Rezultati i 25 tetorit në Serbi shënon fundin e një modeli pushteti të ndërtuar rreth një njeriu, ku partia, institucionet, media dhe ekonomia ishin në funksion dhe në shërbim të tij. Ky model u mund nga brenda, falë bashkimit të të gjithë atyre që e kundërshtuan në çdo formë dhe në çdo front, dhe u kthye në shumicë zgjedhore.
Mundja e Vuçiçit ka edhe një dimension europian. Serbia e refuzoi qartë formulën e miopisë “stabilitet në këmbim të demokracisë”. Mjafton të lexosh komentet e qytetarëve serbë nën urimet e Komisionit Europian për fitoren e Listës Studentore. Aty përsëritet me zemërim se deri dje Brukseli i kishte braktisur qytetarët dhe i kishte dhënë mbështetje Vuçiçit dhe regjimit të tij.
Në këtë sfond, heshtja e Edi Ramës është e kuptueshme dhe aspak befasuese. Ndërsa shumica e kryeqyteteve kanë uruar fitoren e Listës Studentore, deri tani Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjali. Kjo heshtje është, në fakt, deklarata e tij më e sinqertë.
Për më shumë se një dekadë, politika rajonale e Ramës u ndërtua mbi një bosht personal me Vuçiçin. Ndarja e Kosovës, Ballkani i Hapur, propozimet e përbashkëta për një anëtarësim të pjesshëm në BE, dhe një marrëdhënie aq e ngushtë sa vetë Vuçiçi e quan Ramën asetin e tij më të madh në Shqipëri, ndërsa Michael Martens do ta quante kryeministrin më të mirë serb pas Pashiçit.
Ndërsa Edi Rama hesht, lajmi më i mirë për shqiptarët erdhi nga Lugina. Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, subjektet shqiptare lanë mënjanë rivalitetet dhe garuan me një listë të vetme. Përfaqësimi i tyre në Kuvendin e Serbisë u rrit në dy deputetë, me mundësi edhe për një mandat të tretë.
Rasti serb rrëzon edhe argumentin më të përdorur nga regjimi në Tiranë, se “rritja ekonomike” mjafton për të justifikuar pushtetin e pakufizuar. Vuçiçi u mund edhe pse Serbia ka një gjendje ekonomike shumë herë më të mirë se Shqipëria, me të ardhura për frymë rreth 17 mijë dollarë, dhe eksporton rreth 35 miliardë euro në vit, gati nëntë herë më shumë se ne. Nga Serbia, me rreth 7 milionë banorë, janë larguar vetëm 500.000 njerëz, kundrejt më shumë se një milion nga Shqipëria brenda një dekade.
Të mos harrojmë se Vuçiçi u mund edhe pse opozita në Serbi ishte inekzistente. Në Shqipëri, përkundrazi, opozita ka qenë forca e vetme që e ka denoncuar dhe ka protestuar kundër narkoshtetit përgjatë kësaj dekade, edhe kur çdo përpjekje e saj relativizohej nga “miqtë specialë” të Ramës, edhe kur zemërimi shuhej me gaz lotsjellës dhe propagandistë që shqetësoheshin për fatet e kërpudhës kryeministrore më shumë se për fatet e vendit.
Ndaj nëse një vend me këta tregues si Serbia arriti ta mundë regjimin, argumenti “s’ka alternativë” në Tiranë ka mbaruar.
Kupa u mbush e tani po derdhet.
Serbia e mbylli kapitullin Vuçiç.
Shqipëria duhet të mbyllë kapitullin Rama!
Burimi/Facebook


Leave a Reply