Çdo ditë,
një oshëtimë
e paqes së përdhosur
bëhet në sytë e tu
një pamje e përsosur.
Zgjohu nga hipnoza e së kaluarës!
Ke frikë?
Shih si babëzia,
si diarreja e pangopësisë,
po të mbyt ngadalë.
Nxirr jashtë shalët e rrudhura,
ato që i mbulove me përralla diellesh,
por që diell nuk panë kurrë.
Ti, hije dykëmbëshe,
që gjymton bukurinë e jetës
dhe vetë natyrën.
Sepse vuan nga era jote…
nga myku i shpirtit.
I vetmi parfum që ruajte
ishte hakmarrja,
kundër kujt të vodhi kukullën e shtrigës,
atë që e krijove vetë
në fëmijërinë tënde.
Oh, ti…
pafundësi vuajtjesh!
Hesht…
ose vdis.
Mos e lyej bardh e zi
realitetin që të njeh.
Ti,
kënga e ngjirur
e një kafke pa buzë,
dhimbja e vetvetes
mbete përgjithmonë.
Hije që vret
pa zhurmë.
Çdo ditë,
një oshëtimë
në kafazin e interesave,
ku ende ulërijnë hienat
e kujtesës sate.
Kjo tokë
shkund supet
para dhimbjes së heshtur,
duke të lënë vetëm ngjyrat
me të cilat mbulon të djeshmen.
Bota ndal frymën.
Në tryezën e përditshme,
me sytë ngulur te shpresa,
ha bukën e thatë
të ngjyer në gjak.
Ha…
dhe hesht.
“Dikush mbetet gjallë,
vetëm nga fati.”
Mos lejo
që krimet,
tradhtitë
dhe turpi
të varrosen në heshtje.
Paqja
ka hedhur vellon e saj të bardhë,
por jo
mbi sytë e verbër.
Mëngjesi na gjen
si në savanë,
duke vrapuar
pas gjahut të ditës,
përndryshe
mbetemi vetë
në dhëmbët e gjahut.
Jemi në luftë,
o njeri!
Ata…
Ai…
vetëm vret,
vjedh
dhe ha.
Nga krimi
ngrihen perandori mizore.
Lufta e tyre
është humbja jonë.
Humbje njerëzore.
Të gjallë…
vetëm nga fati.
Madi Tsit
Pasazh përtej kohës (2003)
Burimi/Facebook


Leave a Reply