I nderuari Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë,
z. Et’hem Fezollari,
Me ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe respekti të veçantë, dëshiroj t’ju falënderoj në emrin tim personal dhe të vajzës sime, poetes Gresilda Rrugeja, për vlerësimin e madh dhe fisnik që Shoqata Antikomuniste e Shqipërisë ka shprehur ndaj saj.
Propozimi juaj që Gresilda të dekorohet me titullin “Simboli i shtresës mbarëkombëtare të Persekutuarve” është për ne një nder i jashtëzakonshëm, një emocion i papërshkrueshëm dhe një motivim edhe më i madh për të vazhduar të qëndrojmë pranë shtresës së të përndjekurve politikë, me shpirt, zemër dhe përkushtim të palëkundur.
Vajza ime, Gresilda Rrugeja, që në moshën 12-vjeçare nisi rrugën e saj në letërsi, duke shkruar dhe botuar libra me poezi. Pena e saj nuk është ndalur kurrë së shkruari për dhimbjen, sakrificën, qëndresën dhe dinjitetin e të përndjekurve politikë shqiptarë. Ajo ka marrë pjesë në shumë veprimtari, përkujtimore dhe aktivitete kushtuar tyre, duke i mbështetur gjithmonë me ndjenjë të sinqertë njerëzore dhe kombëtare.
Së shpejti pritet të dalë nga botimi libri i saj i shtatë me poezi, një vepër prej rreth 300 faqesh, tërësisht e kushtuar të përndjekurve politikë, një dëshmi e gjallë e respektit, dashurisë dhe borxhit moral që ajo ndien ndaj kësaj shtrese martire të kombit shqiptar.
Edhe unë, Rexhep Rrugeja, si babai i Gresildës duke qenë dhe zëri i parë i thirrjeve “Liri – Demokraci”,
“Enver -Hitler,”
“Poshtë diktatura komuniste ”
në demonstratën historike të 25 marsit 1990 në stadiumin “Besa”, gjatë ndeshjes Besa–Partizani, kam qenë dhe mbetem pranë kauzës së të përndjekurve politikë. Mbështetja ime për ta ka nisur që në vitin 1984 dhe vazhdon me të njëjtin besim e përkushtim edhe sot, në vitin 2026.
Prandaj, ky vlerësim që ju po i bëni vajzës sime nuk është vetëm një dekoratë; është një mesazh i madh nderimi për të gjithë ata që nuk heshtën përballë diktaturës, për të gjithë ata që vuajtën, sakrifikuan dhe mbijetuan me dinjitet.
Ju falënderojmë nga zemra për këtë respekt dhe këtë konsideratë të lartë. Zoti ju bekoftë ju dhe gjithë të përndjekurit politikë shqiptarë, të cilët mbeten ndërgjegjja më e pastër e historisë sonë kombëtare.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë,
Rexhep Rrugeja
Në emrin tim ,të vajzës sime,
poetes Gresilda Rrugeja dhe familjes sime.

Burimi/Facebook


Leave a Reply