Edhe jeta është si një libër. Ka një fillim e një fund, si të ishim në një “cikël të mbyllur”, apo si në një “Liman Detar”, ku lidhen e zgjidhen varkat, gjatë lundrimeve të tyre në detin me dallgë…Ndërsa kujtimet mbeten në kujtesën tënde, gjerë në çastet e fundme, që s’ka se si të evitohen. Edhe pse “kthimin e përjetshëm”, askush nuk e ka “të shkruar”… E megjithatë “udhët e nisjeve e të bitisjeve”, me personazhe gjithëfarësh, çuditërisht fiksohen. Pa e mënjanuar edhe “kthimin e syve” mbrapa teje, nëpër bëma, njerëz rastësor a “së prapthi”, në jetë, nëpër libra, gazeta e shkrime që nga “nisja e bekuar” e moshës rinore..Mase nuk ju bezdis, t’i ripublikoj disa syresh:
***
“AI KA PARE ALEKSANDER MOISIUN!”
U ndala Fabrikës së Konservimit të Frutave, që ndodhet në të dalë të Elbasanit. Pyeta:
-Ju lutem, si mund të takoj drejtorin e fabrikës? Kam ardhur këtu për një muaj. Jam caktuar për punë fizike në ndërmarjen tuaj.
-Ashtu? Shumë mirë, shumë mirë,-më tha llogaritari, një burr me tipare fisnike, thinjat e të cilit rrefenin mënçuri të dukëshme. Po c’profesion keni?
-Jam student në “Shkollën e Larte të Aktorëve” që mban emrin e Aleksandër Moisiut.
Posa i thashë këto fjalë, ai më shikoi me vërejtje dhe pastaj shtoi se drejtori do të vinte ndofta pas një ore dhe se duhej pritur.
-Vijë këtu,- thashë unë i pa duruar,- sipas një programi që ka shkolla për “kalitjen fizike e ushtarake”. Me këtë rast, do krijoj në ndërmarjen tuaj edhe një grup teatri, i cili do të konkuroje në “Olimpiadën Teatrale”; prandaj mundësisht më njihni edhe me ndonjë amator të teatrit…
-Shumë mirë do të bëni, more djalë,-m’u kthye me mirësjellje,-ke këtu Qemalin,-dhe sakaq me tregoi një mesoburrë të zhytur në shkresat e administratës,-Ai, që thua ti, është një nga intepretuesit më të mirë të personazheve te Shekspirit. Mos u habitë….“Hamletin” e mban gjithmonë me vehte…
Qeshëm të dy….
-E keni parë Hamletin me aktorin Naim Frasheri?,-e pyeta unë.
Nuk m’u pergjegjë menjëherë. I heshtur u zhytë në kujtime dhe thuajse më harroi që më kishte përpara e te me tregonte se c’duhej të bëja në atë ditë të vështirë të jetës time studentore…M’u dukë se i çoi “sytë e mëndjes” në Donimarkën e lashtë, në kështjellën Elsinor, si për t’i shikuar të gjalla ato ngjarje tronditese që përshkroi penda e pavdekëshme e Shekspirit.
-Eh, more djalë, -tha befas , duke më parë drejtë e në sytë e mi të mjergulluar…E kamë parë Hamletin të interpretuar nga Aleksandër Moisiu. Po, po, e kam parë…dhe më duket sikur e kam parë mbrëmë. Po kështu, kam patur fatin e madhë që të shikoja të interpretuar prej tij Makbethin e Shekspirit dhe Fedjan e Tolstoit…
Une s’fola. E shikova atë plotë respekt. Kisha vajtur për tjetër gje e po gjeja befas dicka tjetër që më fërgëllonte shpirtin. Qe një rastësi që nuk duhej të më shpëtonte pa e shfrytëzuar. Dhe, meqënse duhej të prisja drejtorin, e luta që të uleshim qoftë edhe pak minuta diku aty afër, për të më rrëfyer diçka me tepër….
Pranoi me qejf. U ngritë nga tryeza e tij, sistemoi dosjet e dolëm jashtë, në oborrin e rrethaur me ligustra. U ulëm nën hijen e një fiku të stërmadh karshi fabrikës, ku ndodhej edhe një stol i sajuar prej dërrasash…I porsanjohuri im filloi te “gërmojë” në kujtesën e tij…:
“ Edhe sot e kësaj dite, tek e sjell ndër mend Aleksandër Moisiun,- nisi ai të flasë ngadalë,- e ndjej akoma atë emocion që provova para 30 e ca vjetësh. Kujtimet, herë më mallëngjejnë, herë më trondisin, herë më bëjnë të përlotem si fëmijë…
“Atehere isha student në qytetin Linc të Austrisë. Unë studjoja për financë, kurse një miku im, Demiri, për mjekësi. Të dy nuk ndaheshim nga njëri-tjetri. Linci ishte një qytet i madh i Austrisë së Veriut, me një industri e bujqesi jo shumë të zhvilluar. “STADT-THEATER” i Lincit kishte një trup të mirë teatri dhe shpesh këtu vinin e interpretonin artistë të njohur të skenës. Pikërisht këtu, pata fatin e rrallë të shohë bashkëatdhetarin tim, artistin që asokohe kishte tronditur zemrat e mëndjet e mijëra spektatorëve, Moisiun e Madh, në rolin e Hamletit. Zërii tij i fuqishëm vibronte e përplasej gjithandejë. Askush nuk pipëtinte, mbledhur në sallë sa një grusht….Unë atëhere nuk isha me teper se 18 vjec…
“ Po më kujtohet mirë…Lajmi i ardhjes se Moisiut ne Linc bëri shume bujë .Biletat për shfaqjen qenë shumë të shtrenjta, afërsisht 30 shilinga. Me një mijë halle munda ta mbledh shumën e caktuar dhe renda i gëzuar te sporteli i teatrit.
“-Një biletë, ju lutem,-i thashe pothuajse pa frymë sportelistit.
“ -Sportelisti, nje burr thatim , më pa njëherë si me dyshim dhe pastaj me keqardhje më tha:
“-Eh, or djalosh, biletat kane tre muaj që jane shitur!
“-Si është e mundur?!,-ja prita unë me mosbesim. Pastaj ju drejtova pothuajse, duke u lutur:
“-Më duhet ta shikoj patjetër…pa tjetër…Moisiu është bashkëatdhetari im…Une jam shqiptar!…
“Sportelisti nuk foli më, përkuli trupin e tij të gjatë mbi tavolinën e punës, shpalosi një libër të trashë dhe prej andej nxori dy bileta.
“-Urdhëroni, mereni një. I kisha ruajtur për vete, por me qenë se jeni shqiptar…mereni, keni te drejtë ta shikoni e të krenoheni me të…
“Nga gëzimi i madh harrova ta falenderoj sportelistin zemër mirë.
“-Kështu munda ta shikoj Moisiun në rolin e Hamletit…Unë pothuajse harrova që isha në sallën e atij teatri madhështor. Me interpretimin e tij e kishte gozhduar vëmëndjen e spektatorëve. Së bashku me Hamletin e tij. Ndjeva të gjithë tragjedinë shpirtërore të Heroit te Shekspirit, veproja bashkë me të për të zbuluar e dënuar botërisht vrasësin, ndjeja gjithe zëmërimin e tij, ndjenjat e tij të sinqerta per Ofelinë, hallet e brengat e tij dhe së fundi fatin tragjik të njeriut të ndershëm, që lufton si div kundër së keqes. Mua nuk më harrohet shikimi i tij para se të vdiste, nje shikim depërtues që shprehte zëmrën e tij te kulluar, optimizmin dhe një dashuri të madhe për jetën. Si hero i përmbysjes së BOTËS gënjeshtare, i tradhëtuar nga të gjithë! Dhe ashtu, si një statujë prej mermeri, por gjithmonë e gjallë ngeli e skalitur në zemrën time figura e tij. Nuk mund t’i përshkruaj dot me fjalë emocionet e Moisiut te skena me nenën e pa denjë. Po kaq i mrekullueshëm ishte dhe te skena kur mban kafkën e Jorikut në dorë. Zëri i Aleksandër Moisiut në monologun e famshëm:”Te rrosh a të mos rrosh”, që dilte prej shpirtit të tij të munduar, si një këngë e dhimbshme, shprehte njëkohësisht përpëlitjen e shpirtit të shqetësuar, luftën plotë mundime në vetvete për çështjet e jetes…Dhe që i duhet të vdes, pa e ndrequr BOTËN…E pa mundur!
“Nuk di çfare të them tjetër, po mua më kanë bërë shumë përshtypje fytyra e tij shumë shprehese, syte e tij të zjarrtë dhe bagazhi i madh i ndjenjave shpirtërore. I rrëmbyer nga forca e interpretimit të tij, erdha në vete nga duartrokitjet e stuhishme që u kthyen në ovacione…
“Në këtë kohë, andej nga viti 1930-31, gazetat nuk pushonin se shkruari reçensione e kritika mbi shfaqjet e tij. Me kujtohet fare mirë se si nje kritik shkruante kështu: “Sikur Shekspiri të jetonte akoma e të shikonte me sytë e vet veprat e tij të interpretuara prej Aleksander Moisiut, atëhere do të shijonte me të vërtetë forcën e madhe të tyre, do të shihte se ç’farë kryeveprash i kishte dhënë botës”…
“Akoma më e freskët ruhet në kujtesën time figura e Fedja Protasovit nga “Kufoma e gjallë” e Tolstoit, që u mishërua me një pjekuri të madhe artistike prej Moisiut tonë. Ishte gjë e rrallë, jo vetëm për mua, po për gjithë qytetin e Lincit, të shihte Aleksandër Moisiun; prandaj shfaqjet, ku ai interpretonte, shndërroheshin në festa të vërteta. Kësaj radhe e preva biletën 15 ditë përpara. Njerëzit e thjeshtë, punëtoret, nëpunuësit e vegjel, kishin ardhur në teatër për të parë “Kufomën e gjallë” 6-7 orë përpara se të fillonte shfaqja. Shumica prej tyre rinin në këmbë në galeri. Ai e interpetonte Tolstoin më mirë nga rusët e në gjuhën e tyre! Duke e lozur Fedjan 1500 herë në 1935-ën
“Shfaqja e shumëpritur filloi…Ne fillim Moisiun nuk mundje ta dalloje nga aktorët e tjerë, po dalngadalë, si me magji, Ai i tërhiqte me forcë magnetike me mijëra sy e zëmra spektatorësh. Nëpërmjet Moisiut pashë si në pasqyrë shpirtin e munduar të Fedjas, shpirtin pa asnjë ligësi në vetvete dhe njëkohësisht të dobët për ta kapur fillin e jetës. Ky martir i deziluzionuar nga shoqëria e mykur e atëhereshme ruse, i munduar edhe nga krenaria e tij e madhe, përpëlitet në një det vetmije të pafund. Ai e quan veten të tepërt në këte botë, që pa mëshirë coptoi dhe varrosi endrrat e idealet e tij. Fisnikëria, ndershmëria dhe ndjenjat e tij më të mira njerëzore, së bashku me vullnetin gjysmak, ndeshen me parimet e hekurta të shoqerisë së privilegjuar dhe thyejn kokën, duke u rrokullisur në fundin e një oqeani të errët. I larguar nga shtëpia e nga njerëzit që e rrethonin, aty midis ciganëve plot temperament, Fedja-Moisiu ishte i mrekullueshëm. Merr pjesë në jetën e tyre, pi me ta, luan e dëfren dhe gjithë këto veprime i bën me lehtësinë më të madhe, plotë hire dhe elegancë. Ketu ai përpiqet të ngushëllojë shpirtin e vet të munduar.
“Pastaj në gjyq është skena më e bukur, më rënqethëse e më kulminante, të cilën Aleksander Moisiu e interpretoi me një forcë të madhe dramatike, duke derdhur nga skena një lum të tërë ndjenjash dhe emocionesh te furishme. Këtu ai ngrë lart dinjitetin e njeriut të përbuzur e me një forcë titanike u turret njerëzve të ligjit, që si me vargonj të çeliktë ndrydhin personalitetin njerëzor. Kjo skenë ishte kaq emocionuese, sa që në sallë nuk mbeti njeri pa derdhur lotë!. Në fund të shfaqjes spektatorët mbetën të elektrizuar. Pastaj të gjithë, si nje trup i vetëm, u çuan në këmbë me brohoritje e duartrokitje të pashembëllta. Qindra tufa lulesh fluturuan nga salla në skenë. Unë dhe miku im i dërguam bashkëatdhetarit tonë dy trëndafila të kuq, të kuq si flamuri ynë…”
Bashkëfolesi im pushoi një hop. Me të vërtetë ishte shumë i mallëngjyer, ndërsa une isha njeriu më me fat në botë, që erdha për diçka tjetër e po merrja një leksion për aktorin tonë të madh, prej një njeriu të thjeshtë. Mos vallë edhe ai ishte një aktorë që kishte braktisur skenën e tij, për arsye madhore!? E vështroja i habitur…Sytë gjysmë të mbyllur i pasqyronin një dashuri e respekt të thellë, gati si një brengë cfilitëse a plagë e pa mbyllur ende, e papritur prej tyre rrëshqiten dy pika loti. U turbullua vetëm kur ndeshi me shikim tim të vagëlluar dhe, mbasi e përmblodhi veten donte të vazhdonte…Mase donte të rrëfente vetveten! Por jo…Një ngulç i’u mblodh në fyt…
-Me fal,-tha, me një zë gati në të shuar, Nuk mundem…
-Qetësohu, të lutem…Ju po më beni një nder të madh me keto që po me rrefeni dhe me vjen mire që erdha ketu gjeta një njeri të ditur e të shëtitur si ju…Si të ishit një aktorë dhe ju…Nuk do t’ua harojë kurrë…Më keni mallëngjyer sa s’ka më..Dhe duhet të jeni njeriu me i lumtur ne botë…E keni parë në skenë disa herë, sikur më the…Ndofta e keni parë edhe në rrugë, nga afer…Ja, sikundër u shohe unë i shkreti, edhe juve…
– Oh,-psheretiu thellë. “Kufomën e Gjallë” e pashë nga rreshtat e para, kështu që munda ta vërrej mirë. Gati i ndjeja frymëmarjen. Fedjan ai e kishte veshur me kostum të kohës së atëherëshme, d.m.th me frak. Ishte shumë elegant, shumë shprehës në fytyrë dhe pa mjekër e mustaqe. Me rolin e Fedjas Moisiu bëri buje te madhe. Gazetat dhe revistat flisnin me superlativë për të. Me ra në dorë njera prej tyre:”Tages Post”, e cila shkruante kështu, mesa më kujtohet:”Fat i madh për Lincin qe po shehë artistin e madh të botes, Aleksander Moisiun….”.
Atë natë që pashë Fedjan, mua s’me zuri gjumi. Të gjithë shfaqjen e kalova disa here parasysh dhe si një yll i zjarrtë më verbonte fytyra e Moisiut në gjyq…U ngrita në mëngjes herët dhe shkova para hotelit ku flinte Artisti i Madh. Në një qoshe të rrugës, përballë hyrjes lluksoze të hotelit, kam pritur më se dy orë, vetëm ta shikoja edhe njëherë atë fytyrë aq të dashur…Më së fundi, pas dy orëve torturuese në pritje, pashë të delte prej hotelit Aleksandër Moisiun, “Mbretin e Skenës” siç e quajta në atë moment, të shoqëruar nga dy kolegë të tij. Ju afrova më afër me sy e mëndje të përqëndruar. Ecte me ngadalë, duke biseduar me kolegët me një zë të ëmbël e me gjeste shumë të matura. Trupin e kishte mesatar, gojën çuditërisht të madhe, vetullat pak të dala, dhe sytë e thellë e të shndritshëm…
Pasoi përseri heshtja, si terri kur fiken dritat e skenës.
Më dolen para syve Hamleti, Makbethi, Fedja, që permbanin diçka nga gjaku e mishi i tij, u bëra gati t’i hidhesha në qafë, ta pushtoja me zjarr e pastaj t’i thoshja:”Edhe unë jam shqiptar…Ne krenohemi me ty!”. Mirëpo, Moisiu me dy kolegët e tij, befas hynë në një veturë dhe sakaq ai u zhduk një herë e përgjithmonë nga sytë e mi…Nga sytë po, por asnjeherë nga mendja e zemra ime! Po hutimi i atij çasti të madhërishëm, s’di se si më stepi në vend, si një magji shejtanësh….”
Disa zëra qe po diskutonin me ton të lartë aty afër derës kryesore të fabrikës, na e shkeputën fillin e mendimeve. …
-Ja, shiko, ai i shkurtëri aty në mes, eshte drejtori ynë,-tha Qemali, edhe ai i mjergulluar prej një tjetër BOTE:…
Botuar në gazetën “DRITA”, më 23 shtator 1962


Burimi/Facebook


Leave a Reply