Prof. Gani Bobi në një intervistë në revistën “Zëri”, 17 dhjetor 1993
Zbulimi i “tradhtarëve” nga “patriotët” në komunikimet tona publike dhe në kuluare mund të ishte dëfryes në një situatë çfarë nuk e kemi, sepse është fjala për një mjet mjaft anakronik të diskualifikimit të tjetrit dhe të pseudokompensimit të vetes. Mirëpo, meqë jemi në një situatë tmerrësisht të rëndë e të ndjeshme dhe me shumë të paqarta, skemat dhe stereotipitë e tilla janë shumë të këqija. Ato shprehin para së gjithash (në rrafshin politik) dështimet më evidente që duan të mbulohen nga shpikja e “fajtorëve”; janë ikje nga përgjegjësia për mosgjetjen e formave përkatëse të vetorganizimit rreth programeve të qarta e detyrave konkrete (realisht të mundshme) për të dalë nga gjendja në të cilën jemi. Janë, po ashtu, manifestim i një demokracie të egër me frymë thellësisht populliste, e cila nuk duron subjektin e dallimit si feedback korrektiv, të domosdoshëm për dinamizimin shoqëror e veprimin racional politik.
(Burimi: Kompleti i veprave të dr. Gani Bobit, botoi Dukagjini, 1997)
==== Gani Bobi u lind më 1943 në Lybeniq të Pejës. Ishte profesor i sociologjisë së kulturës në Fakultetin e Filozofisë dhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në këtë shkollë të lartë studioi gjuhën e letërsinë shqipe, ndërsa studimet pasuniversitare i ndoqi në Universitetin e Beogradit. Doktoroi më 1986 në Universitetin e Prishtinës. Bobi ka qenë njëri nga sociologët më të rëndësishëm dhe më kreativë të Kosovës në shekullin e 20-të. Punoi gazetar e redaktor i kulturës te “Rilindja” dhe revistat “Përparimi”, “Fjala”, “Thema”. Ishte udhëheqës artistik i “Kosovafilmit”, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës së Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës. Gjatë viteve 1980-të u vu në shënjestër të fushatës së egër të diferencimit, me të cilën u ballafaqua me guxim të madh intelektual e njerëzor. Vdiq në Tiranë në vitin 1995.
PS. Këtij postimi po ia bashkangjes dy faksimile: a) Dorëshkrimin e Gani Bobit nga studimi “Konceptimi sociologjik i kulturës” dhe b) Vendimin e organeve të dhunshme të Universitetit të Prishtinës për largimin arbitrar nga puna të Gani Bobit në vitin 1991. Vendimin e ka nënshkruar prof. Radivoje Kuliq, i cili deri në vitin 2012 ka punuar si “docent në Fakultetin e Edukimit në Prizren me seli në Leposaviq”.

Burimi/Facebook


Leave a Reply