
Zgjedhjet e nëntorit do të jenë posatçërisht të vëzhguara pasi do të jenë të parat në 14 vjet që përfshijnë të gjithë Kosovën.
Nga Safet Kabashaj për Southeast European Times në Pristinë
Rreth 21,000 komisionerë do të duhet të mbikqyrin zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë. [AFP]
Me zgjedhjet tepër kritike që afrohen në Kosovë, anëtarët e Komisionit Qëndror Zgjedhor po zotohen se komisionerët e hetuar apo të dënuar për akuza të manipulimit të procesit në zgjedhjet e 2010-tës, nuk do të lejohen të punojnë për votimet e 3 nëntorit.
Kryetarja Valdete Daka tha se kanë tashmë një listë të emrave të atyre të përfshirë në shpërdorimet e zgjedhjeve, që do t’i ndihmojë të pengojnë ri-rekrutimin e tyre.
“Të gjithë ata komisionerë, emra të të cilëve i kemi marë nga Këshilli Gjyqësor, nga Prokuroria e shtetit, por edhe ata që kemi që janë përfshirë [në hetime për mashtrim] nuk do të emërohen si anëtarë të komisioneve komunale dhe as si anëtarë të këshillave të vendeve të votimit,” tha Daka për SETimes.
Më shumë se 200 komisionerë janë dënuar apo ende ndeshen me akuza, ndërsa më shumë se 1,000 u hetuan për dyshimin e përfshirjes në mashtrimin zgjedhor.
Zgjedhjet e nëntorit do të vëzhgohen posaçërisht pasi do të jetë hera e parë në 14 vjet që përfshihet e gjithë Kosova. Serbët në Kosovën e veriut po inkurajohen si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi për të votuar në zgjedhje; një votim i suksesshëm pa polemika pritet të ndihmojë të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Leon Malazogu, kreu i Institutit Demokracia për Zhvillim (D4D) që merret me analiza e kërkime të proceseve zgjedhore, është skeptik se komisioni i zgjedhjeve është në një pozitë për të përpiluar një listë të pastër të komisionerëve të rinj. Ai tha për SETimes se komisioni e gjykatat duhet të forcojnë trajnimin për anëtarët e partive politike pasi është e vështirë të vëzhgohen votimet.
“Bëhet fjalë për 3,000 vende të votimeve, me nga 7 komisionarë në secilin, që do të thotë 21 mijë njerëz gjithsej. Nuk kemi mundësi teknike që të vëzhgojmë e të njoftojmë të gjitha rastet. Prandaj KQZ e gjykatat duhet të dënojnë anëtarë të partive politike që janë përfshirë në manipulimin e votave në zgjedhjet e kaluara, sepse keqpërdorimi i votës nuk bëhet vetëm përmes një individi, por përmes partive politike,” tha Malazogu.
Deputeti Adem Grabovci i partisë qeverisëse PDK tha se më të shumtat e problemeve ndodhën brenda disa partive politike.
“Nuk pajtohem me atë se ka pasur manipulime të asaj shkalle ndërmjet komisionerëve e partive politike sepse komisionarët ose vëzhguesit e të gjitha partive politike mbrojtën votën e nuk kanë lejuar që të bëhen votime me manipulime ose mashtrime. Por manipulime brenda anëtarëve të disa partive politike ndodhën, që pastaj u pasqyruan në dhe dëmtuan procesin zgjedhor,” tha Grabovci për SETimes.
Vjosa Osmani, një anëtare e lartë e partisë LDK të opozitës, tha se mashtrimi i votave rezultoi në një qeveri që vazhdimisht shpërdoron interesat e njerëzve. Ajo tha se mbrojtja e votës është përparësia kryesore e partisë së saj në zgjedhjet e nëntorit.
“LDK do të jetë shumë e kujdesshme në përzgjedhjen e komisionerëve. Tashmë kanë filluar përgatitjet nëpër degë e ata komisionerë që në të kaluarën kanë dështuar në mbrojtjen e votave apo janë treguar jo të besueshëm nuk do të mund të hyjnë më në listën e komisionerëve të LDK-së,” tha Osmani për SETimes.
Ç’farë standarteve duhet t’u mbahen komisionarët kur të caktohen për të punuar në zgjedhjet e nëntorit? Shtoni mendimet tuaja më poshtë.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply