Pas një vale denoncimesh nga pushuesit për tarifim mbi çmimet e miratuara të shezlongëve, Bashkia Lezhë ka ndërmarrë kontrolle intensive në vijën bregdetare, duke detyruar subjektet që kishin shkelur rregullat t’u kthenin qytetarëve paratë e marra më tepër.
Në videon e publikuar nga Bashkia shihen punonjësit e Policisë Bashkiake gjatë verifikimeve në terren, teksa kërkojnë nga administratorët e plazheve të rimbursojnë menjëherë pushuesit që kishin paguar mbi tarifën e lejuar.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, bëri të ditur se pas publikimit të numrave të telefonit për denoncime, institucioni është përballur me një fluks të madh ankesash.
Sipas tij, në disa raste, veçanërisht në stacionet e plazhit të hotelerive, janë konstatuar tejkalime të çmimeve të miratuara.
Ndreu thekson se Bashkia po ndërhyn për çdo rast të denoncuar dhe garanton se qytetarëve po u rikthehen pagesat e marra në mënyrë të padrejtë.
Ai rikujton gjithashtu se rreth 66% e vijës bregdetare të Lezhës është plazh publik, ku qytetarët mund të frekuentojnë plazhin pa pagesë ose me tarifa minimale, ndërsa sqaron se Bashkia ka kompetencë vetëm për monitorimin e çmimeve të shezlongëve dhe jo të parkingjeve private.
Në përfundim, Ndreu u bën thirrje pushuesve që çdo shkelje ta denoncojnë në kohë reale, në mënyrë që ndërhyrja e Policisë Bashkiake të jetë e menjëhershme dhe të garantohet zbatimi i rregullave gjatë sezonit turistik.
Burimi/Istagram/portali_shkodres


Leave a Reply