Erkan Nika, me origjinë nga Malësia e Madhe dhe banues në Turqi, rezulton i zhdukur pas sulmit me dron ndaj anijes së mallrave “Aroyat”, pranë portit të Novorossiysk. Babai i tij, Rexh Nika, i bën thirrje për ndihmë autoriteteve shqiptare dhe institucioneve në vendet përreth Detit të Zi.
Inxhinieri 28-vjeçar Erkan Nika, me origjinë nga Malësia e Madhe, rezulton i zhdukur pas sulmit me dron ndaj anijes turke të mallrave “Aroyat”, në Detin e Zi, pranë portit rus të Novorossiysk.
Anija ishte nisur nga porti i Durrësit dhe në bord ndodheshin 16 anëtarë të ekuipazhit. Sipas të dhënave të bëra publike, 15 prej tyre kanë shpëtuar, ndërsa Erkan Nika nuk figuron në listën e të mbijetuarve.
Familja Nika jeton në Turqi që prej vitit 1997, ndërsa 28-vjeçari punonte prej vitesh në anijen e mallrave.
Në një intervistë për Top Channel, babai i tij, Rexh Nika, ka bërë thirrje për ndihmë, duke kërkuar që institucionet përkatëse të kontrollojnë regjistrat e personave të plagosur apo të paidentifikuar, si dhe rastet e personave të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi.
“U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve, të gjitha institucioneve shëndetësore, policisë, autoriteteve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar, personave të plagosur, ose individë të gjetur në zonat bregdetare të Detit të Zi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet shtetërore të Shqipërisë”, është shprehur ai.
Rexh Nika ka treguar edhe për kontaktin e fundit me të birin, i cili kishte ndodhur më 26 shtator, një ditë përpara sulmit.
“Me djalin, mesazhin e fundit e kam ditën e mërkurë, më 25 shtator. Në darkë, para se të flija, i kam bërë mesazh, një lutje. Ma ktheu përgjigjen të nesërmen në orën 08:39. ‘Jemi në Detin e Zi’, më ka thënë”, rrëfen babai i 28-vjeçarit.
Sulmi me dron ndaj anijes ndodhi më 27 shtator. Që prej asaj kohe, familja Nika kërkon informacion për fatin e Erkanit dhe u bën thirrje autoriteteve shqiptare dhe atyre të vendeve përreth Detit të Zi që të ndihmojnë në gjetjen e tij.
Burimi/Istagram/portaliveriusot


Leave a Reply