Një nismë e re për dinjitetin, bashkimin dhe demokracinë shqiptare.
Me dat 10.11.2026 pata nderin të jem i ftuar si anëtarë i kësaj shoqate në mbledhjen e radhës të Shoqatës Antikomuniste Demokratike të Shqipërisë, ku u hodh një hap i rëndësishëm drejt një organizimi të ri politik:
Këshilli Kombëtar i Shoqatës Antikomuniste Demokratike të Përndjekurve Politik të Shqipërisë zhvilloi një mbledhje me rëndësi të veçantë ku nëpërmjet diskutimëve të lira u mor një vendim :
Themelimin dhe krijimin e një force të re politike, e cila prej kohësh i ka munguar spektrit politik shqiptar.
Një forcë politike që synon të sjellë ide, vlera, integritet, meritokraci dhe një alternativë të re në jetën politike të vendit.
Gjatë kësaj mbledhjeje,pas fjalimëve të kryesisë, fjalën e mori Kryetari i Shoqatës, z. Et’hem Fezollari, i cili paraqiti qëndrimet dhe vlerësimet e tij lidhur me rrugëtimin e deritanishëm të Shoqatës, rëndësinë e organizimit dhe domosdoshmërinë e një angazhimi të ri në mbrojtje të të drejtave të të përndjekurve politikë. Ai theksoi rëndësinë e bashkimit, të ruajtjes së identitetit antikomunist dhe të vazhdimit të përpjekjeve për drejtësi historike.Ndër të tjera tha:Të përndjekurit politik kanë nevojë për një përfaqësim të denjë dhe për një zë të pavarur në jetën politike shqiptare .
Pas fjalës së Kryetarit, diskutuan edhe anëtarë të Kryesisë, të cilët paraqitën mendimet, propozimet dhe vlerësimet e tyre për të ardhmen e kësaj nisme. Më pas, fjalën e morën anëtarë të Shoqatës, të cilët shprehën shqetësimet, përvojat dhe pritshmëritë e tyre, duke theksuar dhe një herë atë që shprehu z Et’hem Fezollari se të përndjekurit politikë kanë nevojë për një përfaqësim të denjë dhe për një zë të pavarur në jetën politike shqiptare.
Të pranishmit theksuan se kjo nismë duhet parë si një përpjekje për të rikthyer në qendër të vëmendjes një shtresë që ka paguar çmimin më të rëndë të diktaturës komuniste dhe që, për 36 vite pas rrëzimit të saj, ende nuk ka marrë vlerësimin, drejtësinë dhe dinjitetin që meriton.
Për tri dekada e gjysmë, të përndjekurit politikë janë përdorur më shumë si dekor në fjalimet politike dhe si premtim në fushatat elektorale, sesa janë trajtuar si njerëz me të drejta të mohuara dhe me plagë historike ende të pambyllura. Në vend të drejtësisë, shumë prej tyre kanë gjetur dyert e mbyllura të institucioneve, sorollatjen nga një zyrë në tjetrën, nga një gjykatë në tjetrën, duke u detyruar të kërkojnë për vite me radhë atë që u takon me ligj dhe me moral.
Ata nuk kërkojnë mëshirë. Kërkojnë drejtësi! Nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet!Në fund të mbledhjes me shumic votash u aprovua formimi i kësaj partije.Kishte dhe të përndjekur poltik që nuk ishin dakort për formimin e kësaj partije të cilët paraqitën disa çeshtje të rëndësishme që duhet të ket kjo parti .Këto çeshtje i theksova edhe unë.
Në fjalën time theksova se krijimi i kësaj partie mund të jetë një nismë e mirë për të gjithë të përndjekurit politikë dhe unë jam dakort për formimin e saj por vetëm nëse ajo ndërtohet mbi parime të shëndosha, mbi pastërti morale dhe mbi një vizion të qartë politik.
Të përndjekurit politik duhet të kuptojnë se koha e përçarjeve dhe e heshtjes duhet të marrë fund. Është koha të bashkohemi, të lëmë mënjanë interesat e ngushta dhe të ndërtojmë një forcë që nuk i shërben individëve, por një kauze historike dhe kombëtare.
Kjo parti duhet t’i hapë dyert brezit të ri, djemve dhe vajzave që vijnë nga familjet e të përndjekurve politikë, si brenda Shqipërisë, ashtu edhe në diasporë. Duhet të krijojmë një urë lidhëse mes përvojës së atyre që vuajtën diktaturën dhe energjisë, dijes e vizionit të brezit të ri.
Në krye të kësaj force duhet të vendosen njerëz me integritet ku figura e gjith secilit të jet e pastër , të pakorruptuar, të papërlyer me krimin dhe me ish sigurimin e shtetit komunist dhe me interesat që kanë dëmtuar demokracinë shqiptare. Njerëz që nuk e shohin politikën si një mundësi për përfitime personale, por si një përgjegjësi ndaj historisë dhe qytetarëve.
