Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, pasi ky i fundit ka pranuar pjesërisht planin e paqes të propozuar nga Presidenti i SHBA, Donald Trump.
Mediat izraelite si Agjencia e lajmeve izraelite N12 raportojnë se, pas këtij hapi, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë pezulluar sulmet ajrore në Rripin e Gazës që nga mëngjesi i sotëm. Agjencia izraelite e lajmeve N12 bën me dije se aktualisht IDF është përqendruar në operacione mbrojtëse për të garantuar sigurinë e trupave të vendosura në terren.
Sipas të njëjtave burime, qyteti i Gazës mbetet nën rrethim, ndërsa forcat izraelite nuk janë tërhequr, por po qëndrojnë në të njëjtat pozicione të arritura deri më tani. Deri në orët e para të mëngjesit, Forcat Ajrore izraelite vazhdonin bombardimet në disa zona të Gazës, por sipas direktivës së re nga udhëheqja politike e Izraelit, sulmet do të kryhen vetëm në rast kërcënimi të drejtpërdrejtë.
Në një reagim ndaj këtij zhvillimi, Presidenti Trump ka përshëndetur vendimin e Hamasit dhe ka kërkuar nga Izraeli që të ndalojë bombardimet dhe të krijojë kushte për vazhdimin e procesit të paqes.
Burimi/euronews.al/


Leave a Reply