Me hidhërim të madh sot mora vesh për ndarjen nga jeta të pedagoges së Universitetit “Luigj Gurakuqi të Shkodrës”, profesores së shquar të letrave shqipe , bashkëpunëtores shkencore në shumë botime, referate dhe konferenca shkencore Fatbardha Fishtës
Fatbardha rrjedh nga familja e shquar shkodrane Fishta me tradita patriotike. Në luften e v. 1912-1913, që populli i Shkodrës bërë kundër invazionit malazez nga kjo familje bie me armë në dorë Xhelil Mehmet Fishta. I biri i tij Sadik Fishta, së bashku me 5 bijtë e tij Ademin, Iljazin, Idrizin, Xheladinin dhe Vehbiun do të marrin pjesë aktive në LANÇ. Djemtë e kësaj familje kanë dhëne kontribut në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare ku Xheladin Fishta është dëshmor i kësaj lufte, emrin e të cilit mban sot shkolla nëntëvjeçare në Shkodër. Mbas çlirimit kontributi i djemve të kësaj familje ka qenë në fushën e arsimit ku dallohet Idriz Fishta i cili jo vetëm që punoi në rrethin e Shkodrës por së bashku me të shoqen, Shirin Shehdule (me origjinë nga Gjakova), shkojnë të japin mësim deri në Kosovë. Edhe e bija e tyre Fatbardha Fishta pedagoge në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi, është një nga gratë e shquara të qytetit të Shkodrës e cila eshte nga grate e para shkodrane me titullin profesore. Iliazi, ekonomist, historian, profesor ka qenë një nga ekonomistët me kontribute në fushën ekonomike; Vehbiu ka kontribute në fushën inxhinierike si dhe aktivist shoqëror në drejtimin e shoqatës së Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Shkodrës.Duhet theksuar se kontributi i kësaj familje në fushën e filatelisë ishte i jashtëzakonshëm që sot e vazhdon me shumë pasion i biri i Idrizit, Besnik Fishta.
Kush ishte aktiviteti shkencor i prof. Fatbardha Fishtes?
FATBARDHA (FISHTA) HOXHA (1947-2025)
Pedagoge, Profesore. Lindi në Shkodër, ku mbaron shkollën fillore dhe të mesmen “Jordan Misja” Më 1969 mbaron fakultetin Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1969 deri në 1974, punon në Katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Institutin pedagogjik dy dhe tre vjeçar Shkodër. Nga 1974 deri në 1995 bëhet pedagoge, po në Katedrën e Letërsisë. Nga viti 1990 -1993 ushtron detyrën e pergjegjëses së Katedrës së Letërsisë në Institutin e Lartë Pedagogjik, detyrë që do ta ketë edhe në vitet 2000-2003. Ka qenë titullare e lëndëve “Letërsi e vjetër shqiptare”, “Letërsi e Rilindjes kombëtare”, “Letërsi e viteve 1912-1939”, “Folklori shqiptar”, “Estetika e letërsisë”. Kryen specializimin pasuniversitar në Universitetin e Bordose-3, Francë dhe është pjesëmarrëse në simpoziumet ndërkombëtare brënda dhe jashtë vendit, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi. Është bashkautore me 7 kapituj për letërsinë e vjetër dhe të rilindjes në tekstin “Letërsia shqipe” për studentët që përgatit mësues për katër klasat e para të shkollës 8 vjeçare. Ka botuar: “Fjala jonë “(Autorë dhe vepra të traditës), (2001), “Rrjedhave të letërsisë së traditës” (2003), tekstin universitar “Letërsi e hershme shqiptare” (2004), “Refleksione letrare” (2013) etj Ka të botuar rreth 200 artikuj shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Po kështu ka hulumtuar për shumë figura të shquara të letërsisë dhe për disa prej tyre ka bërë monografitë, si “Haki Stërmilli” (Jeta dhe veprat)” (1997), “Ernest Koliqi, kritik dhe studiues”, (2001), “Qemal Draçini” (1922-1947) (2003). Për tre edicione me rradhë, ka drejtuar seksionin e letërsisë në veprimtarinë shkencore ndërkombëtare “Shkodra në shekuj”. F. H. F. është e para grua në Shkodër që është vlerësuar me titullin Profesor. Ishte anëtare e këshillit të Fakultetit të Shkencave shoqërore dhe anëtare e redaksisë së Buletinit Shkencor. Është vlerësuar me medaljen “Naim Frashëri” më 20.10.1981 dhe urdhërin “Naim Frashëri” të klasit tretë” më 1.3.1990.
Duhet theksuar se prof. Fatbardha deri ne fund të jetës së saj postoj në FB shumë artikuj të vlefshëm që shquheshin për analizen e thellë shkencore dhe realiste si:”Poezia e Luigj Gurakuqit “Tek ti më fluturon mendimi o shpiza ime…”, “Dialogu ndërfetar përmes letërsisë së traditës”, “Kontributi i Eqrem Çabejt për personalitetin dhe vepren e Gjergj Fishtës”, “Identiteti krijues i Pashko Vasës”, etj.
Burimi/Facebook


Leave a Reply