U nisa për atje ku nana ime e kishte rritë shtatin.
Për Martinajt e Bali Demës.
Mbase njeriu, kur plaket, nuk udhëton ma për me pa vende të reja; udhëton për me pa edhe njiherë vendet që i ka lanë pas. E në fund, pa e kuptue, nuk kërkon vendin, por veten që ka mbetë diku aty.
Tabela e vjetër, n’hymje të katundit, m’ktheu përnjiherë në vitet e randa. Në vitet kur Avro Cemi la pas vetes shtatëdhjetë shpi pa mashkuj, e vajtuen edhe gurët e pragjeve. Vajtuen muret që mbetën pa zë, e Gropa e Smajlit, ku nana ime dikur u ba nuse.
Rrugosha fushës së Nokshiqit dhe sytë, pa m’i dhanë urdhën kush, kërkojshin urën e Morinës, atje ku dikur e njiherë Rugova e kishte vu kufinin e vet. Mendja m’u ngjit leqeve të Velikës, sepse donte me pa edhe njiherë Çakorrin.
Çakorri i humbun.
Jo prej mjegullës.
Prej lakmisë së nji të pangopuni për pushtet.
Kërkojsha me sy edhe vorrin e Çelë Shabanit, edhe Gropën e Smajlit, edhe kullën e Bajraktarit. Por nuk i pashë.
Sytë m’u kishin mjegullue prej nji langu t’krypun.
Ndoshta jo prej mallit.
Ndoshta prej asaj dhimbjes që njeriu e mban përbrenda derisa nji ditë i del përpara si mjegull.
— E sheh? — i thashë Galës, që ishte tretë në mendime.
Ajo s’foli.
As unë.
Sepse nganjëherë ma mirë asht mos me iu kthye rrugëve të rinisë. Ose të mbytë malli, ose të zë trishtimi për njerëzit që ikën n’Amerikë e shtëpitë mbetën për kaçubeta.
⸻
Te Gërlat e Vuthajve gjeta nipin e Zymer Haxhës, Kelin.
Më njohu.
Apo ndoshta më njohu vendi përmes tij.
Më çoi te kroni i gjyshit dhe te ujëvara e Skakavçit, atje ku dikur, në rininë time, luajta filmin Rojet e mjegullës.
Çudi!
Njeriu kthehet pas kaq vjetësh në nji vend ku dikur kishte qenë i ri, e vendi të duket sikur të pyet:
— Ku ishe gjithë këto vite?
Më ftoi me e ba natën në konakun e tij.
Nuk ia pranova.
I kisha dhanë fjalën Vermoshit.
— Sonte kam me fjetë atje — i thashë. — Kam me kujtue Prekën, shtizën e flamurit e piramidën e kufinit.
E u ngjita Kelmendit përpjetë.
O Zot!
S’kisha pa livadhe me aq shumë kumlla të zeza, të egra, që nën diell dukeshin si rrush i zi i Rahovecit.
Zemra m’u dalldis.
Delet.
Kuajt.
Lopët.
Qetësia.
Ato bjeshkë që s’kishin nevojë me folë, sepse çdo gur i tyne kishte nji histori.
E unë, i dehun prej asaj bukurie, fare s’e kisha hetue gozhdën që m’ishte futë në gomën e kerrit, kur i trupova Qosajt, Ulajat e Ahmetajt.
E në atë çast mallkova Cërna Gorën që Vuthjanët i kishte lanë me rrugën e 1944-s.
⸻
Rrezet e të nesërmes m’gjetën në Lëpushë.
Mes mijëra malësorëve.
Mes vajzash të veshuna me xhubleta, që dukej sikur kishin zbritë prej nji kohe tjetër.
Unë, i veshun me të bardha, u ula në ledinë.
Dhe për nji çast nuk e dita a isha unë në Lëpushë, apo Lëpusha kishte ardhë me m’kërkue mu.
U thashë:
— Jam i juji. Kelmendas. Gjak e shpirt i Vuklit, Nikçit e, besa, edhe i Hotit.
Ata me merrshin ngrykë.
Më shtrëngojshin.
E m’thonin:
— Duem prej teje me ngjallë Fishtën e me i ba këto bjeshkë me jehue prej zanit tand!
Çka mund t’i thotë njeriu malit kur mali të kërkon zanin?
U çova.
E i bërtita Vulës:
— Nuk t’i lëshoj dhitë e kuqe pa e la mrizin me gjak!
Dhe, për nji çast, m’u duk se Oso Kuka po ngjitej prej flakës.
E pashë tue i kallë në zjarrin e barotit cubat e Cetisë.
M’u duk se bjeshkët po e njohshin zanin.
M’u duk se Fishta s’kishte vdekun.
Veç ishte strukë diku ndër gurë, tue pritë dikë me i thirrë edhe njiherë emnin.
⸻
Nuk u ngina as me bjeshkë, as me lugje, as me rudina.
Kisha dashtë me e marrë Lëpushën me vete.
Me e futë në kujtesë, siç futet nji fotografi në xhep.
Por goma e makinës ishte veçse pa ajër.
Rruga m’thirri prapë.
Ika për Shkodër të gomisti.
E mesnata m’gjeti në Prishtinë.
Kaq zgjati udhëtimi.
Por rrugët që hapa atë ditë s’kanë mbërritë ende askund.
Sepse disa rrugë nuk maten me kilometra.
Maten me njerëzit që kanë vdekun.
Me nanat që janë ba nuse në Gropa të harrueme.
Me kufij që janë zhvendosë.
Me bjeshkë që kanë mbetë përtej nji vije.
Me shpi që sot i kanë veç gurët.
E ndoshta, mbi të gjitha, me atë djalin që dikur luante Rojet e mjegullës te Skakavçi dhe që, pas kaq vitesh, u kthye me kërkue veten ndër ato mjegulla.
Nuk e gjeta.
Por gjeta rrugën.
E ndoshta kjo asht ma shumë.
Lëpushë, 09.08.2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply