Kisha sot për vizitë në klinikë një nënë kosovare, që kishte ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në protestën që do të zhvillohet në mbështetje të luftëtarëve të UÇK.
Një miku im kosovar nga Prizëreni e kishte rekomanduar të bënte edhe një kontroll mjekësor tek unë.para se të kthehej në Kosovë
Mjekohej për hypertension arterial dhe nga një dhimbje neuropatike kronike.
Pas vizitës mjekësore teksa po shijonim një kafe bashkë, folëm edhe për dhimbjet që përjetoi Kosova gjatë luftës.
Ah more Dok, mu drejtua në një çast, me një zë që ende mbarte brenda tij shumë dhimbje….
Unë jetoj vetëm, dy djemtë dhe bashkëshorti mu vranë në luftë.
Shumë njerëz thonë se koha shëron dhimbjet, por në fakt, ajo ç’ka ndodh shpesh është se me kalimin e kohës, njeriu mësohet me dhimbjen, mëson të jetoj me të, dhe e pranon realitetin.
Njerëzit durojnë shumë, durojnë dhimbjen, vetminë, braktisjen, humbjen, vështirësitë, plagët, por nuk mund ta durojnë vetëm një gjë.
Ata nuk mund të durojnë të mos duhen nga të tjerët, kjo gjë i gjunjëzon.
Unë i kam provuar të gjitha shkallët e dhimbjes vazhdoi, kam ecur zbathur rrugës shtruar me plot kujtime, aty ku këmba shkelte dhimbje, dhe aty ku dhimbja shkelte mbi dhimbje.
Më tej i tregova se edhe unë kam ndihmuar sadopak në kohën e luftës dhe krizës së refugjatëve kosovarë, rrëfenjë që po e ndaj edhe me ju.
Ishte Marsi i vitit 1999, unë
asokohe shërbeja si Shef i Mjekimit dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Drejtorinë e Shëndetësisë të Ministrisê së Mbrojtjes.
Në një nga këto ditë mësova se Ministria e Mbrojtjes do dërgonte përfaqësuesit e saj ushtarakë në Kukës, për të menaxhuar krizën e refugjatëve kosovar dhe jo vetëm.
Do nisem për në Kukës vullnetar i them kolegut dhe mikut tim Kolonel Dr Luan Nikollari, i cili nuk jeton aktualisht, dhe gjej rastin ta kujtoj me mirënjohje, dhe me më shumë se mall.
Të kërkoj një nder i them Dr Nikollarit, të përgatitësh dhe firmosësh urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes, që mos të quhet sikur kam braktisur detyrën.
Mos u merakos fare më thotë Dr Luani, se me letrat merrem unë.
Gjej rastin të shpreh se Kol Dr Nikollari ishte mjek dhe një zyrtar brilant.
Nisem për në Kukës në 28 Mars 1999, me një makinë ushtarake Sheverlot të mbushur me serume dhe disa materiale mjekimi.
Mbrita në Spitalin Ushtarak të Kukësit në mesnatën e po asaj dite..
Të nesërmen kur dola në qytet e ndjeva krizën pranë dhe gjithandej…..
Kukësi ishte i tejmbushur me refugjatë që kishin humbur gjithçka, edhe shpresën.
U stacionova në Gjegjan-Morinë, pikërisht aty ku Kryqi i Kuq i Ushtrisë Italiane, ngriti një kamp fushor me çadra për afro 10 mijë refugjatë.
Sëbashku me tre mjekë dhe gjashtë infermiere italiane përshtatëm tre çadra, si një qëndër mjekësore fushore, për të ofruar ndihmë të parë mjekësore, për refugjatët dhe luftëtarët e plagosur, që më pas i transportonim me helikopter, për në ish Spitalin Universitar Qëndror Ushtarak-Tiranë, sot Spitali Universitar i Traumës.
Në ditët e para të shërbimit tim aty erdhën nga spitali edhe mjeket Kol Dr Kujtime Duraku infeksioniste dhe Dr Alma Tozaj kardiologe, të cilat gjej rastin ti përgëzoj për përkushtimin, humanizmin dhe guximin që kanë treguar në ato ditë historike të turbullta.
E gjej të vështirë të harroj Dr Kujtimen, kuksianen bujare, që gjente kohë dhe më sillte edhe ushqim në çadër, të cilin e ndaja me ekipin Italian.
Zëri i kësaj nëne kosovare sot, më solli në kujtesë, një ngjarje të dhimbshme, nga ato ditë historike të vështira
Një ditë në mëngjes teksa po inspektoja kampin, gjej një grua të moshuar në një cep të kampit, që qante me heshtjen, dhe pranë saj qëndronte një vajzë e vogël rreth 7-8 vjeç.
Kur e pyes se ç’farë i kishte ngjarë, ajo mu lut që ta merrja vajzën e vogël, dhe ta ruaja në çadrën tonë, pasi vetëm ajo kishte shpëtuar nga familja e saj e madhe…
E kishte mbesë nga djali…
Vazhdova të shërbej si mjek ushtarakë në të gjithë kampet që u ngritën në Shqipëri për refugjatët, derisa kosovari i fundit, u kthye në Kosovën e çliruar përgjithmonë.
Pas çlirimit, Qeveria e Përkoshme e Kosovës, më ftoi bashkë me 10 kolegë të tjerë mjek ushtarakë, të vizitonim Kosovën e çliruar.
Ishte hera e parë që unë e prekja ëndrrën.
Dhe tani po e ndërpres rrëfenjën se do nisem për të marrë pjesë në protestë….
Ndoshta gjej atje edhe vajzën e vogël, që e mbajtëm në çadrën tonë mjekësore, si infermieren më të vogël, të të gjitha kohrave..
PS. Ju ftoj ti braktisni sot bunkerët politikë dhe ejani të protestojmë sëbashku..
Liria ka emër….

Burimi/Facebook


Leave a Reply