Nuri Shabani ( Vërzhezha ) lindi në Vërzhezhë të Skraparit më 2 gusht 1929. Ishte fëmija më i rritur midis fëmijëve të Ali Shabanit.
Gjendja ekonomike e familjes ishte e dobët. Lufta II Botërore e çoi në zgrip këtë varfëri. Skrapari kishte një popullsi liridashëse, e cila u ngrit masivisht kundër pushtuesve nazi-fashistë, çka çoi në çlirimin e krahinës më 5 shtator 1942. Ishte strehë e krijimit të brigadave partizane, si Brig.VII dhe X partizane. Ende i vogël, 15-vjeçar, së bashku me një bashkëfshatar më të rritur në moshë, shkon e regjistrohet në Brig. X Sulmuese. Mori pjesë në luftime gjatë operacionit të dimrit, në të gjithë jugun e Shqipërisë.
Pas Çlirimit kthehet në fshat. Në shkollë ishte shumë mirë me mësime. Midis bujqësisë dhe blegtorisë kishte pasion bujqësinë. Duke parë inteligjencën e tij dhe prirjen për bujqësi, e dërgojnë me studime në shkollën e Harri Fullcit në Kavajë. Pas përfundimit të shkollës, shkon me studime në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë, ku ra në kontakt me një kulturë më të zhvilluar. Atje kishte edhe shqiptarë të tjerë. Ishte edhe një student tjetër me të njëjtin emër dhe, për t’i dalluar, Nuriut i thërrasin me emrin e fshatit Vërzhezha, kur bëhej apeli në klasë. Ky mbiemër e shoqëroi gjatë gjithë jetës.
Studimet në Sarajevë i la përgjysmë, sepse u prishën marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë.
Kthehet në Shqipëri dhe fillon punë në Berat. Merr një shtëpi në Kalanë e Beratit dhe rrethi e ngarkon me punë për zbatimin e reformës agrare në Lapardha e Otllak.
Për punë të mirë dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Medalje Pune të klasës së III.
Më 1954 shkon në Lushnjë. Fillon punë në ndërmarrjen e farërave dhe caktohet përgjegjës i saj deri në vitin 1964, kur emërohet përgjegjës në Fidanishten Frutore me qendër në Karbunarë të Lushnjës. Atje gjeti vetveten. Filloi sistemimin e parcelave mbi bazë shkencore. Zgjeroi sipërfaqen e saj duke mbjellë edhe pemë frutore për prodhim. Pjeshkët dhe mandarinat e fidanishtes ishin mjaft cilësore dhe furnizonin të gjithë rrethin e Lushnjës.
Detyra kryesore e fidanishtes ishte prodhimi i fidaneve dru-frutore për gjithë Shqipërinë.
Një vend të veçantë zë vreshti antifilokserik, që prodhonte kalema, që shërbenin si nënshartesa për llojet e ndryshme të rrushit. Cilësia e kalemave ishte shumë e lartë, sepse ato eksportoheshin në Bullgari, çka i sillte të ardhura të konsiderueshme ndërmarrjes. Përgatitja e tyre kërkonte kujdes, se duheshin ruajtur nga tharja deri ditën e eksportit. Për rrjedhojë, ato zhyteshin në rrjedhën e Lunjës, një përrua i vogël që kalonte bri fidanishtes dhe mbuloheshin me plastmas, mbi të cilët vendoseshin gurë, që të mos i rrëmbente rrjedha e ujit.
Meraku i Nuriut për ruajtjen e tyre ishte shumë i madh. Megjithëse kishte kishte caktuar rojë, ai e ndiqte nga afër procesin e regjies së tyre në ujë. Kur binte shi, rrinte gjithë natën zgjuar, duke vështruar shiun nga dritarja. Një natë intensiteti i shiut e bëri të ngrihej që me natë dhe të shkonte në këmbë nëpër shi në Karbunarë, që ishte 3 km larg. Njoftoi familjet e punëtorëve që ishin më afër dhe kontrolluan gjendjen e kalemave. Për fat, ishin ruajtur pa dëmtuar, sepse u kishin vënë përsipër gurë të rëndë mbi plastmas, që të mos i rrëmbente uji.
Ndërmarrja e Fidanishtes Frutore po zgjerohej, duke shtuar edhe vreshtin e rrushit në Stan-Karbunarë. Kështu ndryshoi edhe emërtimin në NB-Frutore.
Kujdes i veçantë u tregua për specializimin e punëtorëve që merreshin me shartimin e fidaneve. Për fidanet e shartuara krijoheshin parcela të veçanta, ku kalonin 1-2 vjet dhe pastaj shkuleshin për t’u rimbjellë në distancë normale sipas nevojave të rrethit.
Nuriu lexonte shumë dhe literatura e shfrytëzuar ishte vetëm në gjuhë të huaj. Ai studionte në 3-4 gjuhë të huaja. Përveç gjuhëve sllave: rusisht, serbo-kroatisht e bullgarisht, lexonte edhe në italisht e frëngjisht. Këto lexime i zgjeruan horizontin e dijeve . Për vite të tëra, nëpërmjet bibliotekës në Tiranë, bënte porosi edhe në bibliotekat e huaja, prej të cilave merrej literatura e kërkuar.
I njihte aq mirë llojet e pemëve, sa i dallonte edhe nga druri pa pasur nevojë për gjethet e tyre.
Merrte pjesë rregullisht në seminaret e organizuara në shkallë kombëtare, ku u njoh me specialistët më të mirë të bujqësisë, midis të cilëve agronomin e shquar Abedin Çipi, Taso Ninin etj.
Shkrimet e tij për bujqësinë zinin vend të përhershëm në revistën e kohës “Bujqësia Socialiste” si dhe në gazetën “Bashkimi “, gazetari i së cilës Fatos Cekodhima, i kërkonte shkrime herë pas here. Nëse do të kërkonim arkivin e “Bujqësisë Socialiste” nga viti ’70 e më pas, rrallë mund të gjendet numër pa shkrim të Nuriut.
Në fund të vitit 1970 shkon në Francë, ku, nëpërmjet ambasadës sonë në Paris, kishte porositur blerjen e 50 rrënjëve kivi, i cili ishte frut i ri, i posafutur në tregun evropian nga Japonia. Fidanet e marra në Francë u mbollën në Fidanishte, me synim që t’i shtonte dhe t’i shpërndante në të gjithë vendin. Pas prodhimit të parë që mori prej tyre, përgatiti kalema për t’i mbjellë. Por vitet ’90 shkatërruan gjithçka, midis të cilave edhe fidanet e kivit që kishin nevojë hedhur shtat.
Emri i Nuriut u bë i njohur në të gjithë vendin. Vinin specialistë nga të gjitha rrethet për eksperiencë dhe për kërkesa për lloje të ndryshme fidanesh frutore. Një ndihmë të veçantë i ka dhënë rrethit të Skraparit, duke shlyer një detyrim ndaj vendlindjes dhe kryeagronomit Genci Gjineci, i cili ishte bir i Vërzhezhës. Atij i premtoi dhe i çoi një sasi të konsiderueshme mandarinash pa farë, të cilat u mbollën në Orizaj, vend i përshtatshëm për kultivimin e tyre, në fund të fshatit Vërzhezhë, para se të futesh në qytet.
Nëpërmjet drejtuesve të rrethit Lushnjë, emri i tij u bë i njohur edhe në qeveri. Ish-Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, dërgonte çdo muaj makinën e tij dhe e merrte në Tiranë, ku jepte këshilla si mund të sistemohej kopshti me pemë që kishte rreth shtëpisë. Prej tij u njoh dhe me Presidentin e Presidiumit të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi, me të cilin e lidhte dhe fakti që njëri prej djemve të tij e kishte bashkëshorten nga Vërzhezha. Vetëm Enver Hoxha nuk ka qenë për vizitë në NB-Frutore në Lushnjë, sepse shumë të tjerë, duke përfshirë dhe Mehmet Shehun, kishin shkuar atje. Madje Mehmet Shehu, pas takimit me Nuriun, jep porosi në Kom.e Partisë së rrethit, që të bëjnë kujdes, se Nuriu është shumë i dhënë pas frutikulturës dhe ka rrezik të zërë sipërfaqe toke në kurriz të atyre që shërbejnë për prodhimin e grurit e të misrit.
Nuriu e dashuronte profesionin. Ai donte që gjithçka të bëhej në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndiqte hap pas hapi të rejat e fundit të shkencës dhe përpiqej t’i aplikonte ato në ndërmarrje . Për këtë arsye, me propozim dhe nën drejtimin e tij, u ngrit kursi njëvjeçar i pemëtarisë, pas përfundimit të të cilit punëtorët që ndiqnin kursin pajiseshin me dëshmi, e cila shoqërohej edhe më ngritje page. Drejtor i kursit u caktua kryegronomi i ndërmarrjes, Pali Saveta.
Duke shfrytëzuar literaturën botërore, kishte vënë re se fidanet në vendet e zhvilluara shkuleshin me plugje pneumatike, kurse te ne shkuleshin me kazma e lopata, çka nuk kishte rendiment dhe kostot ishin të larta. U konsultua me mekanikët e ndërmarrjes dhe u arrit në përfundimin se mund të modifikoheshin plugjet e traktorëve ekzistues dhe të përshtateshin për shkuljen e fidaneve të mbjella, gjë që u realizua me sukses.
Po kështu, pas vendimit të kom.ekz.të rrethit për zgjerimin e mëtejshëm të ndërmarrjes me sektorë të rinj, duke përfshirë sektorin e Dushkut e Zhamës deri në Thanasaj, tek ura e Rrogozhinës, sektorë këta ku dominonin pemët e ullirit. Me marrjen e këtyre ullinjve, filloi ripërtëritjen e tyre, kryesisht të ullinjve të vjetër nëpërmjet krasitjes, aq sa disa veteranë ngritën zërin duke u ankuar në komitet se po dëmtoheshin ullinjtë. Po njëri nga drejtuesit e ndërmarrjes, që i kishte më parë në varësi këta ullinj u tha vartësve se tani ullinjtë kanë rënë në usta, sepse çdo pemë ka nevojë të krasitet nga degët joprodhuese, madje ndonjëherë edhe për të shëndoshur të tjerat, mund të pritet ndonjë degë e madhe prodhuese. Fakt është që atë vit ullinjtë prodhuan shumë më shumë se një vit më parë.
Në fillim të viteve ’70 përfundoi pa shkëputje shkollën e lartë të bujqësisë, pasi nuk i njihej shkolla e bërë në ish-Jugosllavi.
Veç artikujve të shumtë shkencorë në periodikët bujqësorë të kohës, botoi edhe librat ” Mandarina pa farë ( unshiu )” dhe ” Kultivimi i fidaneve frutore “, libër që gjendet në Bibliotekën Universitare Shkencore.
Gjatë viteve të punës krijoi edhe varietete të reja pjeshkësh e dardhash, çka konsistonte në pjekjen më të hershme të tyre, apo me ngjyrë ndryshe nga ato ekzistuese. Por futja në prodhim të gjerë nuk mund të bëhet brenda pak vitesh, se ato mund të degjenerojnë. Kështu që pas viteve ’90 askush nuk u kujdes më për to.
Nuriu u nda nga jeta më 29 janar 2010, në moshën 80-vjeçare.
Burimi/Facebook


Leave a Reply