Tiranë, Qarku i Tiranës, Shqipëria
Nga Rinasi në Durrës, në disa pika të ndryshme të rrugës, uniforma e shtetit nuk përcillte disiplinë, seriozitet e etikë, por shpërfillje, lodhje morale dhe një kulturë të rrezikshme papërgjegjshmërie publike.
Ka momente kur një shtet nuk gjykohet nga fjalimet, as nga propagandat, as nga reklamat qeveritare. Gjykohet nga pamja e njeriut me uniformë në rrugë. Gjykohet nga mënyra si ai që ka në dorë rendin, ligjin dhe sigurinë sillet përballë qytetarit. Dhe kur polici rrugor shihet duke tymosur cigare ndërsa drejton trafikun, kur tjetri merret me telefon personal në vend të vëmendjes ndaj rrugës, kur i treti sillet sikur ndodhet diku mes bezdisjes dhe detyrës, atëherë problemi nuk është më individual. Është institucional. Është kulturë. Është rënie e etikës së uniformës.
Uniforma nuk është rrobë pune, është përgjegjësi shteti
Teksa udhëtoja sot nga Aeroporti i Rinasit drejt Durrësit, pas mbërritjes me avion dhe marrjes së një makine me qira për një bashkëpunim të mundshëm pune mes kompanisë ku punoj dhe një kompanie në Durrës, pamja që ofronin disa efektivë të policisë rrugore gjatë rrugës ishte tronditëse jo për spektaklin, por për normalitetin e frikshëm që dukej se e shoqëronte.
Në një shesh-rrotullim, pranë bustit të Shenjtores Nënë Tereza, një efektiv qëndronte me cigare në njërën dorë dhe me dorën tjetër përpiqej të drejtonte trafikun. Pak më tej, në hyrje të Durrësit, një tjetër rrinte i përqendruar te telefoni. Më pas, një i tretë dukej qartë se ishte fizikisht aty, por mendërisht diku tjetër: herë i kthente përgjigje dikujt në telefon, herë lëvizte tabelën për të orientuar qarkullimin.
Kjo nuk është thjesht pamje e shëmtuar. Kjo është shkelje e rëndë morale e funksionit publik.
Sepse qytetari, kur sheh policin në rrugë, nuk sheh një individ privat. Sheh shtetin. Sheh disiplinën. Sheh seriozitetin. Sheh modelin e sjelljes publike. Dhe kur ai model është duhan në dorë, telefon në vesh dhe mendje jashtë detyrës, atëherë mesazhi që i jepet qytetarit është brutal: ligji qenka formal, detyra qenka me humor, uniforma qenka thjesht kostum.
Etika policore nuk është luks perëndimor, por standard minimal
Në çdo vend që pretendon të jetë serioz, aq më shumë në çdo vend që kërkon të quhet europian, ekziston një parim i thjeshtë: kur je në detyrë, je në detyrë. Jo në telefon me familjarë. Jo duke tymosur përpara qytetarëve në mes të ushtrimit të funksionit. Jo duke bërë rolin e njeriut që mezi pret të iki ora.
Askush nuk thotë se polici nuk është njeri. Askush nuk thotë se ai nuk lodhet. Askush nuk thotë se gjatë 8 orëve nuk ka nevojë për pushim. Por shteti serioz pikërisht për këtë ka rregulla. Ka kohë pushimi. Ka protokoll. Ka ndarje të qartë mes momentit kur pushon dhe momentit kur përfaqëson autoritetin publik.
Nuk mund të pish duhan duke drejtuar trafikun dhe ta quash këtë normalitet. Nuk mund të rrish me telefon personal ndërsa ke për detyrë të mbikëqyrësh qarkullimin dhe ta quash këtë “gjë të vogël”. Nuk mund të japësh sinjale të përziera, të përgjigjesh në telefon dhe njëkohësisht të lëvizësh tabelën e trafikut, sikur rruga dhe siguria publike të ishin çështje dytësore.
Këto nuk janë veprime të pafajshme. Janë simptoma të një degradimi më të thellë.
Kur bie etika, bie autoriteti
Policia nuk e humbet autoritetin vetëm kur korruptohet. E humbet edhe kur banalizohet. E humbet edhe kur kthehet në figurë të shpërqendruar, jo dinjitoze, jo profesionale. E humbet kur nuk frymëzon respekt, por ironi. Dhe ky është ndoshta dëmi më i madh.
Sepse qytetari shqiptar është lodhur duke dëgjuar predikime për rregullin, ndërkohë që përballë sheh moskujdes institucional. Është lodhur duke parë se si nga njëra anë kërkohet korrektesë absolute nga shoferi, nga biznesi, nga këmbësori, ndërsa nga ana tjetër tolerohet një sjellje e çliruar, e papërgjegjshme dhe aspak etike nga vetë ata që duhet të garantojnë standardin.
Shteti nuk mund të kërkojë respekt, nëse nuk di të paraqitet me respekt.
Shteti nuk mund të kërkojë disiplinë, nëse uniforma vetë e shpërfill disiplinën.
Shteti nuk mund të edukojë qytetarin me shembull të keq.
Pyetja nuk është çfarë bënë tre policë, por çfarë ka lejuar sistemi
Këtu nis “deep thinking”-u i vërtetë. Problemi nuk është vetëm te tre efektivët e parë në sy. Problemi është më lart. Kush i kontrollon? Kush i mbikëqyr? Kush i trajnon? Kush i ndëshkon? Kush ua ka bërë të qartë se etika e uniformës nuk është çështje humori personal?
Sepse kur të njëjtat sjellje shihen në pika të ndryshme, nuk kemi më të bëjmë me rastësi. Kemi të bëjmë me tolerim. Me kulturë të brendshme. Me një frymë pune ku prania në detyrë mjafton, ndërsa cilësia morale e ushtrimit të detyrës nuk pyetet më.
Dhe kjo është alarmante.
Polici rrugor nuk është dekor rrugësh. Nuk është figurant. Nuk është njeri që thjesht duhet të “duket” se është aty. Ai duhet të jetë i pranishëm me vëmendje të plotë, me gjendje serioze, me disiplinë trupore dhe profesionale, me gjuhë të kontrolluar, me sjellje që imponon besim.
Në të kundërt, gjithçka rrëzohet te pamja e një shteti që e ka lëshuar vetë standardin.
Qytetari nuk meriton këtë pamje të shtetit
Në çdo rrugë, në çdo hyrje qyteti, në çdo shesh-rrotullim, qytetari duhet të ndiejë siguri kur sheh uniformën. Jo bezdi. Jo zhgënjim. Jo ndjesinë se edhe ai që ka detyrë të ruajë rendin, mezi pret të merret me punët e veta private.
Kjo është e padrejtë për qytetarin e ndershëm.
Është joetike.
Është ulje e figurës së policisë.
Është njollë mbi uniformën e shtetit.
Dhe po, është shumë më tepër sesa një detaj.
Sepse shtetet nuk rrënohen vetëm nga skandalet e mëdha. Rrënohen edhe nga normalizimi i vogëlsive të turpshme. Nga momentet kur askush nuk skandalizohet më që polici tymos duhan duke drejtuar trafikun. Nga dita kur telefoni personal bëhet më i rëndësishëm se vëmendja në rrugë. Nga çasti kur uniforma vishet, por autoriteti nuk jetohet.
Nëse duam polici europiane, nuk mjafton makina e re, as uniforma e pastër, as fjalori propagandistik për reforma. Polici europiane nis nga etika. Nga vetëpërmbajtja. Nga dinjiteti i sjelljes në sy të publikut. Nga kuptimi i thjeshtë se në ato orë detyre ti nuk je më thjesht vetja: je fytyra e shtetit.
Dhe kur fytyra e shtetit shfaqet me cigare në dorë, me telefon në vesh e me shpirt gjetkë, atëherë kemi një problem të madh kombëtar të vogël në pamje, por të rëndë në përmbajtje.
Sepse qytetari sheh.
Dhe kur qytetari sheh shtetin të shpërfillë vetveten, nis edhe ai të mos e besojë më.
Burimi/Facebook/First Hello World


Leave a Reply