Shkruan : Rexhail Ramadani
Në hapësirën tonë publike, të lodhur nga fjalët e mëdha e të varfër nga veprat, debati mbi patriotizmin vazhdon të zvarritet në sipërfaqen e simboleve, duke shkelur mbi vetë thelbin e asaj se si mbijeton dhe lartësohet një komb. Për një mendësi të mjerë dhe të ngushtë, dashuria për atdheun matet vetëm me britma emocionale dhe me gjeste të jashtme.
Por unë jam një patriot i zhvillimit. Unë e respektoj thellësisht bërthamën e kulturës sonë kombëtare që janë Rilindasit, por e them me bindje të plotë se partia nuk është pronare e kombit dhe narrativa e saj nuk përcakton kush është patriot e kush jo – ashtu siç besimin e vërtetë të njeriut nuk e përcakton hoxha apo kleriku, por vetë Zoti. Për një mendim të strukturuar kombëtar, atdheu nuk është një reagim i çastit, por një udhëtim historik që kalon nëpër tri faza të shenjta.
Faza e parë ishte ajo e Rilindasve të mëdhenj – ndërtimi i identitetit dhe folklorit. Ishte epoka kur kombi ynë njohu veten, gdhendi gjuhën, ruajti me gjak e djersë traditën dhe zgjoi vetëdijen kombëtare. Rilindasit e ndërtuan shqiptarin shpirtërisht, duke hedhur gurët e parë të ekzistencës sonë. Por ajo ishte vetëm agimi; një komb nuk mund të mbetet peng i përjetshëm i këngës së vjetër dhe i romantizmit kombëtar.
Faza e dytë ishte ndërtimi i sistemit edukativo-arsimor dhe zgjimi i mendjes. Pasi u farkëtua identiteti, shqiptari duhej të arsimohej, të ndriçohej e të pajisej me mendim kritik. Këtë epokë e lartësuan mendimtarë të ndritur si Branko Merxhani, që thërriste për modernizim shoqëror e kulturor, si dhe kthesa e madhe emancipuese në Kosovë nën udhëheqjen e Fadil Hoxhës dhe brezit të artë të intelektualëve të viteve ’60 dhe ’70, të cilët me mund e sakrificë ngritën tempujt e dijes dhe një sistem arsimor të mirëfilltë.
Faza e tretë, kjo e sotmja, është faza e ekonomisë dhe e ndërtimit të shtëpisë sonë. Sot, pasi shqiptari është ndërtuar në shpirt dhe është ndriçuar në mendje, ka ardhur ora të ndërtojë shtëpinë e tij. Në këtë shekull të ashpër, fuqia e një kombi nuk matet më me fjalime të zjarrta, por me ekonominë, me infrastrukturën moderne dhe me atë se sa teknologji e energji investon për çdo kilometër katror të tokës së vet. Vetëm kur ngrihet kjo shtëpi e fortë dhe e patundur, flamuri valëvitet krenar mbi çatinë e saj. Sepse, mjerisht, nëse nuk ke ndërtuar shtëpinë tënde, je i dënuar ta mbash flamurin vetëm në dorë, duke e tundur atë me dëshpërim për të mbuluar varfërinë dhe zbrazëtinë tënde.
Kjo tragjedi e ngecjes sonë ndodh sepse ne ende nuk dimë të dallojmë se si sillet politika në kohë lufte dhe si në kohë paqeje. Në kohë lufte, bashkimi rreth një grushti të hekurt është sine qua non – kusht i jetës a vdekjes për t’u mbrojtur. Por në kohë paqeje, kryefjala e shenjtë duhet të jetë vetëm zhvillimi, sepse një popull i varfër e i pazhvilluar është i pafuqishëm edhe për t’u mbrojtur nesër nëse shpërthen stuhia. Në paqe duhet të flasin mendjet e zhvillimit. Por, për fatin tonë të keq, ata që në kohë paqeje sillen si “pronarë të paqes”, e shohin lirinë dhe paqen vetëm si një sofër të shtruar për të ndarë plaçkën e luftës.
Me këtë sy të drejtë duhet gjykuar edhe trashëgimia e rëndë e elitës politike shqiptare në Maqedoni pas viteve ’90, përfshirë figura si Arbër Xhaferi, Menduh Thaçi dhe strukturën e BDI-së. Edhe pse adhuruesit e tyre përpiqen t’i shfajësojnë me rrethanat e luftës për të drejta juridike e politike, e vërteta e hidhur është se ata nuk ishin të vetmit që u flijuan e u përpoqën për atë kauzë. Përkundrazi, ajo që Arbër Xhaferi la si testament politik ishte krijimi i një modeli të shëmtuar të partisë – një ngrehinë klienteliste, e mbyllur dhe e ngritur mbi kultin e liderit, të cilën më pas e trashëguan dhe e kthyen në sistem edhe Thaçi e BDI-ja. Ndryshe nga Fadil Hoxha dhe brezi i tij që ngritën institucione arsimore të pavdekshme, kjo elitë nuk arriti as të ndërtonte një shkollë të denjë dhe as të hidhte themelet e një ekonomie të fortë. Ata mbetën të ngujuar në folklorin politik, duke përdorur simbolet kombëtare si mbulesë për të kapur shtetin.
Më e rënda është se kjo shoqëri, që nga koha e Arbër Xhaferit, Thaçit e BDI-së, ka krijuar dhe institucionalizuar një traditë përjashtuese ndaj inteligjencës dhe mendimit të lirë. Mendja e pavarur është parë gjithmonë si rrezik, ndërsa servilizmi është shpërblyer si virtyt. Pasoja e këtij modeli është se në shoqërinë tonë partitë janë shndërruar në sekte të mirëfillta. Edhe raportet më elementare ndërnjerëzore krijohen e maten mbi baza partiake, çka dëshmon profilin e ulët kulturor të kësaj shoqërie. Madje edhe “institutet” dhe qendrat e mendimit nuk ngrihen mbi dijen e pavarur, por brenda strukturave partiake si dekor i pushtetit. Në këtë mjedis të helmuar, i gjithë horizonti i ambicies njerëzore është ngushtuar te dy fjalë të vetme: posti dhe tenderi.
Pasojat e kësaj mendësie pa vizion shihen qartë në realitetin tonë të hidhur. Një gabim drastik strategjik ishte ndarja e Likovës nga Kumanova, në vend që kjo hapësirë të trajtohej si një tërësi e vetme zhvillimore. Sikur të kishte mendje shtetformuese, fokusi do të ishte te ndërtimi i qendrave tregtare që gjallërojnë pjesën urbane të qytetit dhe te një projekt afatgjatë për agroindustrinë, që do të nxiste blegtorinë dhe bujqësinë moderne. Kështu do të ndërtohej infrastruktura dhe do të orientohej kapitali privat drejt prodhimit dhe bizneseve zhvillimore, e jo të digjej vetëm në shtëpi të zbrazëta e dasma luksoze. Për shkak se mungoi ky plan afatgjatë, sot nuk është zhvilluar as qyteti i Kumanovës dhe as komuna e Likovës, ndërsa pasoja tragjike është përgjysmimi i popullatës nga migrimi.
E njëjta mungesë vizioni vërehet edhe në Shkup, veçanërisht në Çair, Gazi Babë dhe rrethinë.
E njëjta mungesë vizioni vërehet edhe në Shkup, veçanërisht në Çair, Gazi Babë dhe rrethinë. Shkupi ka një pozitë kyçe në Ballkan dhe lidhje të natyrshme ekonomike me Turqinë; në vend që kjo hapësirë të shndërrohej në një nyje të fuqishme tregtare dhe logjistike përmes një modeli modern tregtar të frymëzuar nga Stambolli – ku Turqia mund të investojë kapital të rëndësishëm për të krijuar një treg të gjerë rajonal – kjo zonë u la për një kohë të gjatë në dorë të harambashëve lokalë. Kuptohet se projekte të tilla kërkojnë studime të mirëfillta fizibiliteti dhe planifikim urban, por tek ne, në vend që të vritet mendja se si të tërhiqen investime dhe të zhvillohet vendi, gara e vetme ka qenë kush të marrë tenderët.”
Prandaj, sot kombi thërret për një kthesë të madhe dhe shpëtimtare. Këto sekte të ndërtuara mbi militantizmin e verbër, pa program dhe pa shpirt ideologjik, duhet të zëvendësohen nga dy parti të mirëfillta me vizion dhe ide të qarta. Ne kemi nevojë jetike për një politikë ku nuk bëhet tregti vetëm me flamurin dhe gjuhën, por ku digjet zemra dhe mendja për të ndalur plagën e migrimit, për politikat sociale, rrugët, tregtinë, kulturën dhe shëndetësinë – duke investuar në projekte të mëdha që ngrenë themelet e jetës sonë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply