Reportazh
Vajtja në Prishtinë qe një ëndërr e vjetër, që ka të bëjë me shtrirjen dhe ngrohtësinë e gjakut tonë si shqiptarë. Atje është misteri i vuajtjeve, i torturave, i zhbërjes dhe i bërjes befasuese, si dhe imazhi më i bukur i qëndresës dhe heroizmit. Në Kosovë, ndodhi diçka e pabesueshme, si në një magji: kthimi i madh i shqiptarëve në trojet e tyre, pas dëbimit çnjerëzor serb, një rikthim prej ferrit në jetën e vërtetë, gati një mrekulli e përmasave biblike…
Tre artistë emigrantë, “të hedhur” diku në Atikën greke prej mjerimit tonë të madh, po rendnim për në zemër të Kosovës, gati pa marrë frymë. Si kuaj të hazdisur, me një veturë të vjetër “Skoda”, të tejkonsumuar, ku shofer do të ishte një aktor – regjisor pasionant si Lefter Simoni dhe si “pasagjerë të çmendur”, autori i këtyre radhëve,dhe një valltare si Monda, bashkëshortja e shoferit tonë të “marrë”, kësaj here drejtuese e shfaqjes për sfondin zanor dhe ndriçimin.
Mbartnim me vete spektaklin e parë në gjuhën shqipe në Athinë, monodramën “Ndyrësira” të dramaturgut Austriak Shnajder, që pati nderin të ftohej (dhe të fitonte) në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Prishtinë. Kishim udhëtuar tërë natën. Nga Athina tek “Qafa e Thanës”. Nëpërmjet Postës Kufitare me Maqedoninë, “Skoda” jonë u shty e dëshpëruar në drejtim të Strugës, Shkupit dhe kaloi kufirin midis dy shteteve. Tashmë Prishtina nuk qe fort larg, por që neve në atë mugëtirë mbrëmjeje të zalisur na dukej si “e panjohura e madhe”. Gati si të ishim personazhe të Zhyl Vernit që udhëtonin për në zemër të tokës a drejt Polit të Veriut.
Prishtina u shfaq befas si të dilte prej një humnere të thellë, me një vagëllim masiv dritash, që më ngjau në ato çaste me flakërimën e një pishtari vigan. Na u ngrohë shpirti. Por duhej të vinte dita e nesërme që të ishim të qetë, të çliruar nga lodhja e troshitjes, si edhe prej atij ankthi të pazakontë.
Mrëpo, ja ku na përfshiu turma e njerëzve që shëtisnin të qetë në Sheshin Qëndror. Tani ndodheshim midis vëllezërve. Flitej vetëm SHQIP. Dhe, kur dolëm në një nga rrugët kryesore të Prishtinës, prej Teatrit Kombëtar, binte në sy monumenti i Skënderbeut. Gjerë në sheshin përpara “Grand Hotelit”, hapësira mbushet me fjalë e shkronja shqip, dhe njeriu ndien krenarinë e kombit të cilit i përket. Aty ku donin të mbillnin vdekjen e terrorin, sot lulëzon kulturë. Era e djegies dhe e barutit është zëvendësuar sot me një fllad ripërtëritës…
E lamë për një çast këtë shesh me diell e ajër të freskët, për të hyrë në hollin e hotelit më të madh të Prishtinës, thjesht për të pirë një kafe. Aty, në barin e hotelit, pa u ulur ende, vumë re dy nga intelektualët më në zë të Kosovës, poetin e shquar (të përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës) Ali Podrimjen dhe studiuesin e letërsisë Ali Aliun. Na ftuan në tavolinën e tyre dhe s’reshtëm së biseduari për letrat shqipe, për teatrin tonë si dhe për hallet që na zunë e po i heqim me një ngadalësi robëruese. I kundroja këta dy miq të vjetër teksa rrinin përpara filxhanit të kafesë me një tolerancë të habitshme. E ndjeva menjëher vështrimin e ngrohtë të Ali Podrimjes, kur më dhuroi librin e tij poetik “Gurët e Prevezës”, me dedikim…Po unë vështroja nga Lefter, që na solli këtu, enkas për këtë poet, si edhe për ta ftuar në shfaqjen e tij, si mik që e kishte..
Jashtë hotelit po na priste kritiku Jeton Naziraj, djaloshi erudit e i palodhur, fisnikëria e të cilit i tejkalon caqet e ngushta. Ecim së bashku. Përballë nesh ia behu Fadil Hysi, dramaturg, regjisor e pedagog arti. Pak më tej përballemi me drejtorin e Teatrit të Pejës, Hivzi Muharremin, pedagog e historian arti, të dy njerëz të thjeshtë e të përzemërt. Por ne preferojmë shoqërimin e Jetonit, i cili na prinë nëpër rrugët e Prishtinës, në sheshet e mjediset kulturore, gjer dhe në lokalet me tym të të rinjve, ku flitet me zë të lartë.
Dhe shëtitja jonë e mëngjesit do të përfundojë në librarinë e qytetit. ku ekspozimi e shitja e librave përbënte një mrekulli më vete e ku syri do të na zinte edhe botime nga tonat. Shfletoja sërish revistën “Ars”, ku ishin botuar edhe tri poezi të Andi Meçajt, biri i poetit të shquar në mërgim, mikut tim Hiqmet Meçaj, që ishin vendosur nën titullin kuptimplotë “Bijtë e tu kërkojnë të rilindin”.
Dita e parë në Prishtinë kalon nën një rrezatim diellor. Qilimi i dëborës kishte dy ditë që pat mbuluar Prishtinën. Nëpër rrugët e zbardhura qarkullonin fare pak njerëz. I ftohti kishte zbritur në 15 gradë nën zero dhe ngrica ndihej kudo. Por ngrohtësia e dëborës na pushtoi befas. Mbi makinën e Lefterit sajuam topa bore dhe nisëm të luajmë e të qëllojmë njeri – tjetrin, si të ishim fëmijë të vegjël. Natyrisht që Monda, e shoqja e Lefterit, na “kopanisi” e na mundi të gjithëve. Edhe shfaqja jonë u dha kur reshjet e dëborës u dendësuan dhe kur spektatori i parë që hyri në sallën brisk të ftohtë të Teatrit Dodona, poeti Ali Podrimja, kishte ende mbi shpatulla e mbi flokë petalet e bardha që lëshonte qielli. Por ngrohtësia do të vinte më pas krejt ndryshe, me fillimin e shfaqjes sonë. Lefteri i dha spektatorit kosovar një spektakël krejt të veçantë, me një tingëllimë të lartë profesional. Ku fati i mjeruar i një emigranti të lindjes, në udhët e Evropës, shprehej nga aktori ynë si një protestë njerëzore, me vërtetësi lemeritëse. Efekti i dëborës tanimë ishte harruar pas atyre duartrokitjeve të nxehta që nuk pushonin.
Dëbora do të na përcillte nga Prishtina edhe të nesërmen, kur ende pa zbardhur dita, do të niseshim drejtë Shqipërisë tonë nga rruga malore e Kukësi. Ishim strukur në makinën tonë të vjetër, duke soditur rrethinat e Prishtinës, një peizazh i thinjur që mezi dallohej në atë agim dite aq të zbehtë. Fshirëset e xhamit lëshonin pa pushim një kërkëllitje të bezdisshme mbi ngricën e natës. Zbardhja e ditës, e pleksur me petalet që binin pa pushim nga qielli na gjeti në dekorin e ri të Fushë – Kosovës, ku karakatina jonë ngeci në dëborë e ne e shtynim, si të ishim Burrllakët e Rjepinit rus brigjeve të Vollgës. Prizrenin e Gjakovën, me dyqanet e shumta, tipike shqiptare, e pazaret në rrugë ku lëvizjet e njerëzve qenë të papërfillshme për shkak të të ftohtit, i kaluam me ngutjen e njerëzve që duan të kapërcejnë kufijtë e tre shteteve brenda një dite.
Na priste Qafa e Morinës, ku shofer Lefteri bëri lajthitjen e parë e u fut në një zonë të ndaluar e polici i KFOR – it, një zezak, hakërreu sytë e kuq. Nuk ishte aspak e lehtë hyrja për në Shqipëri, kur dokumentet tona të lëshuara nga greku u vunë përsëri në njëfarë dyshimi e në një diskutim të gjatë. Edhe këtu na përcollën petalet e dendura të dëborës. Qafat e Morinës ishin të mbingarkuara me bardhësinë qiellore. Ishte fat për ne që rrëshqitja e një mauneje diku në një kthesë buzë një përroi, nuk na la të ndaheshim nga kjo botë. Qe rrëshqitja e dytë pas një maloreje afër Gjakovës, ku mikroskoda e Lefterit hasi në ngricë e pësoi një shmangie nga rruga e menjëherë një kthim 45 gradësh. Monda kishte marrë ngjyrën e meitit. Kishim shpëtuar vetëm në sajë të një guri kilometrik që rrefente se ishim 120 km larg nga Kukësi. Lëshimi i makinës në të tatëpjetën e malit, gjithmonë me marshin e parë e të dytë, gjithsesi kishte pranë ankthin tonë, pse jo, edhe frikën. Asnjeri prej nesh nuk fliste më. Ideali ynë për të luajtur teatër tanimë merte trajtën e një lodre të keqe, që ndodhej nën konturet e marrëzisë. Pas rrëshqitjes së tretë, frenimi që bëri Lefteri krijoi një mekje të përgjithëshme, ngaqë “hekurishtja” jonë u kthye 180 gradë, aq sa zuri krejt rrugën.
Dolëm jashtë si për të vajtuar dhe vendosja e “maketit me rrota” në udhën e Zotit qe një stërmundim i vogël, gjë që do të vazhdonte më pas në maloren përballë nesh, kur gishtërinjtë e duarve të mavijosura, gati ishin ngjitur në syprinën e llamarinës. Arritëm në Kukës në mesditë vonë, ku do të pinim nga një kafe e një pikë raki (nga ajo që pata marrë me vete nga Koropija) për të risjellë në vend zemrën dhe shpirtin tonë të mardhur. E vetmja kënaqësi këtu ishte kundrimi i xhamave të veshur me kristale akulli, që të sillnin ndërmend filmat e Çaplinit me ngricat polare dhe tregimet e Xhek Londoni në Alaskën e largët. Atje ishin ethet e arit që i mbërthenin personazhet pas slitave me qen, ndërsa ne ishim mbërthyer tek ajo karakatinë e Lefterit, në një udhëtim të çmendur nëpër katër shtete, me xhupa të lehtë, nga dashuria për artin. Para urës së Gosmiqes, që edhe kur e mendonim na krijonte një spirale tmerri, në vend të dashurisë për artin do të lindte dashuria për jetën. Pa arritur gjer aty, ngrica e pasditës e kishte kryer punën e vet prej djalli dhe na e këtheu rishtazi makinën së prapthi. Së prapthi!? Askush nuk do ta besonte. Dhe askush, për dreq, nuk ndalonte, veç një kosovari që ndaloi diku, u kthye mbrapsht dhe përveshi llërët për të na ndihmuar. Monda kishte ulëritur e tmerruar për veten, për dy vajzat e saj, për nënën plakë dhe për këtë burrë të marrosur pas teatrit. Maketi – makinë u kthye me fytyrë nga “udha e Zotit”, por Zoti nuk na i hodhi sytë fare. Nisëm të shtyjmë me duar. Ngrica u shndërrua në akull. Dhe akulli është më i fortë dhe se çeliku. Shoferi – aktor provoi për të pestën herë, për të dhjetën, për të pesëmbëdhjetën herë të vinte zinxhirë në rrotat e parme, por ato nuk i bindeshin dhe hapeshin në dëborë posa bënte pesë metra përpara. Duart e Lefterit kishin ngrirë. Shpirti i tij qe tani si shpirti i Sadit, personazhit të monodramës që interpretoi në Prishtinë dhe që, në njëfarë mënyrë u bë “fajtor” për këtë aventurë tepër të rrezikshme: i paepur, karshi natyrës, i pagojë e fisnikë. Emblema e çmimit special qëndronte aty, afër timonit, si një “shtytje morale” drejt Gomsiqes.
Ta marrë dreqi, ta marrë!… E tërë jeta jonë “një shtytje” ka qenë…, por me një moral të rremë, që na mbeti “zinxhir në qafë”, gjersa na mbyti fare! Por jeta vazhdon akoma. Dhe ne e shtyjmë makinën me duar. Ajo nisë të lëvizë, të çapitet si një fëmijë i vogël, të ngjitet deri diku. Shkëputet… . Dhe karakatina ngjitet si një breshkë. Kishim bërë më shumë se dhjetë kilometra me këmbë dhe kishim arritur në qafën më të lartë të malit…Po dëbora nuk pushonte….
Lefteri kishte dalë jashtë majës së malit. Monda tundëte dorën që përtej. Dhe akoma s’po vija në vete. Tatëpjeta drejt Fushë – Arrëzës u kalua nëpër terrin e mbrëmjes. Edhe humori ynë, edhe temperatura vazhdonin të qëndronin nën zero. Më shkrepi në tru se mund ta na e ngrinte moralin vetëm miku im i vjetër Frrok Haxhia, që banonte diku afër. Sa t’i prekte Frroku telat e çiftelisë, me siguri, do të na e risillte në shpirt atë çka kishim humbur përkohësisht: dashurinë për artin. Mandej do të kisha se çfarë t’i thosha edhe Dritanit në Athinë. Po për fat të keq, ideja ime nuk u aprovua, ose u kuptua si një marrëzi shkrimtarësh. Ndofta ishte akulli i rrugës e nata që na mbërtheu papritmas, që e trembën ekuipazhin tonë të vogël dhe që do të çlirohej disi nga ethet vetëm në Rubik, ku qilimi i bardhë i dëborës kishte marrë fund. Një konjak shqiptar e një kafe shqiptare, me të vërtetë që ta sjellin shpirtin në vend! Ndërkaq kishte arritur mesnata dhe Skodën tonë të vogël me tre të çmendur e një monodramë brenda, e kishin përpirë rrugët e gjëra e të ngrohta të Atdheut.
“Gazeta e Athinës” 5.2.2004 (Ribotohet me shkurtime)





Burimi/Facebook


Leave a Reply