Ky shkrim do jetë pjesë e vëllimit të dytë të Portrete të Njerëzve të mirë, i cili botohet së shpejti.
Bari Dervishllari – Dusharin e mori me vete
Mes krahinave që nderojnë Shqipërinë me historinë e tyre është edhe Dushari, fshati i bukur i Oparit, i ngulitur prej shekujsh në kujtesën e kësaj treve të pasur me histori, patriotizëm e kulturë. Opari përmendet në burime historike që nga koha e Muzakajve, ndërsa tradita e tij patriotike dhe njerëzit e thjeshtë, mikpritës e të lidhur fort me vendin, janë përcjellë brez pas brezi. Edhe Dushari ka pjesën e vet në këtë histori, si një nga fshatrat e kësaj krahine që kanë ruajtur kujtesën dhe shpirtin oparak.
Në këtë truall, më 15 maj 1954, lindi Bari Dervishllari.
Ndoshta atëherë askush nuk mund ta dinte se djali i vogël i Dusharit do të bëhej një ditë poet, prozator e fabulist dhe se, pasi jeta do ta çonte larg vendlindjes, ai do ta mbante Dusharin jo vetëm në kujtesë, por edhe në vargje.
Sepse Bariu është nga ata njerëz që nuk e kanë harruar kurrë vendin ku kanë marrë frymën e parë.
Shkollën fillore dhe tetëvjeçare e kreu në vendlindje. Më pas nisi të ndjekë arsimin e mesëm pa shkëputje nga puna, në Moglicë. Kishte arritur edhe mesataren që kërkohej për të vazhduar universitetin, por, siç e kujton vetë, nuk iu dha e drejta e studimit. Arsyeja ishte ajo që në Shqipërinë e asaj kohe peshonte mbi fatin e shumë të rinjve: “nuk e bëja mirë luftën e klasave”.
Kështu, një derë që mund t’i kishte hapur një tjetër rrugë jetës, iu mbyll. Por Bariu nuk ishte njeri që priste që jeta t’i hapte vetë dyert. Në vitin 1980 u vendos në Elbasan, ku, i ndihmuar nga motra dhe kunati, nisi punë në hekurudhë si ndihmës makinist. Katër vite përvojë në një profesion që kërkonte përgjegjësi, disiplinë dhe nerva të forta do ta çonin më pas në Shkollën e Transporteve në Durrës. Pas një viti studimesh mori dëshminë si makinist dhe deri në vitin 1992 drejtoi trenat, duke punuar edhe në një prej segmenteve më të vështira të hekurudhës, linjën Pogradec–Elbasan.
Stefanaq Çelo, që e njeh Bariun prej vitesh, e veçon pikërisht këtë anë të tij: profesionistin e aftë, të formuar në shkollat dhe kurset e kohës, por edhe njeriun social, që reagon shpejt kur përballet me padrejtësinë dhe që ka një intuitë të veçantë për të lexuar zhvillimet shoqërore e politike.
Por ndoshta njeriun që ishte pas uniformës së makinistit nuk mund ta tregojë më mirë asnjë përshkrim sesa dy episode që ai vetë i kujton nga vitet e hekurudhës.
Ishte një mëngjes marsi, i ftohtë qamet, me borë të përzier me shi. Bariu po zbriste me trenin e pasagjerëve nga Pogradeci drejt Elbasanit. Sapo kaloi Librazhdin, te përroi i Rrapunit, që zbret nga Stërbleva, pa një çift me një fëmijë të vogël në krah. I bënin me dorë, sikur ai të ishte duke kaluar me kamion.
E kuptoi se kërkonin ndihmë.
Bariu e ndaloi trenin, edhe pse e dinte se po shkelte rregulloren. I mori të tre në tren dhe i futi në kabinë, ku kishte kalorifer. Ishin të lagur deri në palcë dhe, siç e kujton ai, “nuk u kishte mbetur vend pa lagur”.
Kur mbërritën në Elbasan, çifti deshi t’i jepte paratë e biletës, 40 lekë për të dy, sipas çmimit të asaj kohe.
Bariu nuk i mori.
“Unë nuk ju mora për lekë”, u tha. “Po të më kishte kapur kontrolli, ato lekë nuk do të më hynin fare në punë. Do të më pushonin nga puna.”
Ata ikën duke e përshëndetur me kokë dhe duke e uruar.
Një veprim i vogël, në dukje. Por ndoshta pikërisht në këto veprime të vogla duket madhësia e një njeriu.
Rasti tjetër ishte shumë më i rëndë.
Ishte pasdite dhe Bariu po udhëtonte nga Kavaja drejt Durrësit. Sapo kaloi thertoren, pa një grua që tentonte të futej poshtë trenit. Për një çast e humbi nga rrezja e shikimit, por pastaj e pa të hidhej para trenit.
Bariu vuri frenat urgjente.
Lokomotiva dhe shtatë vagona kaluan, derisa treni u ndal.
Zbriti nga kabina, megjithëse rregullorja nuk e lejonte të qëndronte aty. Ndihmësi që kishte në kabinë e paralajmëroi:
“Mos zbrit, se do të të vrasin kavajsit.”
Bariu i tha:
“Ajo është njeri, njësoj si ne. Si të bëhet, le të bëhet.”
Dhe zbriti.
U përball vërtet keq me njerëzit e lagjes aty pranë. Por fati kishte qenë më i mëshirshëm nga sa dukej në ato çaste. Gruaja nuk ishte prekur nga treni; kishte rënë anash shinave.
Kur njerëzit nisën ta kërcënonin Bariun, gruaja u tha:
“Nuk ka faj shoferi. U hodha vetë, se më rreh djali në shtëpi.”
Atëherë Bariu iu drejtua njerëzve:
“Hë mo, e shikoni që bëtë gabim? Edhe ne jemi njerëz. Nuk kemi dalë të vrasim këto rrugë.”
Dy episode të ndryshme, dy situata të vështira, por në të dyja të njëjtin Bari.
Njeriu që e dinte rregulloren, por dinte edhe kur humanizmi ishte më i rëndësishëm se rregullorja.
Dhe këtu fillon një tjetër kthesë e jetës së Bariut.
Pas vitit 1992, kur e nxorën në asistencë, për të dhe familjen nisi një periudhë e rëndë. Puna në hekurudhë kishte mbaruar. Ai iu kthye tregtisë ambulante në tregun e Elbasanit dhe e vazhdoi këtë jetë deri në majin e vitit 1996.
Pastaj erdhi 9 maji.
Një gomone, një det dhe një vendim që nuk ishte thjesht emigrim, por një bast i madh me fatin.
Bariu u nis drejt Italisë.
Dhe këtë herë, rruga nuk do ta çonte vetëm nga një vend në tjetrin. Do t’i hapte një kapitull krejt të ri jetës së tij.
Por, siç do të kuptohej më vonë, Italia mund t’i ndryshonte vendin ku jetonte; nuk mund t’i ndryshonte vendin ku e kishte zemrën.
Dusharin e kishte marrë me vete.
Burimi/Facebook


Leave a Reply