Një urë e re bashkëpunimi italo-shqiptar po merr formë në qytetin e Belshit, i njohur ndryshe si “kryeqyteti i natyrës”, ku u zhvillua ceremonia e binjakëzimit mes Bashkisë së Belshit (Elbasan) dhe Komunës së Lugos (Ravenna). Në këtë ngjarje të rëndësishme mori pjesë një delegacion zyrtar nga Lugo, i kryesuar nga kryetarja Elena Zannoni, së bashku me Marina Lamonarca, presidente e Shoqatës së Binjakëzimit në Lugo, këshilltarët Federica Lolli dhe Fausto Bordini, si dhe dy pedagogë nga shkolla e muzikës “Malerbi”, profesorët Enrico Gramigna (violinë) dhe Piergiorgio Anselmo (violonçel). Prania e tyre dëshmoi vullnetin konkret për ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.
Ky takim miqësor dhe vëllazëror përbën një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e gjatë të lidhjeve që ndërtohen mbi respektin e ndërsjellë dhe mbi interesa të përbashkëta me vizion afatgjatë. Një rol të veçantë në këtë proces ka luajtur komuniteti shqiptar në Itali, veçanërisht në Lugo, ku vepron shoqata “Vatra Shqiptare ODV”, e angazhuar prej vitesh në ruajtjen e identitetit kulturor dhe në forcimin e lidhjeve me vendlindjen. Në këtë kuadër, kontributi i anëtarëve të saj, si Dritan Ferhati në rolin e presidentit, Agim Xhureta si zv.president, Belul Shehu si financier dhe Meljana Murati si këshilltare, ka qenë i rëndësishëm në konkretizimin e kësaj nisme.
Belshi, i vendosur në krahinën e Dumresë, shpalos një reliev të butë kodrinor që krijon një mozaik natyror të rrallë dhe mjaft tërheqës. Zona është e njohur për mbi 80 liqenet e saj karstike, të shpërndara si pasqyra natyrore në një peizazh të valëzuar, ku secili liqen mbart formën, ngjyrën dhe karakterin e vet. Disa janë të rrumbullakët si sy të kaltër, të tjerë të zgjatur e të fshehur mes kodrave, ndërsa disa të tjerë shtrihen të hapur, duke reflektuar qiellin dhe gjelbërimin përreth. Ky potencial natyror shoqërohet me një ofertë të pasur turistike dhe gastronomike, ku vizitorët mund të shijojnë produkte të freskëta dhe gatime tradicionale me peshq si krapi, amuri, ballgjëri dhe mustaku.
Në ditët e nxehta, ajri i pastër dhe freskia që buron nga liqenet i japin këtij rajoni një klimë të këndshme dhe një ekosistem të pasur me florë dhe faunë ujore, duke krijuar kushte të favorshme për biodiversitetin. Krahas bukurisë natyrore, zona përmban edhe pasuri të rëndësishme nëntokësore, si hidrokarburet, kripa e gurit, torfa, mermeri i kuq, gipsi dhe anhidriti. Po ashtu, Belshi përfaqëson një zonë me rëndësi të veçantë arkeologjike, me dëshmi të vazhdimësisë së jetesës që nga epoka e bronzit deri në periudhën romake, ku Gradishta e Belshit shquhet si një nga qendrat më të rëndësishme ilire të fisit të Parthinëve.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të rëndësishëm të jetës institucionale, akademike dhe shoqërore shqiptare. Nga Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali ishin të pranishëm presidenti dr. Granit Muçaj, zv.presidenti Eris Hoxha, Presidenti i Nderit Petrit R. Aliaj. Po ashtu, morën pjesë kryetari i Lidhjes së Historianëve Shqiptarë në Botë, prof. Murat Ajvazi, së bashku me sekretarin Aleksandër Ndoj. Nga Kosova ishin të ftuar prof. Rexhep Abazi, ing. Gani Pllana dhe gazetarja Majlinda Shaqiri.
Vizita e delegacionit italian në Belsh përkoi me një pritje të ngrohtë dhe me pjesëmarrjen në festën tradicionale të Ditës së Verës, duke i dhënë këtij takimi një dimension të gjallë kulturor. Në amfiteatrin buzë liqenit, nxënësit e shkollave, të shoqëruar nga mësuesit e tyre dhe nën kujdesin e Drejtorisë së Arsimit në Belsh, të drejtuar nga Durim Uruçi, prezantuan punime artistike, produkte tradicionale dhe veshje kombëtare, duke krijuar një atmosferë festive dhe shumëngjyrëshe.
Një moment veçanërisht domethënës u krijua gjatë bashkëbisedimit të disa nxënësve me kryetaren Elena Zannoni, të cilët komunikuan me të në gjuhën angleze me një siguri dhe natyrshmëri mbresëlënëse, duke reflektuar një brez të ri me horizonte të hapura dhe vetëbesim.
Në vijim të kësaj vizite, delegacioni zhvilloi edhe një udhëtim në qytetin historik të Beratit, një nga qendrat më të lashta dhe më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, i mbrojtur nga UNESCO dhe i njohur si “qyteti i një mijë dritareve”. Me një histori që shtrihet në shekuj, Berati ka qenë dëshmitar i qytetërimeve të ndryshme dhe i një qëndrese të fortë ndër kohë, përfshirë edhe përballjet me pushtimet osmane, gjatë të cilave arriti të ruajë identitetin dhe vlerat e tij.
Brenda mureve të kalasë së lashtë, e cila vijon të jetë e banuar edhe sot, rrugicat me kalldrëm, kishat dhe shtëpitë karakteristike krijojnë një atmosferë të veçantë historike. Nga lartësia e saj shpaloset panorama e qytetit, ku dallohen lagjet Mangalem dhe Gorica, të lidhura nga Ura e Goricës, një ndër urat më të vjetra dhe simbolike të vendit.
Delegacioni vizitoi gjithashtu Muzeun Ikonografik “Onufri”, të njohur për koleksionin e tij të rrallë të ikonave, si dhe Muzeun Etnografik, që pasqyron jetën dhe traditat shqiptare ndër shekuj. Lumi Osum, që përshkon qytetin dhe njihet për kanionet e tij të famshme, i shton edhe më shumë bukuri natyrore këtij destinacioni, duke e bërë Beratin një ndër pikat më tërheqëse ku ndërthuren historia, kultura dhe natyra.
Në përmbyllje të kësaj vizite të mbushur me aktivitete dhe emocione, mbi liqenin e qetë të Belshit u nënshkruan dy marrëveshje të rëndësishme: e para ndërmjet kryetares së Komunës Lugo, Elena Zannoni, dhe kryetarit të Bashkisë Belsh, Arif Tafani, për zyrtarizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional; dhe e dyta ndërmjet presidentit të Federatës Kombëtare të Shoqatave Shqiptare në Itali, dr. Granit Muçaj, dhe kryetarit të Lidhjes së Historianëve Shqiptarë në Botë, prof. Murat Ajvazi.
Këto marrëveshje dëshmojnë se kur diaspora, institucionet dhe komunitetet bashkëveprojnë me vizion dhe përkushtim, krijohen ura të qëndrueshme që i rezistojnë kohës dhe që sjellin zhvillim, kulturë dhe miqësi të qëndrueshme mes dy popujve.
Kjo ngjarje u përmbyll me një darkë festive të organizuar nga Bashkia Belsh, e shoqëruar me muzikë dhe valle tradicionale shqiptare dhe italiane, duke vulosur kështu një kapitull të ri bashkëpunimi.
Petrit R. Aliaj
Belsh, 15 mars 2026




Burimi/Facebook


Leave a Reply