Po çfarë kërkojne? Ato rrugicat tona të dashura sot nuk kërkojnë diell. Zoti ju u ka falur gjithmonë. Por ato kërkojnë gëzimin, harenë, ambientin social që paten dhe si tullumbace iken dhe u zhduken larg vendit për t ju marrë atyre atë tharmin shkodran që buronte nga një shpirt i lirë. Rrugicat kërkojnë diçka tjeter që ju mungon dhe kur sheh ato mure të vjetra të ndërtuara me gurët e lumejve tanë sot të duket sikur vajtojnë. Po çfarë kërkojnë? Ju mungojnë zhurmat e fëmijëve që e gjallëronin jeten e rrugicës, lojërat e tyre futboll, top e tjegull, top e luftë, rrasa buq, top e gropë, kala dibrançe, etj.Fëmijët shpesh ziheshin, në raste të tjera edhe qanin e qeshnin por muret e rrugicës kishin detyrë “ të arkivonin “. Nuk ka ma ! Nuk ndihen këto zhurma, sepse nuk ka fëmijë. Edhe nëqoftëse sheh ndonjë fëmijë është i vetëm, pa shokë, me ndonjë celular në dorë që vazhdon të klikojë para derës së oborrit të tij. Mureve ju mungojnë lule vilet që jo vetëm zbukuronin banesat por zbukuronin krejt rrugicen apo s’kishin edhe aromë që në ditët e pranverës të dehte. Po pse vetëm lule vilet? Kushedi në sa mure vareshin trëndafilat, lule durham me një erë të kandshme, lule kaça, etj. Edhe barishtet në mes gurëve të mureve dhe lmyshku mbarte trashëgiminë e një muri të vjetër. Mungojnë muret e lyer me gëlqere në ditët e pranverës të Shën Gjergjit apo lyerja e gurëve jashtë derës së oborrit ku edhe eren e e gelqeres kishe qejf ta ndije. Dyert e oborreve në madhështinë e tyre të vjetërsisë kanë heshtur, nuk ndihet zhurma e rezeve artizanale aq të bukura. Dyert nuk kanë më lulet dhe bimët e gjelbërta që vareshin në ditën e Shën Gjergjit. Janë zëvendësuar me dyer të bukura dhe gardhe me kangjella por që mshehin kujtimin dhe emrin e familjeve të njohura shkodrane dhe traditen e të vjetërve.
Rrugica gjallërohej kur shkundej mandi, se shihje fëmijë dhe të rinj të reja me tasa në duar për të marrë manda nga ato që i kishin në oborre. Le lezetin kur piqej rakia. Ishin burrat e rrugicës që mblidheshin rreth kazanit të rakisë. Pastaj një ndjenje e këndshme duke provuar rakinë e re me pak meze. Një ambient komunitar tepër social kur ne njihnim jo vetëm çdo familjar por edhe kushërinjtë dhe kryshqitë e tyre që hynin e dilnin në rrugicë. A po vjen sot ta pijmë një gotë raki,? A do vish ta provosh ambëlcinen teme?. A po ja çon një cop pite filan kojshisë se është i sëmurë? A shkojmë të rrime tek filani se ka fejue vajzen, apo se ka ble televizor apo frigorifer. Televizori i parë në rrugicë ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme, eveniment ku të mund të shihje boten në një farë mënyre pavarësisht sa na pengonin zhurmuesit, Mblidhesh gjithë rrugica në atë shpi për të parë ndeshjet e futbollit, koncerte, filma dhe e zoja e shtëpisë do gjente vend për të gjithë deri në maje të “sjollit” ku lanin enët . Po nuk kishte kënaqësi më të madhe se ta shihje një ndeshje në televizor me një grup të madh komunitar kur bërja e një goli çonte rrugicen në kambë, apo shfaqjet e Rafaela Carrasë kishin ba që këngët e e kësaj të këndoheshin fshehtas.
Po si ushtonte rrugica kur kishte dasma! Gjallërohej e gjithë jeta në rrugicë. Martohej djali i filanit me një vajzë nga një rrugicë tjetër. Shtëpia e dhëndrit vlonte për një javë, hynin e delnin në dyert e oborreve. Merrnin gjera, sillnin elementë të dasmës, karrigë, tavolina, lule, fjongo, rrobe, përgatitej vendi. Fëmijët gëzoheshin më shumë që kishin qejf të shkonin në oborrin ku do zhvillohej dasma. Po kur vinte paja e nuses të gjithë grumbulloheshin para derës së shtëpisë së dhëndërit e shihnin diçka të bukur nga kjo pajë. Ndiheshin biseda sa i bukur jorgani, sa bukur paskan qëndisur jastekët, sa e madhe keka valixhja e peshqesheve, etj. Pa le kur merrej ose vinte nusja. Kur vinte nusja krijohej një ambient festiv, këndonin me dajre jo vetëm dasmorët por edhe banorët e rrugicës që merrnin pjesë në këtë gëzim.Nusja gjuhej me karamele, oriz dhe lekë dhe fëmijët e rrugicës nganin të kapnin sa më shumë nga këto.
Ma pak e gëzueshme ishte kur në rrugicë martohej një vajzë dhe ndërsa krushqit vinin të merrnin nusen me eheng e kallabllek, njerëzit e familjes ishin të vërejtur, shumë qanin por qanin edhe banorët e rrugicës sepse nusja kishte qene edhe vajza e tyre, se nusja i kishte ndihmuar në raste të vështira, se nusja i kishte dashur dhe respektuar. Një plaku do i shihje disa pika loti sepse vajza e rrugicës i kishte bërë inxheksionet dhe ishte kujdesur për te. Po tash thonte kush ka me m’i ba mue këto? Por edhe një grua shprehte keqardhjen për infermieren e saj që po martohej sepse ajo ishte kujdesur shumë për fëmijën që i bante vaksinat. Po kështu e kishte jeta!Një vajzë tjetër futej në konakun e ri dhe bëhesh pjesë e komunitetit të rrugicës ku kishte sjellur respekt, dashuri dhe ndihmë shumë familjarëve të rrugicës. Po atëherë ekzistonte respekte dashuria dhe humanizmi më shumë se sot. Edukata familjare që kishim marrë në vite nuk na lejonte që të mos i respektonim të vjetrit, të varfërit të sëmurët dhe ishim gadi me mundësitë që kishte gjithsecili të ndihmonte ku të mundte.
Por edhe festat fetare ishin po aq të bukura. Në ramazan rrugicat në kohen e yftarit boshatiseshin se shkonin të gjithë bile edhe ato që nuk kishin agjëruar të mblidheshin rreth sofrës së yftarit. Ditët e krezmimit rrugicat katolike të jepnin përshtypjen e një dasme të bukur kur djem dhe vajza të reja visheshin aq bukur me të bardha. Le pastaj vizitat reciproke të urimit në këto shtëpi.
Kalova në një rrugicë në Gjuhadol që ishte veshur me kalldrem. Më bukur por më e heshtur, e pastër por sikur vajtonte. Një shtëpi me një arkitekturë shumë të bukur lënë në rrënim sepse me siguri të zotët kishin emigruar. Thashë kushedi sa histori njerëzore mban kjo shtëpi por arkivi i saj çdo ditë varrosej se këtu s kishte kush të tregonte atë se çfarë kishin kaluar dhe çfarë kujtonin sepse këto kujtime ato i kishin marrë me vehte dhe deri në një farë kohe do të treteshin në dhe të huaj. Një familje e ikur, një histori e zhdukur, shumë kujtime të varrosura, shume gëzime dhe hidhërime kishin humbur vendin për tu treguar. Në atë shtëpi pashë që kishte hyrë një rreze dielli por nuk kishte ma njerëz dhe dielli tash nuk i shërbente askuj e as mureve. Shumë prej tyre janë në vendet ku nuk ka diell por ku tharmi e shpirti shkodran ju mungon shumë. Nuk e kishim menduar kurrë kështu demokracinë.Sot nuk mendojmë se kthehet përsëri ajo situatë por ne kujtimet nuk na lajnë të harrojmë atë që kaluam.
Një poezi e thjeshtë që kam krijuar me kujtime rrugicash:
KUJTIME RRUGICASH
Rrugicë mbushur n’kujtime
Plot me gaze fëmijësh
E lodrash të hareshme
Andrrash fëminore
Oborre mbush me lule
Në mure lule vile
Grimca dashurie
Të pastra dhe pa hile
Një ndertesë e lartë
Ma prishi një kujtim
Aty ku kish filluar
Të lindte një idil
Burimi/Facebook


Leave a Reply