1. Histori e shkurtër, por intensive.
E diela intensive nisi të dielën në mëngjes. Një ceremoni e shkurtër e mbylljes së vitit akademik 2025-2026 në shkollën modeste “7 Marsi”, ku u mblodhën nxënës, prindër, mësues; anëtarë, aktivistë e drejtues të shoqatave, që mbështesin zhvillimin e mësimit shqip. Patëm rastin e bukur të kishim mes nesh Presidenten e Centro Culturale ODA, regjizoren tiranase Valbona Xibri. Sapo u mbyll ceremonia, u nisëm, sepse ishte një thirrje: “Ejani mblidhuni këtu-këtu!”
Në vitin 2024, me nismën e disa artistëve e të pasionuarve për artin, krijuan Associacione Albanian Folk Modena”. Kishte formacione, organizime e grupe të ndryshme që promovonin artin e muzikën tonë në zonat ku jetojmë nga të gjitha trevat shqiptare. Natyrisht, kishte edhe të pasionuar nga zonat e jugut, por kjo gjë ishte më shumë sporadike. Kjo mënyrë ishte larg ambicieve të aktores Elvira Zykaj, instrumentistes Monika Bekolli, këngëtarëve Patriot Demaj, Ardian Kodra, Esma Hoxha dhe Laureta Mehmeti. Për herë të parë i pamë në Rovereto në Fest Folk në tetor 2024. Prezenca e tyre plot autoritet, na impresionoi shumë. Më pas ata morën emër dhe prestigj, duke u bërë shumë të kërkuar e, për rrjedhojë, shumë të mirëpritur në mjediset e lëvizjes kulturore në Itali e jashtë saj. Pas një viti jetë, ata krijuan aktivitetin e tyre të përvitshëm me titull “Ejani mblidhuni këtu-këtu!” Në edicionin e dytë të këtij përbashkimi artistësh patëm rastin kaq të volitshëm të ishim të pranishëm unë, Valbona e Marjana.
2. Moderimi.
E kush tjetër, se! Veçse aktorja e talentuar Elvira Zykaj artikullon kumbueshëm e me shumë mjeshtri e dashuri gjuhën e bukur shqipe. Së pari na njohu me dy vajza të reja me krenari shqiptare në shpirt, Rebeka e Simela. Ata krijuan një spektakël në spektaklin, jo vetëm për prezencën e gërshetimin e brezave, por sepse flisnin kaq bukur si shqipen e identitetit tonë, si italishten e vendit ku jetojmë, kjo për hir të shumë miqve italianë që ishin spektatorë në Teatro Cittadella në qytetin e bukur Modena. Prezantimet e të ftuarve dhe të grupeve a artistëve të veçantë, shpesh shoqëroheshin me duartrokitje, duke njohur rolin e tyre në lëvizjen kulturore, pa ditur se çfarë befasish të këndshme kishin rezervuar për skenën e këtij teatri antik.
3. Associazione Albanian Folk Modena.
Me një këngë që tejkalon kufinjtë e krijon lidhjet anembanë, nisin maratonën të zotët e shtëpisë, me grupin e tyre, tashmë, mitik. Kështu shprehën lumturi aty është flamuri ynë, aty ku është identiteti ynë, aty ku krijohen nyje të lidhjes mes brezave shqiptarë. Pamë që këtij grupi i ishte shtuar djal i ri vlonjat Hyso Gjonaj. Është bërë pjesë e këtij grupi, Mimoza Agolli. Prej pak muajsh, këtij grupi i është bashkuar edhe mikja jonë, Ardiana Mbyeti Lepuri, konsulente financiare. E kush më mirë mund t’i kuptojë problemet ekonomike me të cilat përballet gjithnjë lëvizja jonë kulturore. Me ndjeshmërinë e saj dhe me përkushtimin atëror, veç investimit për të bashkëpunuar me grupin, me fisnikëri kontribuoi një mbështetje financiare për zhvillimin e aktivitetit. Për këtë gjest fitoi adhurimin e të gjithë të pranishmëve.
Tek të gjithë të pranishmit ra në sy sa shpirt e sa dashuri vënë në këngët e interpretuara nga ky grup. Prezenca e tyre e fortë, veshjet tradicionale, fjalët me timbër lab, kënga e kënduar sipas atij zakoni që çon peshë adhuruesit e këngës burimore, stimuluan përjetimin me dridhërima, ndaj natyrshëm u ndërprenë dhe shoqëruan me duartrokitje.
– Dy lab u bënë bashkë, ia nisin këngës, – tha me sens humori, por më shumë me sens përkatësie, për grupin tjetër “Djemtë e Labërisë” me djem të rinj, që kishin ardhur nga Firenze. Aventura e tyre nisi në bar dhe tani ata janë ngjitur në skenë. Këngët e tyre i kënduan me zjarr djaloshar dhe i shoqëruan me një lojë aktoriale, duke ia shtuar tonalitetin dhe dozën e shijes së kësaj kënge kumbuese të Labërisë sonë. Themi me krenarinë më të madhe që UNESCO ka vënë në mbrojtje këngën polifonike. Ndaj këta artistë të rinj janë dëshmi e ruajtjes së kësaj tradite, pasurimit dhe promovimit të saj në çdo vend ku gjendet komuniteti ynë, si një dëshmi autoktone e identitetit tonë kombëtar.
4. Shqiponjat.
Të gjithë qeshëm. Grupi i Valleve Shqiponjat prezantuan një rit të zakonshëm që nga antikiteti e deri në një të kaluar jo të largët, i cili për kohët e sotme përbën diçka të jashtëzakonshme. Bashkë edhe me artistë të tjerë, simuluan ceremoninë e përcjelljes së vajzës, shoqëruar kjo me këngët karakteristike dhe me të qarat e vajzës, rit ky i quajtur në malësi “kanagjeçi”. Artistja 360 gradë Drita Gega kësaj here ishte në rolin e këngëtares së këtyre ritualeve, e cila, përtej së qeshurës, na vinte në mendime e pandehim sa kanë ndryshuar kohët.
Më pas, nën ritmin e këngëve të interpretuara nga Shqiponja Doko, u prezantuan valle gazmore të dasmave shqiptare në skenë e në sallë.
5. Këngëtarët.
Nga Viareggio kishte ardhur këngëtarja e talentuar Mariana Daçi. Zëri i bukur, nervi i interpretimit, mjeshtrja e të kënduarit, lëvizjet e kursyera, virtuoziteti e bëjnë gjithnjë e më të dashur për publikun. Kënga “Kur e përcolla Ylberin” është sa prekëse, aq e preferuar për publikun, si brenda, ashtu dhe jashtë vendlindjes sonë. Këtë e pasoi kënga e njohur romantike “Kur më del në derë”.
Nga Shqipëria kishin ardhur dy këngëtare. Përtej zërit të bukur dhe talentit të interpretimit, ra në sy dashuria e pakufishme e për këngën labe të solistes Bejushe Bajramaj. Të tria këngët u kënduan në kor, u duartrokitën pa ndërprerje. Këngë të hareshme dhe festive këndoi juristja Gloria Xhomaqi, e cila ruan akoma kredon e dëshirën e asaj që pati mësuar në lice; këngën.
Realitet mes imagjinares e konkretes, mes lashtësisë dhe aktualitetit ishte prezantimi i artistit, bir i familjes më të fisme mirditore, Gjon Melyshi. Me thjeshtësinë e tij, me veshjen burrnore, me lahutën mitike shqiptare (pronë e UNESCO-s) në dorë, këndoi një këngë të hershme trimërie, duke sjellë qëndresë mes stuhive rena-rena/ shpatën hasmit me ia thye. Ky epizëm i shoqëruar me tingujt e lahutës është aktualizim i një historie mes tragjizmit e mbijetesës, mosnënshtrimit e triumfit.
6. Instrumentistët.
Po aq befasuese ishte prezantimi i artistëve me instrumente tradicionale dhe moderne. Si gjithnjë, krijues dhe sfidues me çiftelinë (edhe me këngën) Anton Mirditori. Gjithmonë gjen diçka të veçantë për çdo aktivitet. Në fillim luajtën një trio me flaut e kitarë. Vazhdoi e interpretoi dyshe me instrumentet e frymës. Së pari, me flaut. Më pas kaluan në sulm me instrumentistin e talentuar Ndrek Gjoka. Si armët e fshehura dikur, nën fletën e xhamadanit kishte vënë një koleksion instrumentesh të hershëm. Me zamare, fyell, bilbil, pipës, një simuluese të këngës së zogjve, krijuan atmosferën e majit në një bjeshkë, ku ndërthuren fërfërima e shushurima, kënga e fërshëllima. Përjetime magjepse provokon gjithmonë flautistja Monika Bekolli, sa herë ngjitet në skenë. Duke parë sfondin pas, dukej sikur me duart e saj merrte me delikatesën e një fluture nga luginat e honet dashurinë të cilën me frymë ua përkthente në tinguj të butë e përcillte spektatorëve.
