Ndër kohë që po punoj intensivisht për librin e radhës, ndoshta më të rëndësishëm timin, “#KRISHTËRIMI DHE #SHQIPTARËT”, më vjen ndërmend me të njejtin emocion epilogu i librit “ARBËRIA NË KUFIJTË E MBIJETESËS” që e botiva në fund të vitit 2020:
“Eh, Arbëria ime!
Sa shumë e sa gjatë të lodhën, Zonjë e rëndë, Mbretnesha Jonë e Përjetshme!
Që kur biri yt, më i madhi që Ti linde e rrite, Gjergj Kastrioti ndërroi jetë, e që kur bijtë e tu, burrat e dheut bashkëkohës të tij e të tjerë më vonë, u vranë e u syrgjynosën, Ti jeton si nëna pa djalë.
Ka më shumë se 500 vjet që dhunohet shtati e shpirti yt i shenjtë.
Heqin e shkatërrojnë shenjat e tua, pjesët më të bukura, e nga ana tjetër vendosin “copëza Azie” pa fund mbi trupin tënd….
Kurrë s’tu ndanë osmanët e vjetër e të rinj, sllavët e grekët. S’u lodhën kurrë bishat e shushunjat duke të rënë e duke të ngrënë. Gjithmonë me ta bashkëveprojnë pa u lodhur pjella e tyre e keqe, ndonëse flasin gjuhën që na mësove Ti, nëna Arbëri. Kanë shkatërruar e po shkatërrojnë në trupin tënd më të bukurat e dheut, kështjella, kisha, por dhe bukuri të tjera që natyra të dhuroi Ty.
Pra më e dhimbshmja është se edhe njerëzit që flasin gjuhën Tënde, po me atë gjuhë mendojnë, bëjnë e thonë të pavërteta për Ty, duke fshehur sa mundin prezencën dhe tjetërsuar formën e përmbajtjen e shpirtit dhe të qenies Tënde të bekuar.
… Dhe e keqja e madhe nuk është se gënjejnë e falsifikojnë, por se ndikimi i tyre është i madh edhe tek bijtë e Tu, që do të donin të të njihnin, madje dhe të krenoheshin me Ty, por që për shkak të tyre (falsifikatorëve dhe të atyre që e shtrembërojnë përditë historinë), Ti po mpakesh (zvogëlohesh) përherë e më shumë.
Ti dhe biri yt, Gjergji, kujtoheni dhe jeni më prezentë përtej detit, në Kalabri, Bazilikata, Siçili e kudo gjetiu në Europë, sesa në trojet e Ilirikut, ku u ngrite e fortë e madhështore për rreth 3-4 shekuj….
Gjithsesi, unë besoj në shpirtin tënd të shenjtë, jo vetëm se u ungjillëzove e u pagëzove ndër të parat e botës, Arbëria ime, që në vitin 57 prej Palit dhe apostujve të tjerë, me “porosi –testament” të Jezu Krishtit, apo për shkak edhe se bijtë e Tu, më të mëdhenjtë e njerëzimit: Kostandini, Justiniani e Gjergj Kastrioti, përhapën e mbrojtën atë frymë, por dhe për faktin se për mbi 500 vjet ushtrim dhune e shkatërrimi mbi Ty, përsëri Ti qëndron, je aty e pavdekshme.
Prandaj unë besoj në ripërtëritjen dhe në rilindjen tënde, Arbëria ime e dashur!”
Gjet NDOJ
Tiranë, 7 korrik 2026




Burimi/Facebook


Leave a Reply