Gjithashtu, theksova rëndësinë e bashkëpunimit me Partinë e Ballit Kombëtar, Partinë e Legalitetit dhe me ish pronarët e tokave. Forcat që kanë në themel antikomunizmin dhe respektin për historinë kombëtare duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, sepse vetëm të bashkuara mund të krijojnë një alternativë serioze politike.Njëkohësisht kjo parti duhet të ketë parasysh dhe ekonomin sepse do zhvillosh fushatën elektorale nga Vermoshi në Konispol dhe në diasporë.
Duhet të nxjerrim mësime edhe nga dy partitë e mëdha që kanë dominuar politikën shqiptare pas vitit 1990, të cilat, në vend që të vendosnin demokracinë e vërtetë dhe drejtësinë historike në vendin e saj, kanë kontribuar në zhgënjimin popullit shqiptarë dhe kësaj shtrese dhe në deformimin e kujtesës sonë kombëtare.
Një shembull konkret është ligji famëkeq 7501 dhe deformimi i historisë sonë kombëtare .Për më shumë flet dhe deformimi i historisë së qytetit tim, Kavajës. Unë kam qenë zëri i parë i demonstratës së 25 marsit, një ngjarje me rëndësi të veçantë në historinë e qëndresës antikomuniste të qytetit. Megjithatë, në vend që të ruhet dhe të nderohet data 25 mars, është vendosur 26 marsi si Dita e Kavajës. Historia nuk duhet të ndryshohet sipas interesave politike apo koniukturave të radhës. Ajo duhet të dokumentohet, të respektohet dhe t’u përcillet brezave ashtu siç ka ndodhur.Gjithashtu theksova se në takimin që mu dha rasti me doktor Berishën ,doktori më bëri një pritje të ngrohtë .Takimi im me doktor Berishën pati si qëllim pikërisht deformimin e historisë së qytetit tim atë të 25 marsit 1990 dhe lënjen në harresë të figurave të çmuara të saj ku një prej tyre isha edhe unë.Gjatë takimit preka dhe disa çeshtje të rëndësishme për qytetin.Premtimin Doktor Berisha edhe pse premtoi nuk e mbajti.Në fjalën time solla në vëmendje se unë por dhe shum të persekutuar duke kërkuar liritë dhe të drejtat tona në grevën e urisë e cila u zhvillua te biblioteka e qytetit të Kavajës u nxorrëm me dhunë nga qeveria e udhëhequr nga PD .Në atë koh kam qenë në grevë bashkë me mikun tim të ndjerin Skënder Kollçakun.
Gjatë mbledhjes, të pranishmit shprehën zhgënjimin e tyre të thellë ndaj Partisë Demokratike, një force politike ku jo vetëm unë por shumë prej të përndjekurve politik kishin varur shpresat për përmbushjen e aspiratave të tyre. Por shpresa e tyre, fatkeqësisht, nuk mori përgjigjen e merituar. Besimi u kthye në zhgënjim dhe pritja e gjatë në një tjetër padrejtësi.
Sot nuk mjafton të jemi antikomunistë vetëm në fjalë. Duhet të jemi të tillë në qëndrime, në veprime dhe në përgjegjësinë që marrim për të ardhmen e vendit.
Partia Antikomuniste SHqiptare duhet të jetë më shumë se një emër në regjistrin e partive politike. Ajo duhet të bëhet zëri i atyre që u burgosën, u internuan, u pushkatuan, u shpronësuan dhe u mohua e drejta për të jetuar të lirë. Duhet të jetë zëri i familjeve që trashëguan dhimbjen, por jo frikën; i njerëzve që nuk u përkulën para diktaturës dhe që nuk duhet të ndihen të braktisur në demokraci.
Kjo parti nuk është vetëm e z. Et’hem Fezollarit dhe e kryesisë nismëtare, por është dhe duhet të jetë e të gjithë të përndjekurve politikë, si dhe trashëgimtarëve të idealeve të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Vetëm të bashkuar, me besim dhe përkushtim, do t’ia dalim mbanë kësaj nisme të rëndësishme kombëtare.
Nuk mund të ndërtohet një demokraci e shëndoshë mbi harresën, as një e ardhme e drejtë mbi deformimin e së kaluarës.
Është koha që të përndjekurit politikë të mos jenë më spektatorë të historisë politike shqiptare por protagonistë të saj.
Le ta kthejmë këtë nismë në një pikë bashkimi, në një forcë dinjiteti dhe në një angazhim të vërtetë për demokracinë perëndimore.
Sepse liria nuk është vetëm rrëzimi i diktaturës. Liria është edhe vendosja e drejtësisë pas saj! Nëse nuk realizohen këto pika fatkeqsisht edhe kjo parti do ketë dështim si partit e tjera e të përndjekurve politik.
Me respekt dhe konsideratë,
Rexhep Rrugeja







Burimi/Facebook


Leave a Reply