Nga: Paulin Maçaj, Shkodër
“Kur një popull nuk ka ma frikë me fol: Shqipëria po zbrazet, shpresa po vdes, dhe askush nuk po dëgjon!”
Unë, Paulin Maçaj, kështu e shof realitetin sot nga Shkodra dhe mbarë Shqipnia.
Komentet e qytetarëve sot janë aktakuza ma e rëndë ndaj këtij pushteti. Nuk janë thjesht nerva momenti — janë ulërima të një populli që po sheh si po i shuhet vendi para syve. Një popull që po humb fëmijët nga emigrimi, po humb shpresën nga padrejtësia dhe po humb dinjitetin nga arroganca, korrupsioni dhe tallja e përditshme me hallet e tij.
Sot na thonë se duhet të kujtojmë ditëlindjen e Naim Frashërit dhe amanetin e tij se “dielli lind andej nga perëndon”. Na thonë se po hapen negociatat e po shkojmë në Europë. Por cili asht realiteti? At Zef Pllumi i madh e ka dhanë diagnozën me kohë: “Duhet ndërru truni i këtij populli… dhe pa u formu nji çetë intelektualësh med pikëpamje perëndimore, ne nuk kemi kurrsesi si mendojmë me hy në Evropë”.
Po ku asht kjo elitë sot? Kush po e drejton vendin?
Shqiptarët nuk po ikin pse nuk e duan Shqipninë. Po ikin sepse nuk pranojnë ma me jetu në një vend ku hajnat pasurohen, kriminelët lidhen me pushtetin, patronazhistët blejnë heshtjen dhe njerëzit e ndershëm trajtohen si të padobishëm. Po ikin sepse këtu shpërblehet servilizmi e jo puna, propaganda e jo e vërteta, lidhja e jo merita.
Ndërkohë që pensionisti numëron lekët për ilaçe e bukë, ata festojnë me luks, drita dhe fjalime boshe për “Europën”. Por çfarë Europe ndërtohet mbi shtëpi të boshatisura dhe mbi një rini që po arratiset masivisht? Çfarë shteta është ai ku qytetari ndjehet i huaj në vendin e vet dhe ku shpresa po vdes dita-ditës?
At Gjergj Fishta shkruante me krenari:
“Jo, po: ka Shqypni, për Zotin! / Ka Shqyptarë…” Por po të ishte gjallë sot, Fishta do të ishte fshirësi dhe rrufeja ma e madhe kundër kësaj politike që po e bën Shqipninë të pabanueshme për djemtë e vet.
Ma e rënda nuk asht zemërimi i njerëzve. Ma e rënda asht se shumë shqiptarë nuk besojnë ma në asgjë. Dhe kur një popull humb besimin, humb shpresën dhe humb të ardhmen, atëherë nuk po vdes vetëm ekonomia apo politika — po fiket vetë shpirti i kombit.
Ky pushtet mund të mundohet me mbulu gjithçka me propagandë, festa e fjalime boshe, por nuk e mbulon dot dhimbjen e një populli që po zbrazet çdo ditë. Komentet e qytetarëve nuk janë thjesht mllef — janë dëshmi e një revolte që po rritet çdo ditë. Një popull që sheh të rinjtë tue ikë masivisht, pensionistët tue luftu për mbijetesë, familjet tue u nda nga emigrimi dhe padrejtësinë tue u ba sistem, nuk mashtrohet ma me fjalë.
Dhe kur një komb fillon me humb shpresën, ai nuk po humb vetëm njerëzit — po humb të ardhmen e vet.
Me respekt,
𝒫𝒶𝓊𝓁𝒾𝓃 ℳ𝒶ç𝒶𝒿
Shkodër, Maj 2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply