“Noto Lepencit! Shko në Vilajetin e shqiptarëve,” – më tha Mici, dhe gurët e kullës sikur u gërrvishtën mes vetes.
“Jo, Mic,” i thashë me mall e me druajtje. “Sonte nuk nisem. Më trembin këto gryka, që kur xhandarët e Kadri Mehmetit, e vranë Begun e Gjakovës. S’kam si të kthehem përtej Drinit. Nesër, tek Sahat-Kulla e Tiranës, do të mblidhen djemtë e kombit – ata që sollën lirinë Kosovës – dhe nuk mund të rri pa shkuar. Atje do të ngrejnë zërin për heronjtë e gjallë që na i lburgosi n’Hagë Evropa…! Edhe unë do t’u bashkohem djemve të armëve, se i kam mbushur 80 vjet!
Sonte dua ta kaloj natën këtu, me kujtesën tënde, që mban erën e barutit dhe frymën e burrërisë.
“Nëse do të qëndrosh,” – më tha ai, – “atëherë bëhu i denjë për vendin ku rri. Gurët e saj nuk mbajnë dot një njeri që nuk ka në shpirt vendin, gjakun dhe nderin e kujtimit.”
U ula pranë oxhakut, ku gjurmët e zjarrit të dikurshëm kishin mbetur hije. Shikova përreth: një pushkë e varur mbi derë, një palë opinga të copëtuara, një çorape leshi që dikur mbulonte plagët.
“E kam porositur Salihun e Mulosmanëve,” vazhdova unë, “të mbledhë burrat e Gashit. Edhe djemtë e Pacit. Edhe Hoxhën e Vogël nga Myhyjaci: – Merre Kur’anin në gji e pushkën në dorë, se s’mund ta lemë vetëm djalin e kaçakut,- i ka çua fjalë Sali Mani! S’u besohet lugjeve e grykave. Me rrezet e para të mëngjesit duhet ta çojmë në Tiranë, atje ku do të mblidhen djemtë e UÇK-së!”
Mici heshti. S’kuptoi; – çka ishin këto tri shkronja lavdie? Në heshtjen e tij ndjehej stuhia e shekujve.
“E di,” – tha më në fund, – “se rruga e gjakut nuk merr fund. Por e di se ti do t’i thyesh edhe shkëmbijtë, vetëm për t’i gjetur pikat e gjakut tim përzie me gjakun e Idriz Seferit.
– Shko e bashkohu me djemtë e luftës, por kur të kthehesh në shpatin tjetër të Sharrit, kërko gjurmët tona në Kaçanik – se aty, në atë ujë, ende rreh zemra e Shqipërisë.”
U ngrita.
Kulla më dukej e gjallë; dritarja dridhej nga era …
“Do të notoj nëpër Fanin e Vogël,” i thashë, “do të pi kafe në Urën e Tabakëve në Tiranë, dhe do të tymos me çibukun e Isa Begut, dhe do të bërtas:
– Zbritni nga malet, të pimë kafe për shëndetin e trimave që vuajnë në burgjet e Hagës!
Por besën po ta jap: se të nesërmen do të futem në Grykën e Kaçanikut dhe do t’i thyj gurët, për t’i gjetur pikat e gjakut tënd dhe të Idriz Seferit. Turgut Pashës do t’i çoj selam: ku të mbeti ushtria? Ku e ke çallmën?”
“Kujdes,” tha Mici, “mos e ngatërroni kafen me tradhti. Shqipëria nuk ruhet me fjalë të ëmbla, por me shpirt që nuk blihet. Kujtoje këtë, kur të kesh etje.”
Dritat e kullës u drodhën. M’u duk sikur çdo gur lëshonte frymën e vet, si një psalm i harruar i shekujve.
U nisa.
Sali Manit i bërtita: – Më përcillni deri te Fani, se andej më presin Pesë Bajraqet dhe më çojnë në Tiranë!
17.10.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply