
Grupi i të drejtave të njeriut gjeti se Greqia kthen emigrantët në Turqi në mënyrë të paligjshme.
Nga Menekshe Tokjaj për Southeast European Times në Stamboll
Emigrantë rreshtohen në kampin Fylakeio pas kalimit të kufirit nga Turqia në Greqi. [AFP]
Emigrantë e azil-kërkues që përpiqen të hyjnë në Bashkimin Evropian nëpërmjet Greqisë ndeshen me kthimin e paligjshëm në Turqi nga autoritetet greke dhe kushtet e këqija në qendrat e ndalimit, pohoi Amnesty International në raportin më të fundit për çështjen.
“Numri i historive të përzënieve që mblodhëm është alarmant. Ai sugjeron se autoritetet greke e përdorin këtë praktikë në një bazë të rregullt me gjithë faktin se përzëniet janë të paligjshme e janë në shkelje të standarteve të të drejtave evropiane e ndërkombëtare,” tha për SETimesIrem Ard, studjuese e emigracionit në Amnesty International.
“Shumica e tyre, që nuk janë kthyer, përballen me paraburgime të gjata në kushte të tmerrshme. Problemet shëndetësore në kampe janë të shumta,” shtoi ajo.
Vëzhguesi i të drejtave të njeriut zbuloi se grupe migrantësh ishin dërguar kolektivisht në Turqi, duke e quajtur këtë sprapsje, që u mohon azil-kërkuesve individualë të drejtën të parashtrojnë rastin e tyre përpara autoriteteve.
Në disa shembuj, grupet e azil-kërkuesve në anije të pasigurta u kthyen mbrapsht në ujërat territoriale të Turqisë dhe anija e tyre është dëmtuar me qëllim. Në dëshmi të tjera të emigrantëve, policia greke i hodhi emigrantët në anën tjetër të kufirit tokësor apo ishujve në Lumin Evros me duart të lidhura.
Amnesty International pohoi se “jetët e njerëzve janë vënë shpesh në rrezik nga veprimet e rojeve kufitare greke dhe rojeve bregdetare ndërsa kryenin operacionet e përzënies përgjatë kufirit me Turqinë.”
Raporti është mbështetur në 79 intervista të kryera me emigrantët që u kapën tek kapërcenin Detin Egje apo kufirin tokësor të Greqisë me Turqinë.
Greqia është porta kryesore për të hyrë në BE për emigrantët që vijnë nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme.
Numri i njerëzve që kalojnë në mënyrë të paligjshme në Greqi nëpërmjet kufirit tokësor të lumit Evros/Meriç është pakësuar në mënyrë thelbësore që kur qeveria greke ndërtoi një gardh prej 10.5 km përgjatë kufirit me gati 2,000 roje kufiri shtesë. Siguria më e shtrënguar kufitare tokësore ka rezultuar një dyndje përgjatë kalimeve më të rrezikshme të Egjeut.
Në pesë muajt e parë të 2012-tës, policia greke tha se 15,877 emigrantë u kapën në kufirin tokësor dhe 169 në Egje. Në pesë muajt e parë të 2013-tës, vetëm 336 u kapën në kufirin tokësor krahasuar me 3,265 në Egje. Që nga gushti 2012, autoritetet thanë se 101 vetë kanë vdekur duke u përpjekur të kalojnë Egjeun.
Sapo janë në Greqi, shumica e njerëzve të kapur përfundojnë në qendrat e mbajtjes së emigrantëve. Shumica e atyre të intervistuar nga Amnesty International kishte kaluar muaj në qeli të errëta e të pista me mundësi të kufizuara për banja e mungesë të higjienës së mjaftueshme. Në disa shembuj, emigrantët që jetonin në mënyrë të paligjshme në Greqi si azil-kërkues, u dëbuan në Turqi.
Deniz Senol Sert, një eksperte në politikat e emigracionit nga Universiteti Ozyegin i Stambollit, tha për SETimesse ajo që po ndodh përgjatë kufirit grek nuk është vetëm faji i Greqisë, por gjithashtu i Bashkimit Evropian dhe Turqisë.
“Këta emigrantë nuk bien në Detin Egje nga qielli, ata kalojnë nëpër kufijtë e Turqisë të administruar në mënyrë jo të efektshme,” tha ajo. “Rregjimi liberal i vizave i Turqisë ku vizat u jepen lehtësisht shtetasve të vendeve burimore të emigracionit të parregullt është gjithashtu një sfidë,” vuri në dukje ajo.
Sipas Sert, mungesa e besimit politik midis Turqisë dhe Greqisë është gjithashtu një faktor. Marrëveshja e ri-pranimit dypalësh midis Turqisë dhe Greqisë, e vlefshme që nga prilli 2002, është e pa-efektshme dhe proceset e dëbimit janë të gjata dhe burokratike.
Ndërkohë, autoritetet turke ngurrojnë të ri-pranojnë emigrantë sepse në të kaluarën autoritetet greke u përpoqën të kthenin disa emigrantë në Turqi megjithëse nuk kaluan nëpër këtij vendi.
Sert tha se BE ka gjithashtu pjesë në administrimin e këtij problemi sepse rregullat e BE-së detyrojnë përgjegjësi mbi Greqinë për të trajtuar kërkesat e azil-kërkuesve.
Turqia ka një rezervë ndaj Konventës së 1951 të OKB-së Lidhur me Statusin e Refugjatëve e pranon vetëm kërkesat për azilit nga vendet në Këshillin e Evropës. Jo-evropianët ose shkojnë të pazbuluar, vendosen në qendrat e largimit derisa të rivendosen në një vend tjetër ose dëbohen në vendin e tyre të origjinës.
A bëjnë aq sa duhet autoritetet turke e greke për të mbrojtur të drejtat e sigurinë e emigrantëve të paligjshëm? Jepni mendimet tuaja në pjesën e komenteve.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply