Nga Mentor Kikia
Tollumbacja e Shqipërisë si vend prodhues i armëve dhe mjeteve ushtarake plasi shumë shpejt.
Në fillim ra “krenaria”, se në një punishte në Elbasan prodhoheshin kamionë, furgonë, fuoristrada, zjarrfikëse dhe autoambulanca.
Pastaj ra “krenaria” se Shqipëria prodhonte dhe eksportonte armë.
Falë një përgjimi “misterioz”, që iu la Arben Ahmetajt ta menaxhonte, këto aktivitete dyshohet se mund të jenë edhe vepra penale. E gjithë kupola e “krenarisë shqiptare të ushtrisë”, sipas medias, është vënë nën hetim dhe, tani për tani, prokuroria dyshon për:
* Shpërdorim detyre
* Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
Prodhimi i automjeteve doli se ishte vetëm modifikim dhe lyerje me bojë e automjeteve të blera. Por kompania që bën këtë punë ka ekskluzivitetin e furnizimit të ushtrisë.
Pa tendera, pa transparencë në çmime!
Shqiptarët nuk e dinë se sa u kushton taksave të tyre lyerja e kamionëve dhe automjeteve.
Prodhimi i armëve nisi me bujë si projekt, me nxjerrjen me dhunë të News 24 nga mjediset e një ish-uzine të komunizmit, pasi aty do të instalohej fabrika e armëve. Por përfundoi në një aferë të dyshuar për trafik ndërkombëtar dhe në një projekt për hapjen e një fabrike në Sudan, për prodhimin e armëve në mënyrë ilegale. Të paktën kështu sugjerojnë përgjimet e Ron Yeffet, të publikuara nga Ahmetaj në Syri TV.
Ky biznes është në pronësi të:
● Arjeta Pucës, një vajzë e reklamuar nga kryeministri dhe media si heroina e iniciativës ekonomike dhe e kurajës për të guxuar, e cila mësoi të prodhonte kamionë në emigracion.
● Ron Yeffet, një izraelit me pasaporta amerikane dhe shqiptare, i njohur publikisht si mik i kryeministrit.
● Shtetit shqiptar, me 20% të aksioneve, përmes kompanisë KAYO, të drejtuar nga Ardi Veliu, ish-drejtues i Policisë së Shtetit.
Të tre tashmë janë marrë nën hetim nga SPAK. Bashkë me ta, edhe një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, Aleks Marku.
Janë sekuestruar telefona, kompjuterë dhe dokumente.
Një përgjim “misterioz” dhe një hetim i nisur shpejt duket se po vënë nën fre një nga skemat më flagrante të dyshuara të abuzimit financiar.
Megjithatë, çdo akuzë dhe pretendim i ngritur është ende në fazën e dyshimit dhe çështja është nën hetim.
Burimi/Facebook/Neutrale


Leave a Reply