Ilir Xhaka, autori i arrestuar për vrasjen e kryepolicit të Shijakut Adem Tahiraj, ndodhet i izoluar, i vetëm në një qeli të sigurisë së lartë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Xhaka ka mbërritur vetë në ambientet e drejtorisë së policisë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi kishte marrë garancinë se do të lejohej të mbërrinte deri aty i shoqëruar nga një oficer i policisë lokale dhe 2 të afërm të tij. Dorëzimi i tij është kryer në fshatin Shëna-Vlash, ku Xhakja ka kërkuar të jetë vetëm një oficer policie dhe familjarë të tij. Pas kësaj Xhakja është shoqëruar nga oficeri dhe familjarët për në polici.
Rrëfimi
Mësohet se Xhaka e ka pranuar i qetë krimin, ndërsa ka shfaqur edhe shenja pendese. Prej orëve të vona të natës dhe deri në mesditën e djeshme Xhaka është marrë në pyetje nga Prokurorë të Krimeve të Rënda, ku ai ka pranuar se nuk ka qenë në momentet e para të kontrollit por ka mbërritur aty i thirrur nga nipi, të cilin në dëshminë e tij rrëfen se e ka gjetur duke debatuar me kryekomisarin Tahiraj. Xhaka është munduar të justifikohet se në momentin që është përfshirë në debat me kryekomisarin është sharë me të dhe ky ka qenë motivi që sipas tij në gjaknxehtësi e sipër ka qëlluar me armë dhe është larguar. Por kanë qenë kontrollet e shumta policore dhe bllokimi i çdo mundësie për t’u larguar nga zona që kishte ndodhur ngjarja prej policisë, që detyruan Xhakën, që në pamundësi për t’ju shmangur arrestimit të pranonte të dorëzohej. Ai nuk ka dashur të tregojë asgjë se kush e ka ndihmuar për t’u arratisur, pavarësisht se në prani të avokatit të tij, ka pranuar krimin e kryer. Gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët, ai ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm që në fillim të ngjarjes, por ka shkuar në mbështetje të nipit të tij që i ka kërkuar ndihmë për të shmangur kontrollin e kryepolicit të Shijakut. “Pasi kreva vrasjen, e kuptova se çfarë kisha bërë. U fsheha te disa të njohur në Shën Avlash dhe doja të largohesha nga zona, por të gjitha rrugët ishin të bllokuara. Gjithashtu, kisha frikë për familjen. Kur e mora vesh se familja e shefit të komisariatit ishte nga veriu, mendova se ata do të hakmerren ndaj familjes sime, sipas Kanunit. Veç kësaj, kisha frikë edhe se do të më vriste policia, duke qenë se kisha vrarë një oficer. Për këtë arsye, pranova të vetëdorëzohem”, ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore, autori i vrasjes së shefit të komisariatit. Më tej, ai ka shpjeguar gjithë itinerarin e ndjekur, ndërkohë që ka dorëzuar vetë edhe armën e krimit.
Skema e largimit
Përsa i takon skemës së largimit, Xhaka ka pretenduar se është larguar me këmbë nëpër ara dhe se është fshehur në zonat përreth. Por burimet policore thanë se edhe pse e pranon autorësinë e krimit, në shpjegimet për momentet e para të ngjarjes dhe për mënyrën e lëvizjet për vendet që është strehuar, ka përplasje në dëshminë e Xhakës. Vendndodhja e lokalizuar e tij ka qenë midis Rashbullit dhe Sukthit, ndërsa vetë në dëshminë e tij Xhakja pretendon se ka qenë në krah të kundërt.
Skandali, ja si e la të lirë Gjykata e Lartë Ilir Xhakën
Vrasja tragjike e kryekomisar Adem Tahirit nga një person i shumëkërkuar i cili ishte dënuar me 21 vjet burg dhe jetonte i lirë në Shqipëri është produkti i një drejtësie të munguar në Shqipëri. Nëse nuk do të ishin vendimet shpesh absurde të gjykatave tona autori i ekzekutimit të shefit të komisariatit të Shijakut do kishte qenë në burg. Ilir Xhakja, një emër i njohur që prej viteve 90 për uniformat blu është arrestuar disa herë, dhe herën e fundit në korrik të vitit korrikut 2007, pas një operacioni të RENEA-s në grykëderdhjen e lumit Erzen. Pikërisht pas këtij arrestimi nis edhe historia tragjike e drejtësisë. Pas arrestimit prokuroria e kalon çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë dhe u dënua me 21 vjet burg, vendim të cilin e konfirmon edhe gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë. Por gjithçka përmbyset me një vendim të Gjykatës së Lartë e cila në mënyrë të pakuptueshme akuzën e vrasjes për të cilën gjykohej Xhakja e cilëson jo kompetencë për krimet e rënda dhe e kthen në shkallën e parë në Durrës. Pas një procesi disamujor në Gjykatën e Durrësit prokuroria kërkon dënim maksimal prej 25 vitesh, por trupi gjykues e liron në sallën e gjyqit duke u mjaftuar më dënimin e tij vetëm për armëmbajtje pa leje. Në fund të vitit 2011 Ilir Xhakja kthehet në liri dhe pas afro 8 muajsh rishfaqet duke ekzekutuar kryepolicin e Shijakut. Gjatë kësaj periudhe procesi ka vijuar ende në Apel pas ankimimit të prokurorisë, proces i cili vazhdon deri ditën kur arma e tij akuzohet se ka marrë një tjetër jetë, atë të shefit të policisë së Shijakut Adem Tahiri.
Një histori tipike për drejtësinë shqiptare për të cilën ka nisur menjëherë në hetim dhe pritet që të inspektohet dosja dhe të kërkohet procedim për gjyqtarët që firmosen lirimin e tij.
KLD heton lirimin e Ilir Xhakjas
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar të hetohet procedura e ndjekur për lirimin e Ilir Xhakjas, i cili ekzekutoi një ditë më parë shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahirin. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të KLD-së pas një urdhri të nxjerre nga zëvendëskryetari i KLD-së Elvis Cefa. “Me urdhër të Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Inspektorati i këtij Këshilli, do të verifikojë veprimtarinë gjyqësore të realizuar nga gjykatat, në shqyrtimin e akuzave penale, në ngarkim të të pandehurve, autorë edhe të ngjarjes tepër të rëndë të ndodhur në datën 13.09.2012, ndaj shefit të Komisariatit të Shijakut, Kryekomisarit Adem Tahiri” thuhet në deklaratën e KLD-së.
Vrasja e komisarit, Burgaj: Autori peshqesh nga Gjykata
Për të sqaruar të gjithë opinionin publik për operacionin e arrestimit të shtetasit Ilir Xhakja, vrasësit të kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj në një konferencë të posaçme për shtyp kreu i Policisë së Shtetit ka bërë me dije të gjitha detajet e ngjarjes. Numri një i Policisë së Shtetit ka vënë në dukje se autori ishte i dënuar me 21 vjet burg dhe i ishte në njëfarë mënyre peshqesh nga Gjykata pasi ky institucion e kishte lënë atë të lirë. Në deklaratën për shtyp, Burgaj theksoi se autori, Ilir Xhakja ishte një person me precedentë penalë të mëparshëm që ishte dënuar në mungesë me 21 vite burg. “Me të marrë informacionin për këtë ngjarje të rëndë strukturat e policisë bënë të mundur identifikimin e autorëve Ilir Xhakja dhe Ledion Krasnaj”, tha Burgaj në fjalën e tij. Sipas numrit një të policisë së Shtetit në operacionin për kapjen e tyre u angazhuan të gjitha strukturat e policisë së Durrësit, forcat RENEA dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë FSHF dhe njëkohësisht u ngrit grupi hetimor i cili kreu të gjitha hetimet për dokumentacionin e kësaj ngjarje.
/www.tiranaobserver.al
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply