Letër drejtuar deputetit z. Eduard Shalsi pas thirrjes se protesta po prodhon banalitet dhe kriminalitet
I veçanti z. Eduard Shalsi,
Deklarata juaj se vlerësimet negative online për z. Gjergj Luca janë kriminale dhe prodhim i një proteste banale e vulgare, ju veçon në qerthullin e zëdhënësve të pushtetit 36-vjeçar, i cili po mundohet me mish e me thonj t’i mbijetojë lëvizjes më të madhe qytetare, e cila është zotuar për ta mbyllur tranzicionin.
Ju veçon sepse, jeni po ju që dilni në Parlament, hiqni shprehjet e ngërdheshura që vini sa herë duhet të mbroni llumin e shoqërisë që drejton këtë vend dhe flisni për stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë e për krenarinë e Bankës së Shqipërisë, e cila mban frerët e zhvillimit të qëndrueshëm.
Unë që po ju shkruaj jam një i ri i këtij vendi, i cili, për të mos rënë pre e politikës suaj të sundimit përmes varfërisë, u shkollua në Tiranë me sakrificën e madhe të dy prindërve, që prej shkollës së mesme jopublike “Harry Fultz” e deri në përfundimin e masterit në Universitetin Politeknik të Tiranës. E gjithë kjo, që të kisha një profesion dhe të mos isha në dorën e dikujt për të ndërtuar një jetë dinjitoze me meritën dhe forcat e mia.
Por ju, specialistët e antishtetit, ma vendosët këmbën në fyt që në universitet, kur pashë se ikona e arsimit të lartë, UPT, ishte vetëm një godinë dhe se brenda saj ndodhej një magazinë me banka të thyera.
Me pasionin dhe sakrificën e disa prej pedagogëve heronj në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, mora shumë dije, si dhe metodologji për përthithjen dhe zbatimin e informacionit, për të cilat do t’u jem mirënjohës gjatë gjithë jetës. Fatkeqësisht, programi im i studimit për inxhinieri mekatronike dhe, më pas, masteri në automatizim industrie mbetën në tentativë, pasi universiteti nuk kishte kapacitetet për të ngritur një laborator automatizimi dhe robotike.
Kjo jo sepse pedagogët nuk ishin të aftë, por sepse antishteti, i cili ju përdor edhe ju për të ruajtur mjerimin në këtë vend, nuk linte asnjë hapësirë që ai universitet të ngrihej në nivelin që meritonin mësimdhënësit dhe studentët e asaj godine. Sepse, në fund, z. Shalsi, edhe pse u diplomova, unë nuk u bëra kurrë student siç duhej dhe pedagogët nuk e dhanë kurrë mësimin siç duhej, vetëm që ju të vidhnit siç dinit.
Përfundova 18 vite shkollim në të gjithë sistemin arsimor shqiptar dhe dola në tregun e punës në vitin 2014, dy vite pasi ju kishit deklaruar se nuk do të vidhnit në mënyrë aq flagrante sa antishteti i Sali Berishës. Edhe unë, si shumë shqiptarë, në vitin 2013 ju votova si të keqen më të vogël, sepse besoja se, pavarësisht padrejtësive, me forcat e mia do t’ia dilja. Besoja edhe se ju nuk do të ishit më të këqij se ata që na e shitën tranzicionin si demokraci.
Fillova punë në industrinë fason si elektricist, në mënyrë që t’u afrohesha sadopak vizatimeve të krahëve robotikë në dërrasën e zezë të shkollës. Por aty pashë për herë të parë se si antishteti lejonte kushte pune jashtë standardeve, të cilat rrezikonin jetën e punonjësve. Pashë gra që, edhe pse paguheshin me pagë minimale, detyroheshin t’i kthenin punëdhënësit një pjesë të pagës.
Kërkova ta ndryshoja vendin e punës për një pagë më të mirë dhe për kushte njerëzore, por nuk i gjeta dot, sepse ju, z. Shalsi, kishit filluar zbatimin e shprehjes suaj për të vjedhur ndryshe.
Habitesha se si kompani në dukje prestigjioze, me investime të konsiderueshme, ofronin punë të pasiguruar dhe në të zezë. Ishte viti 2016 dhe punova tre muaj në të zezë, z. Shalsi. Ishte një turp i rëndë për mua të punoja si emigrant në vendin ku paraardhësit e mi kanë kontribuar brez pas brezi, madje edhe me gjak, që të quhej Shqipëri.
Ju, në atë kohë, ishit deputet dhe kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Unë e kuptoja shumë mirë se kjo ishte politika e forcës politike që ju përfaqësoni në mënyrë të veçantë, nisur edhe nga ajo fjali e sinqertë që ju shpëtoi më 27 shtator 2012. Një politikë sundimi përmes padrejtësisë, e cila e shtynte rininë ose të largohej, ose të bëhej pjesë e llumit tuaj, sepse mes të pistëve, ju, z. Shalsi, duhej të dukeshit më i pastri dhe më i votueshmi.
Historitë e panumërta të dekonspirimit të denoncimeve ndaj punëdhënësve ishin mjaftueshëm bindëse për të kuptuar se vendi po drejtohej nga hajdutë. Por unë përsëri u mundova të qëndroja në punën time, i pastër dhe i ligjshëm. U largova nga puna pa sigurime, edhe pse premtimet e rreme të punëdhënësit ishin po aq të përditshme sa është sot mbrojtja juaj ndaj individëve si Gjergj Luca dhe Belinda Ballukut.
Aq shumë u shqetësuat për disa vlerësime negative, të cilat vinin si pasojë e 36 viteve frustrim të qytetarëve që përpiqen të ndërtojnë një jetë me punë të ndershme, saqë detyruat drejtorin e Përgjithshëm të Policisë të vetëdiskreditohej, duke kërcënuar me burg, pa asnjë bazë ligjore, qytetarët e këtij vendi. Vlerësimet e atyre gjashtë apo shtatë bizneseve u hoqën nga Google si pasojë e politikave që zbaton platforma, ndërsa ju mbetët veçanërisht i zbuluar në marrëzinë dhe çoroditjen e pushtetit, që do të lidh fatin e një vendi, me fatin e një personi.
Por le të kthehemi në vitin 2016. Unë isha ende i pafuqishëm për t’u përballur me padrejtësinë e pushtetit tuaj, i pavendosur për t’u larguar nga vendi dhe i pabindur për të pranuar të bëhesha pjesë e ekonomisë suaj të zezë. Vendosa ta lija industrinë dhe të futesha në marketingun online, i cili dukej si një industri e re dhe e pakapshme nga sistemi.
Por edhe pse këtë herë isha i siguruar dhe me kontratë të rregullt, antishteti vinte në biznesin ku punoja me disa inspektorë tatimesh me këmisha të zbërthyera dhe florinj në qafë, si skafistët që mbytën shqiptarët në Kanalin e Otrantos. Me justifikimin e aksioneve të befasishme për kapjen e punonjësve të pasiguruar, ata i kërkonin para administratorit që të largoheshin.
Antishteti nuk më shqitej. Madje, në një prej rasteve, inspektorët tuaj, z. Shalsi, më ndoqën deri në banjë, sepse mendonin se isha punonjës i pasiguruar, i cili po largohesha sipas tyre në tualet për ti ikur ligjit. Neveria ndaj pushtetit më shtohej nga fakti se nuk pashë kurrë kontrolle te bizneset e parregullta, ndërsa çdo tre apo gjashtë muaj, skfistët me rroba inspektori vinin në një kompani që përpiqej të punonte me meritë në një treg të padrejtë.
Si pasojë, duhej të hidhja një hap tjetër për t’iu larguar edhe më shumë represionit tuaj ekonomik. Në vitin 2022 vendosa të punoja nëpërmjet kompanisë sime, si i vetëpunësuar dhe me kontrata shërbimi. Por edhe këtu ju më ndoqët këmba-këmbës, duke filluar me ndryshimet ligjore për tatim fitimin mbi profesioinistët e lirë. Të cilave, në kundërshtim me parimet kushtetuese, kërkonit ti taksonit nga 16 deri në 23% pa asnjë fashë të mbrojtur, edhe nëse unë do të kisha të ardhura minimale në nivelin e pagës minimale që tatimin e ka 0. Por socialistët e veçantë si puna juaj, i shpërfaqin sa herë nevoitet.
Më pas vazhduat me miratimin e ndryshimeve në taksat vendore, të cilat lejonin rivlerësimin me fuqi prapavepruese, për të gjobitur padrejtësisht të gjithë ata që kishin kaluar kufirin prej dy milionë lekësh xhiro vjetore të deklaruar.
E si socialistë të veçantë, vazhduat me vendosjen e detyrimit për deklarimin e një kontrate pronësie apo qiraje për ambientin ku zhvillohet aktiviteti, edhe pse, në rastin tim dhe të mijëra profesionistëve të industrisë së programimit dhe marketingut digjital, puna kryhet nga shtëpia ose nga ambiente publike. Edhe njëherë qëllimi ishte ngarkimi me tatimin në burim si një kosto shtesë, përmes kontratës së qirasë në emër të personit fizik, të cilë do të hiqte akoma më shumë para nga puna ime. Para që ju të vidhni më shumë, ndërsa te preferuarit tuaj si Gjergj Luca, marrin qindra hektare me 1 euro, oferta ne shkarkim dividenti me 8% e shumë të tjera.
Sot jemi në vitin 2026 dhe, falë Zotit, qytetarët si unë po bëhen bashkë kundër jush, pasi më në fund po kuptojmë se nuk mund të vazhdojmë të zgjedhim të keqen më të vogël dhe as t’i largohemi asaj. Duhet të përballemi me të, derisa ju të largoheni nga kapja e shtetit.
Ju, z. Shalsi, do të largoheni, sepse QSUT-ja ka kërkuar si donacion 15 respiratorë, gjashtë laringoskopë dhe gjashtë defibrilatorë, ndërkohë që ju kujdeseni për vlerësimet negative të Gjergj Lucës, të cilin na e barazoni me imazhin e Shqipërisë.
Ju, z. Shalsi, do të largoheni, sepse QSUT-ja ka kërkuar si donacion pesë monitorë pacienti me matje invazive, pesë elektrobisturi dhe dy kulla endoskopie e kolonoskopie, ndërkohë që ju paguanit 4.2 milionë euro për një koncert privat, të cilin na e paraqisni si aktivitetin që mban ekonominë e Shqipërisë.
Ju, z. Shalsi, do të largoheni nga kapja e shtetit, sepse QSUT-ja ka kërkuar si donacion 50 shiringa elektrike, pesë aparatura EKG me 12 kanale dhe dy aparatura EEG, ndërkohë që ju mbroni veten dhe hajdutët e qeverisë në çdo nivel: që nga ligjet me amnisti penale, deri te mbrojtja nominale e deputetëve nga SPAK-u, kur ndaj tyre kërkohen masa sigurie.
Mendonit se njerëzit e mirë të këtij vendi do t’i mbanit gjithmonë nën varfëri, përçarje dhe intimidim, por gjithçka që nis e ka një mbarim.
Ne, qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, jemi vendosur përballë jush. Kjo përballje do të fitohet nga ne, sepse jemi shumica dhe e drejta është me ne. Do të marrë fund kapja e ekonomisë shqiptare nëpërmjet kontratave koncesionare abuzive në dëm të shtetit, si ajo e naftës, në të cilën edhe ju personalisht keni kontributin tuaj; nëpërmjet tenderëve publikë në fond limit, me kushte preferenciale dhe të hartuara nominalisht për një biznes; si dhe nëpërmjet dhënies së pronave publike klientëve tuaj për një euro.
Lëvizja qytetare mbarëkombëtare ka prodhuar jo vetëm protestën, por edhe zgjidhjen ndaj pushtetit që përfaqësoni ju, z. Shalsi: zgjedhje të lira dhe të ndershme, me përfaqësim të drejtë, lista të hapura dhe pa intimidimin e pushtetit ndaj njerëzve të këtij vendi.
Tranzicioni do të mbyllet me çdo kusht dhe me çdo çmim.

Burimi/Facebook/Erjon Bacaj Shqipëria Bëhet


Leave a Reply