Studentët, gjimnazistët, të gjithë të rejat e të rinjtë e Shqipërisë, nuk mund të tolerojnë e durojnë pafundësisht arrogancën, përçmimin, talljen e shurdhërinë e kujtdo pushtetari, ish-pushtetari, politikani, prokurori e gjyqtari.
Për më se 5 muaj protestuan paqësisht dhe fituan simpati në gjithë botën.
Por pushteti i injoroi kërkesat e tyre. Për më keq, pushtetarët e politikanët u tallën, ofenduan e shpifën për protestuesit.
Durimi i rinisë protestuese mori fund dhe këto ditë protestat po bëhen shumë të dhunshme, sa na kujtojnë djegjet e shkatërrimet e viteve 1997-1998.
Unë personalisht, ashtu si në Lëvizjen Studentore në vitin 1990, jam edhe sot me studentët dhe rininë protestuese.
Por as në vitet 1990-1991, as sot, nuk jam për dhunë e shkatërrim.
U bëj apel qeverisë dhe Parlamentit të miratojnë fondet e nevojshme për plotësimin e kushteve normale në konvikte, shkolla e spitale.
Unë u bëj apel drejtuesve kryesor të pushtetit dhe opozitës, dyshes bashkëjetuese të pushtetit, Edi Ramës, dhe zjarrëvënësit e përgjakësit të vendit-Sali Berishës, si edhe klanit të tyre, të shpëtojnë Shqipërinë nga shkatërrimet e djegjet duke dhënë njëkohësisht dorëheqjen. Dorëheqja jepet edhe kur qeveris mirë. Ndërsa kur pushteti zhytet në korrupsion dhe rinia shqiptare insiston në dorëheqjen tënde, mbase dorëheqja është jo vetëm e pashmangëshme, por edhe shpëtimtare për vendin.
I bëj edhe njëherë apel SPAK të mos sabotojë hetimet e 21 Janarit!
I bëj apel Parlamentit t’u japë përgjigje konkrete kërkesave të protestuesve për ndryshime të disa ligjeve dhe sidomos për të bërë reformën zgjedhore, ku deputetët të zgjidhen direkt nga populli me sistem mazhoritar a proporcional, jo me lista të mbyllura; komisione jo partiake të zgjedhjeve; transparencë e plote e financimit të partive politike, etj.
Sëfundi, duke shprehur mbështetjen time për rininë protestuese, dua të shpresoj që ata nuk do i dhurojnë frutet e protestës duke risjellë në pushtet atë që dogji e shkatërroi Shqipërinë dhe klanit të tij kriminal.
Zef Brozi
Uashington, DC
16 Tetor 2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply