Në vijim të angazhimit tonë për mbrojtjen e Lumit të Nikaj-Mërturit nga zbatimi i një projekti që cenon ekuilibrin natyror dhe identitetin e krahinës sonë, pasi kemi kërkuar informacion nga të gjitha institucionet dhe aktorët e përfshirë, zhvilluam një takim negociues me KESH sh.a.
Nga ky takim u arrit marrëveshja për pezullimin e menjëhershëm të punimeve. Gjithashtu, u dakordësua ngritja e një grupi të përbashkët pune ndërmjet KESH sh.a. dhe Bordit “Për Mbrojtjen e Lumit”, me pjesëmarrjen e inxhinierëve, ekspertëve të mjedisit dhe avokatëve, për të shqyrtuar rishikimin e projektit dhe orientimin e ndërhyrjeve drejt përrenjve që depozitojnë sedimente dhe aluvione në shtratin e lumit.
Ky është një hap i rëndësishëm, por jo fundi i rrugëtimit tonë.
Një falënderim i veçantë shkon për grupin e ekspertëve, të cilët me profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tyre i dhanë zë argumentit teknik e mjedisor në mbrojtje të Lumit të Nikaj-Mërturit.
Mirënjohje për inxhinierin Zef Imeri, ekspertin e mjedisit Sazan Guri, si dhe për të gjithë specialistët e tjerë që u angazhuan pa kursyer kohë e dije në këtë kauzë.
Bordi “Për Mbrojtjen e Lumit” do të vazhdojë punën me përgjegjësi dhe transparencë, deri në arritjen e zgjidhjes më të mirë për Lumin e Nikaj-Mërturit dhe për të gjithë komunitetin tonë.
Faleminderit për mbështetjen, besimin dhe bashkëpunimin tuaj!
Me respekt,
Në emër të Bordit “Për Mbrojtjen e Lumit të Mërturit”
Burimi/Facebook/Nikaj Mertur News


Leave a Reply