Publiku i shumtë çmoi shumë praninë e pianistit të talentuar Diego Bitetto. Me tonalitetin herë të fortë e herë idiliak, zgjoi përjetime të këndshme tek spektatorët. Po aq i bukur ishte dhe shoqërimi në duet, piano-flaut.
Ishin të shumta duetet e instrumentistëve. Rast i rrallë ishte bashkëpunimi i flautistes Monika me oboistin e talentuar dhe orkestruesin ambicioz Arian Muka. Gjatë interpretimit të tyre dukej sikur udhëtoje në shpate e lugje, në hone e bjeshkë nën efektin e tingujve lirikë. Më pas na sollën një moderato të bukur me tingujt e këngës “Sa duhemi un e ti”.
7. Shkollat.
Prej vitesh në vendin ku jetojmë, shkollat shqipe janë realiteti më i bukur kulturor. Sa herë ata janë protagoniste në skena, efektet dhe përjetimet shumëfishohen. Një nga këto realitete, është shkolla shqipe “Skanderbeg”, në Parma. Që në fillimet e punës në këtë qytet nga prof. Durim Lika, me bashkëshorten Elvira dhe kolegë të tyre, janë bërë shembull frymëzime dhe jemi munduar t’i ndjekim, pa i arritur asnjëherë. Krahas gjuhës, ata gjejnë shumë mënyra për t’i bërë fëmijët të bien në kontakt me kulturën tonë. Një nga këta, është edhe mësimi i valleve tona. Magjepsje e vërtetë ishte kur shikonin nxënëset e kësaj shkolle 8-10 vjeç që interpretonin valle shqiptare, me koreografi të studiuar, me shami në duar, me veshje simbolike kuq e zi, me jelekë të artë. Vallet me motive epike, me ritëm alegro, me motive festive u ndoqën pa frymë dhe në fund një duartrokitje shpirti preku të gjithë pjesëmarrësit.
Një realitet i paarritshëm është krijuar nga miqtë e përkushtuar në Asti. Pranë Qendrës së Kulturës “Margarita Xhepa”, krahas aktiviteteve të shumta, kanë krijuar edhe grupin e valleve me emrin sfidues “Lili Cingu”. Vajzat e tyre si flutura i preferojnë sfidat dhe interpretuan koreografi të shkollës kosovare e shkodrane, me tinguj të fortë përkatësie atdhetare dhe me alegri që provokonin ndjesinë sikur përtërihemi, nga njëra anë, dhe përulje para seriozitetit e profesionalizmit të koreografeve dhe interpretëve të shkollës së tyre.
8. Vallet plus …
Siç ishte njoftuar, një grup vallesh erdhi nga Athina posaçërisht në aktivitetin “Ejani mblidhuni këtu-këtu”. Një koreografe e talentuar, Silvana Shkurti, ka përgatitur grupin e valleve “Shtojzavallet”, të cilat maten me grupet profesioniste. Me një disiplinë të hekurt pushtuan skenën. Lëvizje të matura, hapa elegantë, harmoni e ritëm që të bënin të mbaje frymën. Veshjet e tyre me motive kosovare harmonizoheshin natyrshëm me karakterin e valles, duke i dhënë rëndësi çdo detali të lëvizjeve dhe vendosjes në skenë. Vallet e tyre mund t’i përcaktojmë si panshqiptare, pasi secili bashkatdhetar i çdo krahine, gjen veten brenda.
Në aktivitete si ky, gjithëpërfshirja vjen natyrshëm. Shtojzavallet u binin pa pushuar dy anëve dhe korridorit mes poltronave të teatrit mes personave të tjerë në rreshtat e gjatë të valles. Më shumë kërcehej në sallë duke shoqëruar këngët e vallet e programit, se sa në skenë. Shpesh kishte më shumë poltrona bosh, pasi nuk i rezistonin tendencës për t’u përfshirë në vargun e stërgjatë të valltarëve. Këngëtarja Shqiponja Doko dhe Bejushe Bajramaj, u mbështollën nga rrathë të tërë valltarësh që gjarpëronin sa në skenë, aq në sallë. Përmasat e kësaj feste të bukur të artit, të shqiptarizmës, janë zgjime që vijnë vetvetiu nga ushtima e AtMëmëdheut që karakterizoi këtë aktivitet.
Burimi/Facebook


Leave a Reply