Rajmond Sejko udhëhoqi me dëshmi, kujtime dhe praninë e tij grupin e punës së AIDSSH drejt zonës ku dyshohet se ndodhet vendvarrimi i tij në fshatin Vodicë të Poliçanit.
Poliçan, 8 maj 2026 – Edhe pse në kohe të keqe me shi të rrëmbyer zhvilluam një ekspeditë verifikuese në fshatin Vodicë, Bashkia Poliçan mr qëllim mbledhjen e të dhëna që mund të na drejtojnë drejt identifikimit të vendvarrimit të dyshuar, ku mendohet prehen eshtrat e 24 vjeçarit Sokol Teme Sejko, ekzekutuar në 6 mars të vitit 1974 nga skuadrat ushtarake.
Nisja e verifikimit në terren u mbështet në dëshmitë e familjarit Z. R. Sejko, i cili orientoi grupin e punës, si dhe në informacionet e mbledhura më herët, që shërbejnë si bazë për vijimin e kërkimeve të mëtejshme.
Gjatë vizitës u vlerësua dhe u falënderua kontributi i kryeplakut të fshatit Vodicë, i cili asistoi në orientimin në terren dhe ndihmoi në identifikimin e zonës së interesit, duke treguar gatishmëri për bashkëpunim edhe në vijim.
Puna në këtë zonë do të vijojë me verifikime të detajuara në terren, si dhe me analiza arkivore dhe shkencore, me synimin për të sqaruar çdo element që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Po kush ishte Sokol Sejko?
👇
Sokol Teme Sejko ishte një i ri që u bë pjesë e fatit tragjik të shumë familjeve shqiptare gjatë periudhës së regjimit komunist, me një nga historitë më të rënda të goditjes politike gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ai ishte djali i Admiralit Teme Sejko, një nga drejtuesit e lartë të Forcave Detare Shqiptare, i cili u arrestua dhe u pushkatua në vitin 1961 pas një procesi të njohur politik të kohës.
Pas këtij momenti, familja Sejko u përball me një zinxhir të gjatë persekutimesh dhe goditjesh.
Sokol Teme Sejko u rrit në këtë realitet të rëndë familjar, duke mbartur pasojat e drejtpërdrejta të dënimeve ndaj të atit dhe të afërmve të tij. Në 6 mars 1974, në moshë shumë të re, 24 vjeç, ai u ekzekutua nga regjimi komunist, në një nga rastet që sot konsiderohen pjesë e dosjeve të personave të zhdukur dhe të ekzekutuar jashtë standardeve të procesit të rregullt ligjor.
Në kujtesën historike, ai përmendet shpesh si simbol i fatit tragjik të fëmijëve dhe familjeve të goditura nga represioni politik i asaj periudhe.
‼️Një thirrje për të gjithë qytetarët
Nëse dikush ka informacione, dëshmi apo kujtime që lidhen me këtë rast ose me vendvarrime të dyshuara apo me persona të zhdukur gjatë periudhës së regjimit komunist, ju ftojmë t’i ndani me AIDSSH.
Edhe një detaj i vogël mund të jetë vendimtar për të zbardhur të vërtetëm.
✅️AIDSSH mbetet i angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në këtë proces, në funksion të së drejtës për të vërtetën dhe për t’u dhënë familjeve përgjigjet që presin prej dekadash.
#AIDSSh #tezhdukurit #nderim #drejtesi #kujtesa
Gentiana Sula Faqja Zyrtare International Commission on Missing Persons – ICMP
Burimi/Facebook/Sprint.al


Leave a Reply