Libri i ri “Ferri i çarë”, burgologjia për Qafë-Barin, është një rrëfim tronditës i shkrimtarit Visar Zhiti, një retrospektivë e përjetimeve të tij personale, por dhe të miqve, kolegëve, të gjithë bashkëvuajtës njëri pas tjetrit, në burgjet e komunizmit. Një ferr dantesk, që tregohet në 9 kapitujt e këtij romani, duke kaluar njëra pas tjetrës 555 faqe libri. Në këtë pjesë të shkëputur nga libri i Visar Zhitit ai rrëfen bisedën me artistin e humorit Gjosho Vasija, edhe ai një i dënuar si dhe Zhiti në atë burg. Përmes aktorit të humorit, që i shkoi gjithë jeta internimeve për shkak të babait të vrarë e vëllait të vdekur nga torturat, shkrimtari Zhiti sjell një episod biblik në libër. Një natë krishtlindjesh në Progonat, në Grykën e Bënçit, ku ishin internuar disa shkodranë. Befas një muzikë krishtlindjesh dëgjohet. Kishte qenë Gaspër Çurçia që me trombën e tij u kishte sjelle aromë krishtlindjesh miqve të tij të internuar. Pak kohë më vonë vjen lajmi së muzikantin Gaspër Çurçia, e kanë pushkatuar…Por Zhiti sjell dhe momentet e fundit të dy të burgosurve Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, që u akuzuan si nismëtarët e revoltës që ndodhi në burgun e Qafë-Barti dhe momentin e pushkatimit si dhe vuajtjet e djalit të ri Sherif Merdani, që i çonte çdo ditë nënës në burg vëllanë foshnjë për ta ushqyer me gji. Një rrëfim tronditës për një kohë të kaluar, por që nuk duhet harruar.
Visar Zhiti: Rrëfimi për “vizitën” e fshehtë të Gaspër Çurçias në Grykën e Bënçit
Kisha muzikë të vdekur brenda vetes, por se si po ngjallej, frynte. Si era në një grykë… Ishin Krishtlindjet, po më tregonte Gjosho Vasija, miku i tim eti, aktor komik dhe ai… – Si mundnin?…
E dëgjoja me dhembje, qeshja i trishtuar. Ai, gjithë jetën internimeve, me baba të vrarë, im atë me vëlla të vdekur gjatë torturave, edhe ai i torturuar në burg, por si doli gjallë? Apo që të lindja unë?…
Ishin Kshnellat në internim, përsëriste Gjosho Vasija, në Progonat, në Grykën e Bënçit. Punonim me trungjet, i hidhnim në lumë, nga 100 shtylla për brigadë. I ndiqnim nëpër shkambinj, ku ngecnin, i shtyjshim, binim në ujë dhe vetë, vriteshim. Na kthyne me qëllim ma vonë se herët e tjera nga puna, qe ba terr i madh. Tepelenë. Sa fryn nj’atje! Flejshim poshtë kështjellës, ku kishte ken dhe Bajroni, në fushë, rrethue me tela me gjema, në çadra të çame, dyshekë kashte… Duert na dhimbshin, i kishim të vrame nga puna, përgjakeshin çarçafat, nënkresa. Çoheshin nanat, gratë, motrat me na pa, a kishim ardh përnjimend gjallë nga puna, a po flejshim dot? Ftohtë. Frynte për kjamet. Ishin Kshnellat. Nuk na merrte gjumi, as vdekja, ankth, lodhje, asnji qiri, veç na treteshim. E kishim urue njani-tjetrin na za, kur na shpërndajshin langun e groshës: “Për shum vjet kshnellat!” Kaq. Po afronte kund mesnata, ishim të xanun me kujtimet e festës, fshamje, krumje e ndoj gërhatje e mbytun… Në ket humbëtinë na bahet se ndijohet gjithë jehonë malesh nji trombë në sordinë, vajtimtare, kanga “Shtille Nacht”, e famshmja, e njeh dhe e këndon mbarë bota kristiane. Ishin Kshnellat. Mos na bane veshët të tanve, halucinacion auditiv? Po nuk mund ta marrish me mend se çka ndodhi mbrenda gazermës, dridhje, ngritje koke, gulçe, biseda me frigë, ngricë e përndritun gjithandej. A thue përnjimend u ngjall ajo trombë? “Shtille Nacht” Po, po, e përhapte era si pelerinën e Bajronit. Melodi engjëllore mes nesh, mes torturave tona, besoj se duhet të jetë regjistrue në faqen e parë të Qielles, aty pranë Zotit të Madh. Kjamč deri në mengjes, saqi, edhe kur u gjetëm të rreshtuem në orën 6.30, i kishim sytë e ajun nga lotët. “Shtille Nacht”. Paskësh kenë e vërtetë kanga! Po ç’ishte ai magjistar me trombë, nga erdhi, ku iku? Nuk e kapne? Të nesërmen mbrama, kur mrrijtëm nga lumi, na lajmëroi nji “mik polic” se ka ken Gasper Çurçija, qi asht ulë nga makina, atje nalt, brij rrapit e kalasë dhe i ka ra… “burisë”. Ah, ai, e dinte që ishim na, s’kishte kurrnjigja me na dhurue, veçse melodisë së famshme “Shtille Nacht” në terr. Na solli nëpër erë Kshnellat e mungueme. Mandej ishte nisë për Gjinokastër, ku kishte shërbimin. Eh, nuk ia harrojshin dhe e gjente rastin, e kapën për do faje tjera, me taman s’dihej për çka, por ai kishte futë muzikë xhazi në Festivalin XI, kje i pari dhe… e pushkatuen.
Burimi/Facebook/Adriatik Lapaj I vetmi QE jep Shprese.


Leave a Reply