të luftonin pushtuesin duke infektuar restorantet e frekuentuara nga ushtarët gjermanë.
Më 30 prill 1042, gjermanët morën një raport për mbërritjen në Angli nga Amerika të një avioni me një ngarkesë prej 15 mijë buburrecash patatesh dhe një numër të panjohur rriqrash Teksasi. Komanda gjermane pyeti ekspertët se çfarë rreziku përbënin këto insekte. Ekspertët thanë “jo ndonjë rrezik të madh”. Rriqnat e Teksasit u zhdukën nga lista e shqetësimeve të ushtrisë gjermane. Por jo buburrecët e patates. Ata iu frikësuan mundësisë së përdorimit të tyre për të reduktuar furnizimin me ushqime të Gjermanisë, rrjedhimisht për të dobësuar aftësinë e saj për të luftuar. Ekonomia ushqimore e luftës qe një nga problemet më të mëdha të Gjermanisë. Berlini urdhëroi ndërtimin e një qendre shërbimesh kundër buburrecëve të patateve. Puna këtu u zhvendos shpejt nga përgatitja për mbrojtje në përdorimin ofensiv. Brigjet lindore të Anglisë kishin rreth 400 mijë hektarë të mbjella me patate. U vlerësua se 20 deri në 40 milionë buburrecë do të mjaftonin për të mbuluar të gjitha këto fusha. Programi i shumimit filloi dhe u besua se nga vera e vitit 1944 do të disponohej sasia e përgjithshme.
Disa testime paraprake u kryen. Në tetor 1943, rreth 40 mijë buburrecë u lëshuan mbi disa fusha. Ata u lyen për të ndihmuar në rikuperimin e tyre. Por pavarësisht kësaj, më pak se 100 të tilla u mblodhën sërish. Interpretimi qe që kjo luftë ose qe tepër efektive, pra buburrecët u shpërndanë shumë pas lëshimit dhe nuk qe e mundur të mblidheshin në kohë as nga ata vetë që i shpërndanë, ose që qe tepër joefektive.
Nuk ka prova që buburrecët u përdorën ndonjëherë në luftë.
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply