Një shembull i rrallë solidariteti dhe dashurie për vendlindjen vjen nga fshati Xhan, në trevën e Dukagjinit, ku banorët dhe emigrantët me origjinë nga kjo zonë kanë vendosur të marrin vetë në dorë ndërtimin e rrugës drejt shtëpive të të parëve.
Me moton “Xhani na thërret”, dhjetëra familje që sot jetojnë në Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali, Angli, Francë e Gjermani kanë bashkuar kontributet financiare për të investuar në infrastrukturën e fshatit, duke dëshmuar se, edhe pse larg, zemra e tyre mbetet në vendlindje.
Punimet kanë nisur me bekimin e shërbyesit të Zotit, sipas traditës së zonës, ndërsa investimi më i fundit është blerja e një fadrome, e cila po përdoret për hapjen dhe sistemimin e rrugës kryesore që të çon drejt shtëpive të banorëve.
Sipas nismëtarëve, kjo nuk është hera e parë që komuniteti investon për Xhanin. Më herët janë financuar restaurimi i godinës së ish-shkollës, e cila synohet të ruhet si monument i historisë së zonës, mirëmbajtja e banesave të trashëguara dhe rregullimi i rrugëve të lagjeve.
Një rol të rëndësishëm në këtë nismë ka pasur edhe emigranti Sokol Sterbyçi, i cili bleu fadromën që po kryen punimet në terren, duke i dhënë jetë asaj që banorët e quajnë “Rruga e Shpresës”.
Banorët e Xhanit shprehen se ky bashkim është dëshmi se dashuria për vendlindjen nuk shuhet me emigrimin. Përkundrazi, ata besojnë se investimi në fshatin e të parëve është mënyra më e mirë për të ruajtur historinë, identitetin dhe lidhjen me rrënjët, duke u bërë një shembull frymëzues edhe për komunitetet e tjera të zonave malore.
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply