Kjo deklaratë është një thirrje e hapur për gjithë sektorin Politike,Të Shqipëtarëve dhe të Maqedonasëve,Ju bëjmë me dije se ne fuqishme mbështesim studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut,të cilët kërkojnë të drejtat e tyre legjitime për arsimim cilësor dhe përdorim të barabartë të gjuhës shqipe.
Mbështetja ndaj tyre nuk është vetëm një akt solidariteti, por një detyrim moral dhe kombëtar. Studentët nuk duhet të jenë instrument i politikës, por zëri i pastër i së drejtës. Për këtë arsye, u bëhet thirrje të gjitha partive politike shqiptare dhe maqedonase që të tregojnë maturi dhe të mos ndërhyjnë apo manipulojnë lëvizjet studentore për interesa të ngushta partiake.
Klasat politike shqiptare, në veçanti, thirren në përgjegjësi. Pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001 dhe marrëveshjes së Ohrit, pritej një avancim real në të drejtat e shqiptarëve – në arsim, shëndetësi, punësim dhe përfaqësim të barabartë.
Por, pas më shumë se dy dekadash, realiteti tregon stagnim, zhgënjim dhe një mungesë të theksuar përkushtimi ndaj interesit publik.
Shtrohet me të drejtë pyetja: për çfarë u bë ajo luftë dhe çfarë solli realisht për qytetarin shqiptar ?!Shteti nuk i përket vetëm një etnie. Ai ndërtohet mbi kontributin e të gjithë qytetarëve të tij.
Shqiptarët, si një pjesë e rëndësishme e këtij shteti, jo vetëm që kontribuojnë ekonomikisht, por meritojnë trajtim të barabartë dhe dinjitoz. Është e papranueshme që ata të mbeten në periferi të vendimmarrjes, ndërkohë që mbajnë mbi supe barrën fiskale dhe shoqërore.
Prandaj, kërkohet urgjentisht reflektim nga klasa politike shqiptare: të lihen anash përçarjet, të pranojnë gabimet dhe të bashkohen rreth një platforme të përbashkët kombëtare. Vetëm përmes unitetit dhe një qasjeje serioze politike e diplomatike mund të adresohen padrejtësitë dhe të zgjidhen problemet e grumbulluara.
Në të kundërt, neglizhenca dhe mungesa e veprimit rrezikojnë të thellojnë tensionet dhe të çojnë drejt situatave të paparashikueshme.
Historia ka treguar se kur të drejtat mohohen për një kohë të gjatë, pasojat mund të jenë të rënda.
Në përfundim, kjo është një thirrje ndërgjegjeje: politikanët shqiptarë duhet të marrin përgjegjësinë që u takon dhe të veprojnë në mbrojtje të qytetarëve të tyre.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë çdo formë demokratike e presionit dhe reagimit qytetar bëhet e pashmangshme, deri në vendosjen e barazisë së plotë, ku gjuha shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve të jenë të panegociueshme.
08.04.2026 Llozanë Zvicër,
Burimi/Facebook


Leave a Reply